Gjithmonë njeriu ka lexuar e vazhdon të lexojë, mbase më pak në epokën e sotme, por lexon gjithsesi. Lexon edhe kur është me pushime, në bregdet, në malësi apo tjetërkund. Pavarësisht profesionit, ai lexon sot, sigurisht jo vetëm libra prej letre, por edhe virtualë, në ekranin e kompjuterit, e laptopit, e I Padit, e smartfonit etj., etj. Se çfarë lexon, këtë ai e vendos vetë: vepra të mirëfillta letrare, jetëshkrime, vepra historike, shkencore apo enciklopedike, manuale teknike, libra kuzhine, gazeta e revista, botime me këshilla praktike për shëndetin, freskinë mendore, formën fizike, etj, etj.
Kuptohet që, kur është me pushime, sidomos në plazh, njeriut sot edhe i qëllon jo të lexojë, por të bëjë sikur lexon, pra, i ndodh mjaft shpesh që të shfletojë një libër apo një revistë, me një fjalë t’u hedhë një sy të shpejtë, ndoshta jo edhe aq të vëmendshëm, kjo është, në fund të fundit, e drejta e tij. Çka e përforcon edhe shkrimtari francez Daniel Pennac, kur përcakton, në librin “Si një roman” (Botimet Pegi, Tiranë 2014), dhjetë të drejtat e lexuesit – që janë sidomos të vlefshme për ne kur shkojmë me pushime – si, për shembull, e drejta për të mos lexuar, e drejta për të kapërcyer disa faqe, e drejta për të mos e mbaruar një libër, e drejta për të rilexuar,e drejta për të lexuar çfarëdo qoftë dhe e drejta për të lexuar kudo që të ndodhet.
Nuk ka dyshim që të lexuarit gjatë pushimeve ka një avantazh të madh: ai kurrë nuk imponohet nga rrethanat (shkolla, profesioni, trajnimet, leksionet, kumtesat e ligjëratat në konferenca e simpoziume etj.), pushuesi, krejt i lirë, vendos të marrë një libër e ta lexojë dhe, po të jetë e nevojshme, të ushtrojë të drejtat e lexuesit të rekomanduara pak më lart.
Nga ana tjetër, duhet pranuar që, kur jemi me pushime, përballemi me tundime të shumta që na bëjnë të ngurrojmë para se të marrim në dorë një libër çfarëdo, si lojërat e qeta – shah, letra, tavëll e domino apo edhe ato më të gjalla, më fizike – futboll, volejboll, vrapim dhe ecje e shpejtë. Gjithashtu, pushuesi është i lirë t’i kombinojë apo t’i alternojë këto dy lloje veprimtarish ludike.
Nga ana tjetër, të lexosh kur je me pushime, në plazh nën çadër ose në një bar buzë detit, në një vend malor, ulur nën hijen e freskët të një peme gjethedendur ose në verandën e shtëpisë ku buan, është gjithashtu një mënyrë e tërthortë, pa moralizim të bezdisshëm, për t’u ngjallur apo përforcuar fëmijëve, nipave e mbesave, të çdo moshe qofshin ata, dëshirën për të lexuar, për t’u bërë mik me librin.
Prandaj është diçka e bukur dhe fisnike të marrësh me vete, tek gatitesh të shkosh me pushime familjarisht apo fillikat, një libër, një revistë apo një tjetër lloj botimi, dhe ta lexosh si të ta ketë ënda, herë pas here, aty-këtu, ulur, shtrirë apo në këmbë, pa zë, me zë të brendshëm apo të ulët, pak rëndësi ka nëse rri dhe e mendon atë që sapo ke lexuar, nëse nënvizon ose jo me laps ndonjë fjali apo paragraf që të duket interesant.
Lexo, pra, i lirë, sepse, ndoshta, një ditë do të thuhet “Të lexosh a të mos lexosh i lirë, kjo është çështja”.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.122
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.