Psikofakt

February 22, 2018 | 14:25

Nga Edmond Tupja / Rroftë arratia!

Po troket vera në dyert e qyteteve të mëdha, por të ndotura, vera me vapën e vrazhdë dhe freskinë e kursyer, po troket ajo, dhe shumica e njerëzve, por mjerisht jo të gjithë ata që janë lodhur, sfilitur, rropatur e robtuar tërë vitin, mezi presin të shkojnë e të pushojnë diku, sa më larg aq më mirë e aq më bukur, për t’u arratisur larg rrëmujës, trafikut të ngarkuar, smogut, streseve gërryese të grumbulluara prej një viti të ngarkuar me halle të hallakatura,brenga të bezdisshme e telashe trullosëse.

Rroftë arratia! thërrasin, klithin, ulërijnë së brendshme skllevërit e punës, pra, edhe të parasë, në pritje të largimit përkohësisht shpëtimtar në një hapësirë tjetër ku edhe ajri të shijon ndryshe.

Rroftë arratia për sadopak mirëqenie moskokëçarëse, për pak antirutinë e thyerje kornizash konformiste: çohu herët, lahu, vishu, ha diçka, ik me vrap në punë, puno si robot, ktheu në shtëpi, merru me familjen, grindu me bashkëshortin a bashkëshorten, me fëmijët (me të madhin apo të madhen sidomos), me të vjetrit gjithashtu!

Rroftë arratia! Harro për disa ditë apo, në rastin më të mirë, për disa javë, gurin e pamëshirshëm të Sizifit që ti e ke shtyrë, e shtyn e do ta shtysh tatëpjetë deri sa të vdesësh!

Rroftë arratia në plazh buzë detit apo në rrafshnaltë majë malit, atje ku syri yt deri dje i burgosur brenda betonit të përbindshëm urban, përshkon lirshëm hapësirën e pafund të lirisë më të përkohshme, pra, më të çmuar, të jetës sate me dallgë, që, për disa ditë apo disa javë, shijon atë që italianët, popull po aq mesdhetar e qejfli sa shqiptarët, e quajnë il dolce farniente; atje ku veshët, që ende të buçasin nga zhurmat cingëritëse urbane, rifillojnë të dallojnë edhe tingujt më të butë e të brishtë të natyrës mikpritëse, madje të kapin edhe tingullin e heshtjes së saj këndellëse; atje ku ti arrin të nuhatësh aromat e thjeshta, por freskuese të bimëve më anonime, por më të pafajshme; atje ku ti merr frymë thellë, ngop e përtërin sadopak mushkëritë dhe shpirtin e mpirë a të mpakur nga mospërfillja, qesëndia ose smira e tjetrit, qoftë ky njeri i afërm apo mik i largët, koleg vartës apo epror, fqinj i sotëm apo i dikurshëm!

Rroftë arratia falë cilës, gjatë dy ditëve të para të pushimeve, t’i zbraz dhe pastron shpirtin e, rrjedhimisht trupin, nga energjitë negative të grumbulluara edhe pa vetëdije gjatë një vitit të tërë përpjekjesh nganjëherë edhe të dëshpëruara për të mbijetuar duke shmangur trauma, të cilat, edhe kur fashiten, lënë gjurmë të pashlyeshme që rrezikojnë të kushtëzojnë deri diku të ardhmen tënde!

Rroftë arratia, nga e cila, sidoqoftë, mund e duhet të përfitosh për të zbuluar a mësuar diçka të re nga të ngjashmit e tu të panjohur rreth e rrotull për të pasuruar sado modestisht botën tënde të brendshme e për të zgjeruar sadopak horizontin tënd kulturor, duke kërkuar e gjetur ndoshta pak mirëkuptim, solidaritet dhe empati tek tjetri, por edhe duke ia shpërblyer atij në të njëjtën mënyrë!

Rroftë arratia!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top