Faktori psikologjik luan një rol të rëndësishëm në vendimet që individi merr gjatë jetës së tij në familje, profesion e shoqëri. Njëri prej këtyre faktorëve është edhe vetëbesimi, e thënë ndryshe besimi te vetvetja, te forcat e saj për ta zbatuar me sukses vendimin e marrë. Sigurisht që ky vetëbesim është para së gjithash racional.
Ai mbështetet te një analizë objektive e mundësive që ka individi për të realizuar këtë apo atë projekt, por ai mund të ketë edhe një përmasë subjektive, që është në funksion të temperamentit apo më saktë, të ndjeshmërisë së këtij individi. Kështu, për shembull, dy individë mund të kenë të njëjtat mundësi të realizojnë një projekt – zgjuarsi, aftësi profesionale dhe ndershmëri intelektuale, por njëri syresh është, si natyrë më këmbëngulës së tjetri, më pak emotiv e më manovrues, çka e bën atë të ketë më besim te vetja dhe, rrjedhimisht, të arrijë qëllimin e tij.
Tjetri, ai më pak këmbëngulës, më emotiv e më i drejtpërdrejtë, madje gati naiv, me gjithë besimin te vetvetja, rrezikon të dalë i humbur. Këtë e dëshmon pareshtur jeta familjare, profesionale dhe shoqërore e njeriut në të gjitha vendet dhe kohët. Ja një shembull nga jeta e L.T.-së, vëllait të një mikut tim të ngushtë: Ai kishte mbaruar studimet e larta me rezultate të shkëlqyera, kishte gjetur një punë shumë të mirë, ndërkohë që merrej gjithashtu me shkrime e përkthime dhe kishte krijuar një familje me baza të shëndetshme.
Por, mjerisht, një ditë prej ditësh, ai u sëmur rëndë me tumor në kokë, në thellësi të trurit ku, sipas mjekëve vendas e të huaj, çdo ndërhyrje kirurgjikale ishte e pamundur dhe, pavarësisht trajtimeve të tjera që mund të ndiqte, L.T.-së nuk i mbeteshin veçse gjashtë muaj jetë.
Atëherë, me një vetëbesim të plotë se do t’ia dilte të shërohej, duke shpalosur gjithë dashurinë e tij për jetën, L.T. iu fut studimit të asaj fushe të mjekësisë që përfshinte tumoret malinje si ai që kishte vetë, ndoqi kurat e rekomanduara nga literatura mjekësore më e përparuar e kohës dhe, befas, ndodhi mrekullia: ai e kapërceu pragun e gjashtëmujorit fatal, e shtyu me vite duke bërë një jetë normale me familjarët, kolegët e shokët, aq sa mjekët e huaj, para këtij realiteti të pabesueshëm që i përgënjeshtroi parashikimet e tyre, pohuan se ishin gati t’i flaknin në koshin e plehrave diplomat dhe titujt e tyre shkencorë.
Fatkeqësisht, di plot raste kur individë të tjerë, që e kanë lëshuar veten para sëmundjes, ia kanë shkurtuar vetes edhe më shumë ditët e tyre. Shembuj si i mësipërmi ka shumë, por ka po aq shembuj, në mos më tepër, që provojnë se mungesa e vetëbesimit është fatale në raste të tilla dhe pikërisht për këtë arsye mjekët e vënë theksin te vetëbesimi si faktor psikologjik që luan një rol të rëndësishëm jo vetëm në fushën e shëndetit, por edhe në ato të promovimit profesional e të kërkimit shkencor, si edhe në kapërcimin e vështirësive e të streseve që jeta, sidomos në vendin tonë, u shkakton individëve e familjeve me shumicë e thuajse pa ndërprerje.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.