Nga Edmond Tupja
“Sigurisht që, fillimisht, termi “romantik”, me prejardhje nga anglishtja (romantic), karakterizonte diçka prekëse, si në romane, që kishte të bënte me natyrën në veçanti; më vonë, në krye të Shekullit XIX, ky term u lidh me temat e parapëlqyera të poetëve e shkrimtarëve, piktorëve e kompozitorëve romantikë, si ndjeshmëria, ekzaltimi dhe ëndërrimet. Sot, në përgjithësi, flitet më rrallë për letërsi, pikturë e muzikë romantike, por shpesh dëgjojmë të përmenden termat “hov”, “qëndrim”, “stil” apo “qasje” romantike. Në këtë kuptim, si gjest romantik, vazhdon të konsiderohet çdo veprim që, në sfera të ndryshme të jetës dhe për shumicën e njerëzve, të kujton para së gjithash fisnikërinë, ndjeshmërinë dhe sidomos dashurinë, respektin dhe ndihmën për më të pambrojturit, handikapatët, fëmijët, gratë dhe pleqtë, të varfrit, të pastrehët e të papunët.”
Disa gjeste romantike, për mendimin tonë, duhen të bëhen më mirë pjesë e edukatës që u japim fëmijëve dhe të rinjve tanë, të kërcënuar nga individualizmi më materialist, komercialist e neoliberalist që ka njohur deri më sot jo vetëm Shqipëria, por edhe mbarë bota e qytetëruar.
Një gjest romantik e zbukuron atë që e bën dhe, njëkohësisht, e ngroh shpirtërisht atë të cilit i drejtohet. Aktualisht, nuk jemi më në Mesjetë, kur Servantesi shkroi “Don Kishotin”, personazh ky që nuk ishte veçse një romantik i parakohshëm, që pati fatin e keq të jetonte në shekullin e gabuar dhe në vendin e gabuar, ndaj u bë edhe qesharak, aq sa kur kemi të bëjmë me një njeri që na kujton atë, sidomos në shoqërinë shqiptare, e tallim duke e cilësuar pikërisht si donkishot.
Ja si e përkufizon emrin e përgjithshëm “donkishot” “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006): “libr.keq. njeri i shkëputur nga jeta, që rron me ëndrra e lufton për ideale e qëllime të paarritshme, sa bëhet qesharak e për të ardhur keq […]”. Vërejmë se ky përkufizim ka një ngarkesë emocionale negative, çka e dëshmojnë edhe shkurtimet “libr.keq.”, d.m.th. “i kuptimit libror me kuptim keqësues”.
Kurse, në të njëjtin kuadër, fjalori i gjuhës frënge “Le Petit Robert” (Paris, 2011) e përkufizon si vijon emrin “don Kishot”: “Njeri bujar e utopik që kërkon të afirmohet si shpagimtar i viktimave të padrejtësisë dhe si mbrojtës i të shtypurve” (përkthimi ynë E.T.). Ndryshimi, sado i vogël midis këtyre dy përkufizimeve, ilustron më së miri një ndryshim konceptual thelbësor lidhur me gjestin romantik në këndvështrimin shqiptar dhe atë francez.
Si rrjedhim, duke pasur parasysh kushtet e sotme, le të bëhemi të gjithë ne, shqiptaret e shqiptarët, pak romantikë, qoftë edhe pak donkishotë, le të qeshin disa mendjemykur me ne, ashtu siç qeshnin para dy mijë e ca vjetësh në Jeruzalem turmat me fjalët e Jezu Krishtit që predikonte dashuri, mirësi e tolerancë midis njerëzve. Le të kultivojmë empatinë, pra, le ta vëmë veten nën vendin e tjetrit e le ta shohim veten tonë me sytë e tij, në mënyrë që gjesti ynë romantik të jetë sa më i ndier, sa më i sinqertë, sa më i dobishëm.
Revista Psikologji viti 2016
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.