Psikofakt

June 26, 2018 | 10:34

Nga Edmond Tupja / Prindër e fëmijë

Meqenëse familja me fëmijë, qoftë ajo edhe njëprindërore, ende konsiderohet, në parim, si qeliza bazë e shoqërisë, marrëdhëniet prind/ër-fëmijë zënë një vend të veçantë e shumë të rëndësishëm në gjirin e saj. Prej shumë e shumë kohësh, problemi këtyre marrëdhënieve ka qenë dhe mbetet subjekt i studimeve në kuadrin e psikologjisë sociale dhe, sidomos, në hapësirën e dinamikës së grupit, pjesë përbërëse e kësaj psikologjie.

Edmond Tupja

Edmond Tupja

Çdo prind kureshtar mund t’i drejtohet internetit e të mësojë, për shembull, se dinamika e grupit përmbledh tërësinë e dukurive, hallkave e proceseve psikike e sociologjike që shfaqen e zhvillohen në gjirin e grupeve të vogla shoqërore, të quajtura grupe të kufizuara, me katër deri në rreth njëzet individë gjatë veprimtarive të tyre të përbashkëta. Rrjedhimisht, një familje me tre a katër pjesëtarë mund të konsiderohet me të drejtë si një grup i kufizuar dhe dinamika e grupit interesohet për natyrën e funksionimin e saj, si edhe për pasojat që rrjedhin prej atyre.

Me evoluimin e familjes patriarkale dhe shndërrimin e saj në familje bashkëkohore falë emancipimit shoqëror, arsimimit dhe, njëkohësisht, zhvillimit kulturor, në epokën tonë, të paktën në qytetet e mëdha, po kalohet nga familja me një kryetar apo shef – deri dje burri, pra, babai i fëmijëve, që impononte autoritetin e tij të padiskutueshëm –, në familjen e demokratizuar, ku shenjë dalluese është dialogu midis prindërve, pra, midis burrit e gruas, në marrjen e vendimeve lidhur, ndër të tjera, edhe me fëmijët; madje, kur këta të fundit arrijnë në moshë madhore, prindërit kanë nisur të skicojnë me ata njëfarë dialogu herë të ndrojtur dhe herë të suksesshëm.

Gjithsesi, në kushtet shoqërore të një vendi ende me popullsi fshatare të konsiderueshme, siç është rasti i Shqipërisë, prindërit, sado të ditur, të informuar e të emancipuar qofshin, nuk duhet të harrojnë se dialogu midis atyre dhe fëmijëve duhet zhvilluar pa rënë pre e ndonjë tendence moderniste që synon të djegë etapat e edukimit duke mos mbajtur parasysh faktin që, gjithsesi, ata janë prindër dhe se, si të tillë, kanë më shumë përvojë se fëmijët e tyre, adoleshentë apo të rinj qofshin këta, por të parrahur me jetën, dhe se, falë kësaj përvoje dhe falë, gjithashtu, dashurisë së arsyeshme për fëmijët, ata duhet t’i orientojnë këta drejt e me durim përmes dialogut dhe vetëm atij në hapat që do të hedhin tash e tutje.

Për ta konkretizuar këtë shqetësim, le të marrim si shembull prirjen e jo pak prindërve “modernë” që thonë me krenari: “Unë vajzën e kam si shoqe” ose “Unë djalin e kam si shok”; në këtë rast, mendimi ynë është se prindi, pavarësisht frymës së dialogut dhe metodës së bindjes përmes arsyetimit në marrëdhëniet me fëmijën, nuk mund të jetë njëkohësisht edhe shok, jo, ai është prind dhe i tillë do të mbetet deri sa fëmija të rritet e të ndërgjegjësohet për përgjegjësitë që e presin e që duhet të marrë kur të dalë në jetë e të krijojë edhe ai familje.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top