Psikofakt

March 19, 2019 | 8:10

Nga Edmond TUPJA / Në shërbim të së Mirës

Qysh në zanafillat e tij njerëzimi është përpjekur, fillimisht në mënyrë pragmatike dhe, më tej, dora-dorës që zhvillohej, në mënyrë sistematike, që përhapja e dijeve të institucionalizohej në shkolla. Këta dy shekujt e fundit, që mund t’i quajmë shekujt e ngadhënjimit të shkencave, mund të pohohet me plot gojën se pa Shkollën si institucion tempulli i dijes do të kishte qenë i mbyllur për shumicën e njerëzve.

Edmond Tupja

Edmond Tupja

Kjo perspektivë humaniste shtrihet përgjatë një horizonti të ndritur shumëshekullor, por duke pasur parasysh përvojën historike të grumbulluar në këtë drejtim, vazhdon të mbetet aktuale pyetja “A ka qenë dhe a është përherë dija në shërbim të së Mirës për njeriun?” Mjerisht, po të këqyrim historinë e njerëzimit, vërejmë se herë pas here horizontin e ndritur të dijes e kanë errësuar ca re të rënda, ato të luftërave e të shkatërrimeve masive në nivel jo vetëm rajonal, por edhe planetar, si lufta e parë dhe ajo e dytë botërore, çka dëshmon që dija – ose më saktë një pjesë e saj – është vënë dhe vazhdon ende të vihet në shërbim jo të jetës, por të vdekjes.

Tashmë në shekullin XVI, në kohën e Rilindjes franceze, një filozof shkruante: “Science sans conscience n’est que ruine de l’âme”, që mund të shqipërohet si vijon: “Dija pa vetëdije shpirtin vetëm ta rrënon”. Në këtë këndvështrim, Shkolla në botë lufton që ta mbajë të lidhur dijen, pra shkencën, me moralin, çka nuk është e lehtë në epokën e globalizimit e, sidomos, të internetit, ku, përveç informacioneve të dobishme, gjen edhe informacione të tilla vrastare si formula të gatshme për të krijuar armë vdekjeprurëse.

Një tjetër shembull domethënës i përdorimit të dijes për veprime moralisht të dënueshme është ai i hakerave për të bllokuar veprimtarinë e këtij apo atij institucioni në mënyrë që të realizojnë përfitime të paligjshme. Mirëpo, paralelisht, Shkollës i duhet të përmbushë gjithashtu misionin e saj më të lashtë, pra, të vazhdojë luftën kundër injorancës edhe në trajtën e saj më trashanike, atë të analfabetizmit absolut, por edhe funksional, sidomos në vendet e botës së tretë, së cilës ende i përket, qoftë pjesërisht, edhe Shqipëria. Në këto vende, Shkollës i duhet të përplaset jo vetëm me padijen, por edhe me pseudodijen që përhapet, ndër të tjera, përmes marrjes së pamerituar të diplomave.

Gjithsesi, të paktën sipas një sociologu e pedagogu të universitetit të Luvenit në Belgjikë, duhet luftuar në vetë gjirin e Shkollës prirja sipas së cilës mund të mësojmë edhe duke u zbavitur. Kjo mënyrë të mësuari vlen ndoshta për fëmijët deri në moshën dhjetë vjeç, por pas kësaj moshe, pra me të vajtur në shkollën nëntëvjeçare, nxënësit duhet të ndërgjegjësohen se pa përpjekje, pa lodhje, nuk mund të fitohen njohuritë e domosdoshme për t’u pajisur me dije më të thella në shkollën e mesme e në universitet, çka përbën kushtin sine qua non për krijimin e elitave në të gjithë shkencat; vetëm brenda e përmes Shkollës duhet të vazhdojë krijimi i elitave të së Mirës, sepse jashtë dhe kundër asaj ndoshta forcave të errëta të padijes mund t’u shkojë mendja perverse të krijojnë elitat e së Keqes.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top