Tregojnë se një herë e një kohë, në Shqipërinë e dikurshme ende të paqytetëruar, një zotëri kishte një djalë shumë të mirë, të cilit sikur po i kalonte mosha për t’u martuar; për këtë arsye, ngaqë kishte dëgjuar fjalë shumë të mira për një vajzë beqare, e cila i përkiste një familjeje të së njëjtës sërë dhe që ishte e ndershme dhe e edukuar, ky zotëri kërkoi me ngulm të gjente një shkes që i biri të martohej me vajzën në fjalë. Dikush i premtoi ta ndihmonte dhe pas pak kohësh i gjeti një shkes që, në pamje të parë, i ishte dukur i përshtatshëm dhe që, fatmirësisht, hynte e dilte te familja e vajzës.
Ky shkes ia lavdëroi babait të dhëndrit të mundshëm vajzën e tjetrit dhe e siguroi se gjithçka do të shkonte më së miri. Mirëpo, shkesi, për arsye që nuk dihen e nuk u morën kurrë vesh (të kishte qenë vallë i pirë?), i ra shkurt muhabetit duke i thënë babait të vajzës se dorën e saj e kishte kërkuar një djalë i mbarë nga një familje shumë e mirë, i cili donte patjetër të binte në shtrat me të bijën e tij, edhe ajo vajzë fort e mbarë.
Me të dëgjuar shprehjen “të binte në shtrat” të thënë në mënyrë aq vulgare saqë autori i këtij shkrimi nuk guxoi ta riprodhonte fjalë për fjalë siç kishte dalë nga goja e shkesit, i ati i vajzës e dëboi në çast shkesin gojështhurur. I madh qe zhgënjimi i babait dhe i vetë djalit kandidat për martesë. Gjithsesi, pas ca kohësh, këta gjetën një tjetër shkes që, me durim, takt, edukatë e mençuri, pra, në një mënyrë krejt të kundërt me atë të shkesit të parë, i rregulloi marrëdhëniet midis dy familjeve deri sa të dyja palët u morën vesh dhe i martuan fëmijët e tyre.
Kjo histori – e vërtetë apo e sajuar qoftë – ka pa dyshim një domethënie interesante: jo vetëm në punë dashurie, por edhe në punë të tjera të tilla si miqësia, shoqëria, politika e lloj-lloj angazhimesh të përbashkëta, mënyra e të afruarit dhe e të bashkuarit të njerëzve, qoftë edhe me pikëpamje jo përherë identike, ka të njëjtën peshë në mos më shumë, jo vetëm me identitetin e idealeve apo të objektivave të personave të interesuar për t’u lidhur me njëri-tjetrin, por edhe me ecurinë e ndërtimit të diçkaje të re në interes të palëve të interesuara, sidomos kur kjo diçka e re është, ndër të tjera, baza e një familjeje të re, pra dashuria midis pjesëtarëve të saj.
Sigurisht, sot kohët kanë ndryshuar dhe të dashuruarit nuk kanë më, të paktën në shtresat me nivel social-kulturor mbi mesataren, nevojë për shkesë psikologjikisht të kualifikuar e të përgjegjshëm për misionin e tyre; këtë rol tashmë e luajnë vetë protagonistët kur, për shembull, dashurojnë seriozisht duke ëndërruar të krijojnë një familje të aftë për t’i qëndruar kohës e stuhive të saj në gjirin e çiftit dhe për t’i zgjidhur duke dialoguar problemet që do t’u dalin kur të bashkëjetojnë, kur të bëhen me fëmijë, me nipër e me mbesa.
Nga ky këndvështrim, dashuria, e rrjedhimisht familja e tyre mund të mbijetojnë kryesisht falë mënyrës se si ata i analizojnë problemet jo vetëm për t’i sqaruar, por edhe për t’u gjetur një zgjidhje optimale e afatgjatë.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 140
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.