Psikofakt

September 19, 2019 | 8:30

Nga Edmond TUPJA / Miqësia, dashuria…

Po, është e vërtetë që në pjesën më të mirë të rasteve, dashuria lind në mënyra nga më të ndryshmet: vetvetiu dhe pa u kuptuar, me shikim të parë, të dytë ose të tretë, shkallë-shkallë, papritmas, por edhe për shkaqe apo arsye nga më të paparashikueshmet. Te një numër të rinjsh, por edhe njerëzish të njëfarë moshe, fillimisht ajo mund të lindë në mënyrë të pavetëdijshme edhe duke marrë tiparet e një miqësie. Këtë e dëshmon, jo vetëm realiteti, por edhe letërsia e kinematografia ndër të tjera.

Edmond Tupja

Edmond Tupja

Gjithsesi, nuk është e thënë që çdo miqësi të përfundojë detyrimisht si dashuri. Së pari, duhet pranuar se ka shumë miqësi që mbeten të tilla, pra që nuk arrijnë të kthehen në dashuri, sepse dashuria është, në njëfarë mënyre, një lloj reaksioni kimik në pavetëdijen njerëzore, shpesh ajo ka nevojë për një katalizator që të lindë dhe miqësia nuk e ofron këtë përherë. Dikur, por ndoshta kjo ndodh edhe sot e kësaj dite, njeriu sajoi një katalizator krejt artificial, mblesërinë apo shkuesinë, me pretendimin e çuditshëm se dashuria mund të lindte edhe pas martesës, çka edhe ka ndodhur, madje rolin e katalizatorit te disa çifte e ka luajtur e mbase ende e luan gjithashtu lindja e fëmijës së parë.

Së dyti, për sa u përket miqësive që shndërrohen në dashuri, duhet pranuar se çdo miqësi është vetë fryti i një transformimi: ajo nis si shoqëri dhe, siç e thotë thjesht, por bukur romancieri francez François Mauriac, “shoqëria të çon te miqësia”. Po vetë miqësia si përkufizohet? Sipas fjalorit të gjuhës frënge “Le Petit Robert”, miqësia është një ndjenjë e ndërsjellë dashamirësie ose simpatie që nuk mbështetet as te lidhjet e gjakut, as te tërheqja seksuale.

Mirëpo, së treti, duhet pranuar se dashamirësia dhe sidomos simpatia që përmban miqësia e dikujt për dikë tjetër, herët a vonë, mund të bëhen shkak, kur dy personat në fjalë janë vërtet në të njëjtën gjatësi vale shpirtërore, që të zgjohet pikërisht edhe tërheqja seksuale, çka e konfirmon vetë përkufizimi i dashurisë te fjalori i lartpërmendur si “prirje e dikujt për t’u lidhur me dikë tjetër, më shpesh në trajtë pasioni dhe që ka për bazë instinktin seksual, por që të çon në qëndrime të ndryshme”.

Së katërti dhe së fundi, sado të jenë përpjekur e të përpiqen psikologët, sociologët e filozofët për të analizuar e shtruar në ekuacion binomin miqësi/dashuri, gjithmonë do të ketë elemente qoftë të paidentifikueshme, qoftë të paklasifikueshme që do të kontribuojnë në transformimin e një miqësie në dashuri, sepse kjo metamorfozë varet jo vetëm nga natyra, temperamenti e karakteri i individëve, por edhe nga rrethanat e nga formimi i tyre shpirtëror.

Megjithatë, poeti dhe dramaturgu francez Jean Cocteau ka plotësisht të drejtë, të paktën sipas nesh, kur nënvizon se “miqësia midis mashkullit dhe femrës është delikate, ajo është gjithashtu një lloj dashurie”.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 141

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top