Patjetër që mirënjohja jo vetëm si koncept, por edhe si mënyrë të sjelluri, është virtyt dhe në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) ajo shpjegohet si “ndjenjë nderimi ndaj dikujt që na ka bërë një të mirë”, ndërsa “Le Petit Robert”, një ndër fjalorët e gjuhës frënge, e përkufizon atë si një “ndjenjë që të shtyn ta përjetosh thellë një të mirë që të kanë bërë, të mos e harrosh atë dhe të ndihesh borxhli ndaj bamirësit”.
Historikisht, mirënjohja është konsideruar si njëri prej elementeve themelore të edukatës qytetare, kurse e kundërta e saj, pra, mosmirënjohja, vlerësohet si mungesë karakteri, prandaj Vauvenargues-u, filozof francez i shekullit XVIII, nënvizonte se “mosmirënjohja më e neveritshme është ajo e fëmijëve ndaj prindërve të tyre”. Sigurisht, që binomi mirënjohje/mosmirënjohje ka ekzistuar e ekziston gjithashtu në shoqërinë shqiptare dhe shpesh përdoret si kriter vlerësimi për të dalluar njeriun pozitiv nga ai negativ.
Ky binom është i pranishëm, për shembull, jo vetëm në marrëdhëniet midis prindërve e fëmijëve, por edhe tek ato midis vëllezërve ose motrave, midis shokëve, midis kolegëve etj. Në gjuhën shqipe gjen fjalë e shprehje, të cilat, stigmatizojnë fuqishëm mosmirënjohësit, për shembull, mosmirënjohësit ne i themi edhe bukëshkalë, bukëshkelës apo bukëpërmbys, shpërnjohës, kujtesëshkurtër ose i pakujtueshëm, madje e karakterizojmë atë me shprehjet “ha bukën e përmbys kupën” dhe “kalova lumin dhe të dh…. kalin”, ndër të tjera.
Mirëpo, nga ana tjetër, si çdo gjë me të cilën teprohet, të shprehurit e mirënjohjes atij që na ka bërë një të mirë a një nder të madh kur ky person nis e kërkon që ne t’ia shprehim mirënjohjen sa herë që e takojmë, aq sa bëhet i padurueshëm, atëherë, pra, mirënjohja, dashur pa dashur, merr një goditje dhe rrezikon të kthehet në bezdi, mandej në stres; këtë e ilustron më së miri një histori e vjetër që të moshuarit me siguri e kanë dëgjuar dhe që, ndoshta, ua kanë treguar më të rinjve: Dikur, një burrë plak udhëtonte buzë një lumi, kur, papritmas, qielli u mbush me re të dendura dhe filloi një rrebesh i paparë; ngaqë s’kishte as gunë, as mushama dhe as çadër, plaku do të lagej deri në palcë sikur aty pranë të mos takonte një djalë që kishte një çadër të madhe dhe që e thirri për të vazhduar rrugën së bashku.
Me të pushuar rrebeshi, bamirësi zuri t’i thoshte orë e çast tjetrit: “E sheh, sikur të mos isha unë, do të ishe bërë qull i tëri, do të ishe sëmurë dhe, largqoftë, do të kishe vdekur”. Burri plak e falënderonte sa herë që bamirësi ia kujtonte nderin që i kishte bërë, por erdhi një moment që ky i fundit u bë vërtet i padurueshëm, kështu që ai, burri plak, u hodh me vetëdije në një gropë plot me ujë buzë lumit, pastaj, me të dalë që andej kokë e këmbë i lagur, iu kthye bamirësit dhe e pyeti duke e parë drejt e në sy: “A thua se do të isha lagur më shumë se kaq po të mos më kishe marrë nën çadrën tënde?”. Kjo histori ilustron më së miri mendimin e Rousseau-it, filozof francez i shekullit XVIII, sipas të cilit “Mirënjohja është vërtet një detyrë që duhet kryer, por jo një e drejtë që mund ta kërkosh me këmbëngulje”.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 139
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.