Psikofakt

June 3, 2019 | 9:49

Nga Edmond Tupja / Liria dhe lumturia

Liria dhe lumturia kanë qenë, janë dhe do të jenë dy nocione themelore të shoqërisë njerëzore deri në atë pikë saqë mund të konsiderohen si të pandashme: e para i jep mundësi njeriut të kërkojë të dytën, të luftojë për atë, ndryshe do ta kishte shumë të vështirë ta bënte realitet si në rrafshin individual e familjar, ashtu edhe në atë profesional e shoqëror.

Edmond Tupja

Edmond Tupja

Në një këndvështrim humanist, por edhe epikurian, Zhidi, shkrimtar francez i shekullit XX, pohon se njeriu ka lindur për të shijuar lumturinë dhe se këtë me siguri na e mëson e gjithë natyra. Tashmë dy shekuj më parë se ai, Rusoi, një tjetër filozof francez, shkruante se çdo njeri dëshiron të jetë i lumtur; por për t’ia arritur këtij qëllimi, duhet së pari të dimë çfarë është lumturia.

Atij i përgjigjet, në fund të shekullit XVIII, një tjetër francez, Lafaj, leksikograf, i cili, në fjalorin e tij të sinonimeve, shpjegon se kënaqësia është një lumturi që zgjat një çast, pra, një element i lumturisë së mirëfilltë; mirëqenia është një lumturi fizike, një lloj lumturie që e shijojmë pa pasur nevojë të jemi moralisht të ndjeshëm ose të përsosemi në këtë drejtim; lumturia qiellore (në frëngjishte béatitude, në italishte beatitudine) është lumturia që u premtohet në një jetë tjetër atyre që do të kenë kultivuar virtytin mbi tokë; begatia është lumturia objektive ose e jashtme; lumturia e plotë dhe e përhershme (në frëngjishte félicité, në italishte felicita) është lumturia subjektive, kënaqësia e shpirtit.

Shikoni sa nuanca përmban lumturia si nocion vetëm në Francë, ndoshta po aq në Itali e në vende të tjera europiane! Po në kontinentet e tjera? Sigurisht që ky nocion në Afrikën Veriore (vendet arabe), në Afrikën tropikale (Kongo, Mozambik etj.) Në Lindjen e Afërt (Izrael, Palestinë etj.), në Lindjen e Mesme (Iran,Irak etj.) e në Lindjen e Largët (Japoni, Kinë, Indi etj.) duhet të ketë nuanca që nuk i gjen në Europë, po kështu në Amerikën e Veriut dhe në atë të Jugut, si edhe në Oqeani. Kjo do të thotë se përveç tipareve të përbashkëta, nocioni “lumturi” ende ndryshon pjesërisht sipas kontinentit, vendit, shoqërisë, klimës e relievit, por edhe sipas përkatësisë social-kulturore dhe gjendjes ekonomike të individit, mandej edhe sipas epokave dhe qytetërimeve.

Sot, paralelisht me globalizimin e gjithanshëm, po afron me sa duket koha kur të gjithë banorët e planetit Tokë do të kenë pak a shumë të njëjtin koncept të lumturisë, por asnjëherë absolutisht të njëjtin, sepse rrethanat ku do të ndodhet secili prej atyre do të ndryshojnë edhe në mënyrë të paparashikueshme.

Prandaj, në fund të fundit, historia do t’i japë të drejtë Paskalit, një tjetër filozof francez i shekullit XVII, i cili thotë se njeriut nuk i intereson aq lumturia sesa kërkimi i lumturisë, kështu që, për ta kërkuar atë, na duhet të jemi të lirë në ëndërrimet e veprimet tona, të lirë, po, po, veçse pa e dëmtuar tjetrin, çka e përcakton, që fund të shekullit XVIII në Francë, “Deklarata e të Drejtave të Njeriut” kur shpall se: “Liria qëndron në faktin se individi mund të bëjë gjithçka që nuk i dëmton të tjerët: kështu, të ushtruarit e të drejtave të natyrshme të çdo njeriu ka si kufij vetëm ata që u sigurojnë pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë përdorimin e të drejtave të njëjta. Këta kufij mund t’i përcaktojë vetëm Ligji”.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top