Prilli është, deri tani të paktën, muaji më çapkën i vitit. Përse kështu? Thjesht sepse fillon me Ditën Ndërkombëtare të Gënjeshtrave! Më 1 prill gënjejmë për t’u zbavitur dhe, njëherazi, zbavitemi duke gënjyer. Gjithsesi, gënjeshtra, edhe pse e dënueshme, vazhdon të luajë në gjirin e shoqërisë njerëzore një rol të veçantë për shoqërizimin e fëmijëve dhe psikologët prej kohësh kanë pohuar se ajo u mëson njerëzve, por veçmas fëmijëve të parrahur nga jeta, se si të përshtaten në rrethana të caktuara për të dalë nga situata, për mirë a për keq, kjo vetëkuptohet.
Mirëpo, ka fëmijë që kurrë nuk arrijnë të gënjejnë jo se nuk duan, por nuk munden. Për më tepër, këta fëmijë të çuditshëm janë të mbyllur në vetvete, shumica e tyre nuk arrijnë as të flasin, nuk kanë kureshtje thuajse për asgjë, me përjashtim të plotësimit të nevojave fiziologjike, atyre u mungon bashkëveprimi ndërindividual, si edhe komunikimi në shoqëri: për pasojë, ata kurrë nuk do të integrohen, ata kurrë nuk do të jenë normalë, ata gjithmonë do të jenë një barrë e rëndë, sfilitëse për prindërit e shoqërinë.
Por pikërisht në muajin prill, fill pas 1 prillit, pra më 2 prill, ata kanë ditën e tyre, ndërkombëtare gjithashtu, ndonëse nuk janë të vetëdijshëm për këtë, sepse koha për ata ka ngecur në vend, sepse ata nuk pranojnë të rriten! Po, po, nuk pranojnë të rriten dhe shkenca mjekësore ende nuk ka arritur t’i përcaktojë qartë e përfundimisht shkaqet e vërteta të gjendjes së tyre, më saktë të dramës së tyre: për disa, këto shkaqe janë gjenetike, për të tjerë ato janë neurologjike, për të tjerë akoma ato janë psikologjike; disa syresh mendojnë se fajin e kanë vaksinat dhe/ose gluteni, të tjerë akoma mendojnë se fajin e ka ndotja e mjedisit, valët e rrezatimet me origjina të ndryshme (lëndësh bërthamore, antenash, aparaturash të të gjitha llojeve etj., etj.); nga ana tjetër, numri i tyre sa vjen e rritet deri në atë pikë sa sot ka vende ku në rreth njëqind të porsalindur, njëri është i tillë!
Natyrisht që lexuesi i këtyre radhëve e ka kuptuar se për kë e kemi fjalën: për fëmijët e prekur nga autizmi! Sigurisht që prindërit e këtyre fëmijëve bashkëpunojnë me mjekët specialistë (psikiatër, psikologë, edukatorë, terapistë, logopedë etj. etj.); sigurisht që shkenca mjekësore vazhdon kërkimet për të zbuluar ilaçe sa më të efektshme për t’i zgjuar e çelur këta fëmijë ndaj jetës normale, veçse po bëhen katër dekada që çdo vit flitet për zbulimin e disa ilaçeve çudibërëse dhe, rrjedhimisht, prindërit e fëmijëve autikë presin e stërpresin, rropaten e rraskapiten, plaken e stërplaken, por, ndërkohë, ilaçet çudibërëse vonojnë, aq sa sot, në mbarë botën, ata po ndërgjegjësohen për diçka fort të rëndësishme:
Le të vazhdojnë kërkimet në fushën e terapisë, por t’u kushtohet më tepër vëmendje, t’u falet më tepër dashuri subjekteve autikë, çka do të thotë se qeveritë, organizatat joqeveritare, biznesmenët e bamirësit, shkurt mbarë shoqëria njerëzore të krijojnë kushtet e domosdoshme që personat autikë të merren në ngarkim nga struktura shtetërore dhe të mos lihen në mëshirë të fatit, të mos enden rrugëve pas vdekjes së prindërve e të mos rrasen spitaleve psikiatrike ku, detyrimisht, do t’i dendin me neuroleptikë duke i shndërruar, pjesërisht ose tërësisht, në gjallesa të trullosura që nuk njohin më as vetveten.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.