Psikofakt

December 25, 2018 | 8:07

Nga Edmond Tupja / E drejta për përtaci

Pas gati një viti të ngarkuar me punë, me strese nga më të ndryshmet e me të papritura të shumëllojshme, që të detyrojnë të nxitosh, të vraposh e të mos kesh kohë të marrësh frymë i qetë, a nuk është një mrekulli të gëzosh e të ushtrosh të drejtën tënde për përtaci?

Edmond Tupja

Edmond Tupja

Këtë të drejtë, në përgjithësi, e gëzojmë dhe e ushtrojmë vetëm kur jemi me pushime. Falë kësaj të drejte, mund të ngrihesh vonë nga shtrati në mëngjes, të biesh vonë për të fjetur në darkë pa e vrarë mendjen e zemrën për të nesërmen, të pasnesërmen e për fundin e javës apo të muajit. Të bësh atë që të pëlqen dhe aq herë sa të pëlqen, por veçanërisht të mos bësh asgjë dhe t’i thuash vetes e të tjerëve se, nganjëherë, sidomos kur je me pushime, nuk ka gjë më kryevepër sesa il dolce farniente, siç shprehen italianët!

Të mos bësh asgjë, thjesht duke këqyrur, i shtendosur, me mendjen asgjëkund, për shembull, vijën e horizontit nga ranishtja buzë detit ose nga maja e malit, të njëjtësohesh me atë pafundësi duke sfiduar kështu betonin e qytetit të cilin e ke braktisur përkohësisht në mënyrë që ta çlirosh vështrimin dhe t’i japësh kuptim shprehjes “sa të të hajë syri”! Po, po, sa të të hajë syri, dhe ke për të parë që do të marrësh frymë më lirisht duke u ndier më në fund zot i vetvetes qoftë edhe për disa minuta, sepse edhe syri merr frymë. Të njëjtën gjë mund të bësh edhe herët në mëngjes, qoftë buzë detit, në plazhin e shkretë ende pa njeri, pa britma, pa oshtima altoparlantësh, qoftë në malësi, majë një mali apo kodre, duke shijuar qetësinë e plotë, duke dëgjuar tingullin e heshtjes.

Të marrësh frymë me sy e me vesh është diçka që e kemi harruar prej shekujsh, diçka që na jep mundësinë të shmangim depresionin, këtë haraç që, si njerëz modernë, i paguajmë nënës natyrë, bij plëngprishës të së cilës jemi në pjesën më të madhe të kohës. Një tjetër mënyrë për të arritur në të njëjtën gjendje është të përqendrohesh në një detaj të imët, krejt të parëndësishëm, si, për shembull, kokrrizat e rërës që të futen mes faqeve të librit kur lexon në plazh ose fijet e barit që flirtojnë me qerpikët e tu kur rri shtrirë në një lëndinë diku në një fshat. Përpiqu kështu të dialogosh me një kokrrizë rëre apo fije bari, përpiqu ta përfytyrosh veten pikërisht si njëra apo tjetra dhe atëherë do të kuptosh që je duke medituar pa qenë nevoja të endesh detyrimisht midis yjeve.

E drejta për përtaci nuk do të thotë ta mpish mendjen, përkundrazi, do të thotë ta aktivizosh këtë duke e përqendruar në gjirin e natyrës për t’i ripërtërirë sadopak vetvetes intuitën e njeriut primitiv që moderniteti ta ka drobitur e gati asnjanësuar. 

Së fundi, nuk është e thënë dhe as e shkruar që këtë të drejtë të mos e ushtrosh edhe kur nuk je me pushime, të dielën për shembull (ditë pushimi, të paktën teorikisht) duke fokalizuar vëmendjen tënde për disa minuta në horizonte të largëta ose në detaje të vogla dhe duke mobilizuar disa shqisa njëherazi si edhe aftësitë e tua përfytyruese.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 133

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top