“Mendja na bën të ndihemi të pasur apo të varfër”. “Ne jemi çfarë mendojmë në pjesën më të madhe të kohës”. “Mendimet tona bëhen gjëra”. Këto dhe shumë shprehje të tilla të autorëve të ndryshëm tregojnë për fuqinë që kanë mendimet, e mbi të gjitha, mendimi pozitiv.
Kurrsesi nuk duhet të mendojmë se këto janë fjalë boshe. Nëse ndaleni dhe vëzhgoni me vëmendje jetën tuaj apo të miqve, do të kuptoni se vërtet mendimet bëjnë diferencën. Është mendimi, qëllimi apo vizioni i gjithsecilit që përcakton fatin e njeriut. Vini re sesi ata njerëz të cilët mendojnë negativisht, nuk kanë besim në vete, nuk besojnë në Zot apo në univers. Nuk besojnë se ata meritojnë t’u ndodhin gjëra të mira. Realisht atyre nuk u ndodhin gjëra të bukura në jetën e tyre, sepse ligji i tërheqjes funksionon gjithnjë te çdokush.
E keni vënë re kur dëshironi diçka me gjithë zemër? Ajo aspiratë e juaja realizohet, sepse ju i jepni energji, besoni dhe prisni që ajo t’ju ndodhë. Dhe realisht, ju e tërhiqni çdo të mirë me anë të ligjit më të fuqishëm, që është ligji i tërheqjes. Asgjë nuk ndodh rastësisht. Ne e kërkojmë atë me anë të mendimeve dhe lutjeve tona. Ne tërheqim dhe gjërat negative, sikurse apo pozitive. Por si? Vetëm duke menduar për të keqen. Duke pasur frikë, duke u lutur që të mos na ndodhë p.sh. një aksident, një dështim në punë etj. ne në fakt po e tërheqim atë sepse po mendojmë tërë kohës. Universi merr çdo porosi që ne i transmetojmë dhe nuk e ka perceptimin e asaj që ne nuk e duam, sepse ne duhet të punojmë më mirë me mendimet tona. Duhet të lutemi për atë që duam të arrijmë e të jemi mirënjohës për çfarë kemi dhe jo të ankohemi për çfarë nuk kemi apo për ato gjëra që shkojnë keq në jetën tonë.
Ne tërheqim në jetën tonë çdo gjë të mirë apo të keqe. Ne e kemi në dorë timonin e jetës sonë e mund t’i japim asaj drejtimin e duhur dhe që paraqet të mira për jetën tonë. Ndrysho mendimet e tua.
Ndrysho jetën tënde. Duke menduar vetëm pozitivisht dhe duke tërhequr vetëm të mira rreth vetes.
“Nëse shikon se çfarë ke në jetë, gjithmonë do të kesh më tepër. Nëse shikon se çfarë nuk ke, kurrë nuk do të kesh mjaftueshëm”.
Oprah Winfrey
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.