Në të tëra fushat e dijes, specialistët kanë nevojë të përditësojnë periodikisht njohuritë e tyre, prandaj edhe trajnohen rregullisht. Kjo është një domosdoshmëri që nuk ka nevojë për komente, sidomos kur bëhet fjalë për specialistë në fushën e edukimit dhe të arsimit ku lënda e parë është mendja e njeriut, më saktë botëkuptimi dhe ndërgjegjja e tij.
Shkenca të tilla si pedagogjia, psikologjia e sociologjia, duke ecur vazhdimisht përpara, tregojnë se mësuesit, si edukatorë të brezave të rinj, sidomos në nivel parashkollor, në ciklin e ulët të shkollës nëntëvjeçare dhe në ciklin e lartë të saj, por, pse jo, edhe në gjimnaz, duhet patjetër të pasurojnë e të përditësojnë dijet e tyre, edhe përsa u përket marrëdhënieve me nxënësit.
Me siguri që, në programet e trajnimeve përditësuese të mësuesve, organizatorët e tyre kanë parashikuar edhe përfshirjen e psikologëve, të cilët natyrisht nuk zhvillojnë vetëm tema teorike, por edhe i shoqërojnë ato me këmbime përvojash midis të trajnuarve; me siguri që të trajnuarit janë të motivuar dhe marrin pjesë gjallërisht në to; me siguri që këta bëjnë çmos t’i vënë konkretisht në praktikë njohuritë e reja që sapo kanë marrë.
Gjithsesi, do të ishte diçka fort interesante sikur gjatë seminareve të parashikuara në funksion të moshës së nxënësve, të cilëve të trajnuarit u japin mësim (arsim parashkollor, arsim nëntëvjeçar – cikël i ulët, cikël i lartë, gjimnaz), psikologu ose psikologia të vinin theksin në parimin e njohur sipas të cilit mësuesi, falë empatisë, duhet ta vërë veten në vendin e nxënësit për ta kuptuar atë më mirë në mënyrë që ai, nxënësi, ta përvetësojë lëndën dhe ta ndiejë se mësuesi i përkushtohet atij seriozisht.
Në këtë kuadër, psikologu ose psikologia mund, madje duhet t’i ftojë të trajnuarit së pari, të gërmojnë në kujtimet e tyre të kohës kur vetë ata ishin fëmijë kopshti, nxënës të ciklit të ulët apo të atij të lartë të shkollës 9-vjeçare, pse jo, në fund të fundit, edhe gjimnazistë, kujtime që lidhen vetëm me mësuesit dhe mësimin; së dyti, t’i rrëfejnë ato në sy të njëri-tjetrit dhe t’i komentojnë ose t’i analizojnë po vetë; së treti, të nxjerrin përfundimet që mund, madje duhet të kenë parasysh në marrëdhëniet e tyre me nxënësit.
Nëse psikologu ose psikologia vë re ngurrim ose mospranim nga ana e ndonjërit prej të trajnuarve për të gërmuar faqe kolegëve në kujtimet e lartpërmendura, atëherë ai ose ajo mund t’u propozojë të trajnuarve të përdorin një teknikë psikoterapie në grup të quajtur sociodramë, e cila qëndron tek improvizimi, nga disa prej atyre, i një minidrame shumë të shkurtër mbi një temë të caktuar, që sigurisht lidhet me marrëdhëniet mësues-nxënës. Në këtë mënyrë, mësuesit, duke luajtur role nxënësish, do të ndërgjegjësohen se sa e rëndësishme është ta vësh veten në vendin e nxënësit para se ta gjykosh ose ta penalizosh atë me notë apo me qëndrim të rreptë.
Një ushtrim i tillë si sociodrama ose i ngjashëm me atë, vlen sidomos për edukatorët e nivelit parashkollor, sepse, siç e nënvizonte në vitin 1970, psikologu amerikan Fitzhugh Dodson, gjithçka vendoset para moshës gjashtë vjeç.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 147
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.