Psikofakt

February 5, 2019 | 8:10

Nga Edmond Tupja / Përsiatje për miqësinë

Sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), miqësia është një “ndjenjë dashamirëse ndërmjet njerëzve pa lidhje gjaku, që mbështetet në besimin dhe në nderimin e ndërsjellë, në qëllime e në ideale të përbashkëta”, ndërsa sipas Fjalorit “Le Petit Robert” të gjuhës frënge (Paris, 2011), ajo është “një ndjenjë e ndërsjellë dhembshurie ose simpatie që nuk mbështetet as në lidhjet e gjakut, as në tërheqjen seksuale”; edhe te disa fjalorë gjuhësh të tjera (anglisht e italisht) gjejmë gjithmonë, në përkufizimin e fjalës “miqësi”, termat “ndjenjë, i/e ndërsjellë, midis, harmoni, vlerësim, dhembshuri, simpati”, por jo të gjithë këta njëkohësisht as detyrimisht për çdo fjalor të secilës gjuhë.

Edmond Tupja

Edmond Tupja

Nga ana tjetër – dhe këtë e hasim te çdo popull e në çdo periudhë të historisë së tij –, e kundërta e miqësisë, që lidh apo bashkon dy individë apo dy grupe individësh, është armiqësia, që përçan e ndan; rrjedhimisht, e para, pra miqësia, afron, e dyta, pra armiqësia, largon, e para zbut, e dyta egërson, e para lumturon, e dyta tmerron.

Në jetën e përditshme, na mësojnë psikologët, sekreti i miqësisë, qëndron kryesisht tek “empatia”, që lind me njeriun, por që mund të venitet, madje edhe të zhduket, nëse nuk kultivohet e mbahet gjallë së pari nga familja e, mandej, nga shoqëria. Tek empatia shartohen e zhvillohen edhe faktorë pozitivë që bashkojnë dy individë si, për shembull, sinqeriteti dhe besa.

Gjithsesi, analiza e konceptit “miqësi”, sado racionale qoftë, nuk e zbërthen plotësisht atë, diçka i shpëton, pra, çdo qasjeje racionale të dukurisë “miqësi”: në vende të ndryshme, qytetërime të ndryshme, epoka të ndryshme, madje, edhe gjuhë të ndryshme, nuk gjen dot përkufizime absolutisht të njëjta të fjalës, pra edhe të konceptit “miqësi”, siç sapo u përmend më lart.

Ndoshta për t’iu qasur sadopak më shumë anës së mistershme të konceptit “miqësi”, kësaj “ane të fshehtë të hënës”, do të ishte me vend t’i referoheshim filozofit francez Montaigne të shekullit XVI, i cili, në veprën e tij madhore “Les Essais” (Sprovat), më saktë në vëllimin e parë (libri 1, kreu XXVIII), trajton temën e miqësisë duke analizuar miqësinë që e lidhte me La Boétie-në, ku, ndër të tjera nënvizon: “Nëse më shtyjnë të shpjegoj përse e doja atë, e ndiej që mund të jap vetëm këtë përgjigje: ‘Sepse ishte ai, sepse isha unë’”.

Çka na lë të kuptojmë se miqësia, si ndjenjë, nuk është diçka që shtrohet, zbërthehet e zgjidhet si një ekuacion, se ajo ka diçka që të kujton kiminë, pra është një reaksion që ruan gjithnjë, qoftë edhe pjesërisht, të fshehtën e vet dhe, në këtë drejtim, ajo ngjan me dashurinë, ngaqë, kur na pyesin përse dashurojmë dikë dhe jo një tjetër, ne përgjigjemi: “Sepse atë dua dhe pikë!”, përgjigje kjo që të kujton atë të Montaigne-it. Sidoqoftë, miqësia e vërtetë ndryshon nga dashuria po aq e vërtetë, siç e pohon La Bruyère, një tjetër filozof francez i shekullit XVIII, kur shkruan se “Me kalimin e kohës, miqësia nis e forcohet, kurse dashuria vjen e dobësohet”.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top