Psikofakt

February 27, 2017 | 11:01

Nga Edmond Tupja/ Kushtrimi i një filmi

1

Një javë më parë pashë një film. E pashë dhe u trondita së tepërmi. Në më se një orë e gjysmë pashë Shqipërinë në përmasat kryesore të fatkeqësisë së saj. E pashë me gjithë plagët e saj moderne. E pashë të rrëfyer me art e dhimbje. Sigurisht që nuk prisja ta shihja të rilindur, por, o tmerr, e pashë të rivdekur. Të kërrusur nën peshën e plagëve me emrat korrupsion, immoralitet, kriminalitet, ndotje mjedisore vdekjeprurëse, krizë ekonomike e mjerim shpirtëror. Një film me titullin “Të thyer” nga Edmond Budina. Dhe u ndjeva i thyer. I thyer në vendin tim të thyer. Të thyer e të fyer. Të thyer, të fyer e të mbërthyer nga të përbindshmit oligarkë të babëzitur për pushtet, para e pasuri përrallore.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Sigurisht, gjithë dukuritë e lartpërmendura tejet negative, sidomos ato të këtyre katër-pesë vjetëve të fundit, nuk ishin aspak të panjohura për mua, siç nuk janë të tilla për shumicën dërrmuese të bashkatdhetarëve të mi, e kam fjalën për ata që kanë sy për të parë, veshë për të dëgjuar dhe vetëdije për të vlerësuar. Por, falë mjeshtërisë së gjithë ekipit të kineastëve të përfshirë në realizimin e tij, filmi në fjalë të ndërgjegjëson më thellë, më dhimbshëm, më tronditshëm sesa lajmet në mediat e shkruara apo në ato elektronike. Për këtë arsye, do të ishte me shumë vend që çdo familje shqiptare ta shihte këtë film, në gjirin e saj të diskutohej për atë, por jo vetëm kaq: do të ishte diçka fort e dobishme që televizioni publik shqiptar ta përcillte atë, madje jo vetëm një herë, që edhe televizionet private të ndiqnin shembullin e tij; nga ana tjetër, gjimnazistët dhe studentët do të piqeshin më mirë nga pikëpamja social-kulturore dhe politike, sikur mësuesit e pedagogët t’i sensibilizonin për rolin e rëndësishëm jo vetëm informues, por edhe edukues, që ky film patjetër mund e duhet të luajë në rrafshin moral për brumosjen e tyre me ndjenjën e revoltës së ndërgjegjshme qytetare kundër atyre dukurive që janë në zanafillë të vuajtjeve, me të cilat përballen sot familjet e tyre, në zanafillë gjithashtu të bllokimit të paturpshëm e të pamëshirshëm të së ardhmes të të rinjve shqiptarë.

Para tridhjetë e ca vjetësh, në televizionin italian, bashkë me shumë nga moshatarët e mi, kam parë disa filma që m’i kujtoi filmi i Edmond Budinës, në të cilët trajtohej me vërtetësi, forcë e art tema e luftës kundër mafies; ishin filma të frikshëm, por që luajtën një rol shumë të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e italianëve për domosdoshmërinë e asaj lufte të vështirë. Nën dritën e këtij fakti, unë besoj se filmi “Të thyer” e përmbush më së miri misionin e tij, por ai nuk duhet të mbetet i vetëm në llojin e vet.

Të tjerë filma me tema të ngjashme shoqërore të ndërthurura me fate njerëzish duhet të realizojnë kineastët tanë të talentuar e të guximshëm, tema që u ofron atyre çdo ditë realiteti i zymtë, nganjëherë edhe i kobshëm, shqiptar. Të njëjtën gjë mund e duhet ta them edhe për trupat tona teatrore, të cilat dramaturgët tanë të talentuar e të guximshëm mund dhe duhet t’i furnizojnë me krijimet e tyre më të mira, duke u frymëzuar nga i njëjti realitet shpirtgërryes.

Gjithashtu, edhe poetët e prozatorët tanë, ata me talent e me guxim, nën shembullin e Darien Levanit me romanin “Dopiogjashta” të botuar para dy vjetësh, që është pak a shumë në të njëjtën gjatësi vale me filmin e Edmond Budinës, duhet të trajtojnë, pa u tutur, tema të ngjashme me kumbim ndërgjegjësues.

Së fundi, uroj me gjithë shpirt që filmi “Të thyer”, i cili po shfaqet në kinematë “Millennium”, “Cineplexx” dhe në ato të rrjetit “Imperial” të ketë fatin të subtitrohet të paktën në anglishte e të shfaqet përtej kufijve të Shqipërisë sonë fatkeqe, për t’i dëshmuar botës se artistët shqiptarë kanë guximin dhe ndershmërinë intelektuale të përfshihen në jetën e gjallë të popullit të tyre për popullin e tyre, duke dhënë kushtrimin e vonuar, por të mezipritur, në mënyrë që të ringjallet Shqipëria e rivdekur.

/Panorama/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top