Psikofakt

October 25, 2019 | 8:16

Nga Edmond Tupja / Dashuri apo kontratë?

MondiNga Edmond Tupja

Sikur t’i besojmë një shprehjeje angleze gati proverbiale të kohëve të hershme, ndryshimi ideal në moshë midis dy të dashuruarve (të llojit hetero) është mirë të jetë nga pesë deri në dymbëdhjetë vjet, sigurisht duke qenë mashkulli më i madh në moshë. Por kohët e hershme kanë perënduar dhe sot hasen në jetë (çka skandalizon shumë njerëz) edhe çifte me ndryshime të mëdha moshe (deri në njëzet, tridhjetë, madje edhe dyzet vjet) duke qenë shpesh mashkulli më i moshuari, por, herë pas here, edhe femra. Shembujt nuk janë të paktë: artistë apo artiste, afariste apo burra shteti lidhen – martohen ose bashkëjetojnë – me vajza të reja që kanë moshën e bijave, madje nganjëherë edhe të mbesave të tyre; njëkohësisht, ka sidomos artiste e, ndoshta, përse jo, afariste dhe “gra” shteti, që lidhen – martohen ose bashkëjetojnë – me djem të rinj që kanë moshën e bijve, madje nganjëherë edhe të nipave të tyre.

1Sipas një mendimi të pjekur, që ka nisur të ndeshet edhe në Shqipëri, ndryshimi i madh në moshë midis dy bashkëshortësh apo thjesht partnerësh, përbën përherë e më pak një problem në vetvete kur marrëdhënia është plotësisht dashurore. Sa për kujtesë, Domeniko Modunjo dikur këndoi një këngë shumë të bukur ku bëhej fjalë për një mësues violine që ra në dashuri me nxënësen e vet, por këtë këngë ai e interpretoi vetëm dy-tri herë dhe vetëm kaq; në vitet ’60, në Francë, një mësuese gjimnazi u lidh me një nxënës të saj që nuk ishte në moshë madhore dhe, kur plasi skandali e prindërit e nxënësit e hodhën atë në gjyq, ajo vrau veten, por presidenti francez Pompidu i bëri asaj një homazh prekës. Në fund të fundit, ç’rëndësi ka mosha kur protagonistët duhen vërtet? Në vend të merrej gjerë e gjatë me rastet në fjalë, opinioni ynë publik do të bënte mirë të pozicionohej në favor të dashuruarve që, jo për arsye ndryshimi në moshë midis tyre, po për arsye sociale, kulturore apo fetare, nuk mund ose nuk i lenë të bashkohen, si edhe të angazhohej në një denoncim më të fuqishëm të dhunës fizike dhe/apo psikologjike që ushtrohet në gjirin e çifteve me ndryshim të “pranueshëm” apo të “respektueshëm” moshe.

Nga ana tjetër, nëse te çiftet me ndryshim të madh moshe marrëdhënia nuk është vërtet dashurore, nëse kjo marrëdhënie mbështetet tek interesi (si faktori “para” ose ai “famë”, ndër të tjerë), atëherë këtu ka një problem moral për një dukuri sociale që duhet stigmatizuar, sepse marrëdhënia në fjalë shfaqet si një lloj kontrate shtiblerjeje dhe, rrjedhimisht, mban vulën e komercializmit duke rënë kështu, deri diku, pakëz erë prostitucion “elegant”, çka, me shumë gjasë i kujton lexuesit me kulturë hétairet (si Laisin, Frinenë dhe Thaisin), pra, prostitutat e një rangu shoqëror të lartë në Greqinë e lashtë, kurtizanet e oborreve mbretërore në Francë para Revolucionit të 1789 ose, më pranë nesh, gjysmëmondanet e Francës së fillimit të shekullit XX.

Revista Psikologjia 2016

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top