Në fokus

February 15, 2019 | 8:10

Nga Elis Buba / Dalldia në një shoqëri ku Shën Valentini festohet me sy të nxirë

 

Më kënaqin pa masë këto reagimet e indinjuara të eksponentëve të shoqërisë civile karshi dhunës në përgjithësi dhe asaj fatale të ushtruar ndaj femrave së fundmi! E trajtojnë këtë dukuri kaq në mënyrë të izoluar nga pjesa tjetër e absurditetit të përditshëm sa më vjen të qesh me lot.

Elis Buba

Nga Elis Buba

Pikë së pari për ata që lodhen apo përtojnë të lexojnë shkrime të gjata, sepse kanë punë të tjera, do hedh thelbin për tu kuptuar që tani në rreshtat e parë dhe mund të vijoni me like-t e bythëve dhe gjokseve.

Siç e kam theksuar edhe në shkrime të tjera me tematikë sociale, boshti në të cilin rrotullohet globi, jeta njerëzore, është i përbërë nga tre elemente të gërshetuar mes tyre në një shufër solide dhe masive. Tre elementet janë, seksi, paraja dhe pushteti.

Meshkujt luftojnë me të tjerët dhe bëjnë beteja të përgjakshme edhe me veten deri sa të mbërrijnë tek mirëqenia, paraja dhe pushteti, në mënyrë që të kenë akses më të sigurt tek seksi, ndërsa femrat në krahun tjetër, në një përqindje të lartë bëjnë një luftë vetëmohuese duke e përdorur marrëdhënien seksuale si trampolinë për tek paraja dhe pushteti.

Sigurisht mes këtyre dy rasteve të skajshme ka edhe meritokraci, punë dhe sakrifica, por le të flasim si të rritur. Në shoqërinë e sotme globaliste ku leverdia është kryefjala në të katërta anët e horizontit të kujtdo, ata që diskutojnë për vlera, norma, pa marrë parasysh, kosto, standarde, benefite dhe turnover, nuk merren askund seriozisht shumë gjatë.

Tani të kthehemi në realitetin tonë të vogël dhe të vendosim jo vetëm pikat mbi i, por edhe ç-të e ë-të që i harrojnë gjithnjë.

Dhuna ndaj femrave nuk vjen si tipar gjenetik te mashkulli shqiptar. Është mungesa e pjekurisë dhe mentaliteti i mykur, plus i madh dhe gjendja ekonomike, që bëjnë kërdinë gjerësisht në familjet shqiptare. Burri e ka për turp të ndahet nga një grua edhe pse nuk shkojnë mirë. Ai gjen si zgjidhje ta sundojë me dhunë atë që e quan territor të tijin dhe nuk ndahet. Kjo është një sindromë e qartë e një sëmundje mendorë që quhet posesivitet. Femrat e kanë gjithashtu dhe plotë herë u kushton marrëdhëniet e tyre.

Duhet shumë civilizim që të funksionojë një marredhënie dhe të ruaj bukurinë e saj deri në ditën e fundit. Sigurisht ju zonjusha që flisni me një zell të jashtëzakonshëm kundër dhunës ndaj grave, vetë nuk jeni dhunuar kurrë, pasi nuk vihet në dyshim se poziciononi logjikën sa herë që ngrini një problematikë ose një argument me partnerin. Por jo kushdo e ka këtë aftësi të vyer.

Aq më tepër në ato marrëdhënie ku stiset e trillohet gjithçka e bazuar dhe mbështetur jo tek njeriu që do, por tek njeriu që të duhet. Ekonomia është e rëndësishme, por mbi të gjitha shëndeti. Dhe ai mendor nuk duhet të nëpërkëmbet kurrë. Por ja që ka plot femra që nuk pyesin kaq thellë.

Duke e pasur të qartë se partneri aktual nuk ka potencial financiar, që ajo të arrijë synimet e saj të paracaktuara, nuk është çudi që femra të shoh tek ajo që ka mes shalëve valutën më të vyer për të realizuar aspiratat. Nuk flas për ju që nderin e keni yll në ball, flas konkretisht për ato që Tiranën e lënë pa gjumë ditë e natë. Asnjë nga femrat, që ka ndjekur një kurs normal në jetë, është edukuar në familje, në shkollë dhe tashmë është e zonja e vetes, nuk e lejon veten të dhunohet, sepse di të thotë mjaft.

Të tjerat qajnë ditë e natë, jo shumë nga dashuria se sa nga humbja e sigurisë dhe burimit të të ardhurave që u sigurojnë në jetë mjaft komode. Pasi e vetmja gjë që kanë investuar në atë marrëdhënie, është jo trupi e shpirti, por vetëm të pasmet e tyre. Është investimi ideal nëse e mendon! Dhe sigurisht që kur e humbet, nuk i gëlltit dot lotët.

Në një kulturë me burim kryesisht televiziv, kur mesazhet përcillen trashë dhunshëm e drejtpërdrejtë nga imazhet e të hollave cash, që shpalosen në videoklipe këngësh, bashkë me femrat seksi dhe makinat e shtrenjta, çfarë pret sinqerisht?!

Mileti fejsbukjan, e instagramas, bëjnë sikur janë të gjithë spiritualistë, jo të dhunshëm, të komunikueshëm, të pastër, të ndershëm. Kur hedhin të zezat mbi të bardhë harrojnë arrogancën e cinizmin në zyrat e tyre, në vendin e punës. Bullizmin dhe rrogën që u tregojnë orë e çast, sikur po i mbajnë me bukë eprorët e jo puna që kryejnë për këta eprorë.

Në instanca nga më të ndryshmet lartë e poshtë do mund të shohësh fytyrën e vërtetë të femrave dhe meshkujve, të njerëzve që gjatë ditës çirren me ofshama dhe në darkë, pas një gote verë, bëjnë moral për paqe, mirësi e harmoni.

Në këtë cep të Europës, mbushur vetëm me super të pasur dhe super të varfër, ka një arsye shumë konkrete pse nuk bëhemi pjesë e Bashkimit Europian. Sepse nuk ka demokraci. Sepse vota jonë, burra e gra bashkë është e shitur dhe e blerë. Kur nuk ka demokraci de facto, pse duhet të çuditemi për të tjera shtazëri që janë thjesht bishta të kësaj mënxyre.

Pse duhet të çuditemi? Në një shoqëri ku dhunshëm ecën para kudo, sa e çuditshme është dhuna në familje?

Në një vend ku femrat në masë të gjerë marrin vetëm ujë e bukë nga prindërit, deri ditën kur më në fund shkojnë te burri, mos prisni perla të qytetarisë. Kur një 30 vjeçare beqare e quajnë të mbetur në derë në shoqëri e në familjen e saj, mos bëni kryqin nëse ajo e detyruar, shkon e krijon një familje të pashëndetshme.

Kur një emision mëngjesi si Aldo Morning Show, nga zbavitës shndërrohet në zyrë martesash me shkuesi, kuptohet qartë se ka diçka serioze që nuk shkon me këtë shoqëri.

Aty ku vetëm disave nga ne u ka rastisur në jetën e përditshme të shohin një burrë a grua të rritur që shfleton një libër, është e qartë se kultura në vend është zënë kaps. Kjo duket qartë edhe në komunikimin mes njerëzve. Edhe në mënyrën se si shkruhen në rrjetet sociale.

Kur shqiptarët minimalisht nuk mund të shkruajnë saktë gjuhën e tyre, pse pretendojmë në formatin më iluziv të vetes se mund të krijojnë një familje brenda normave. Ne si shoqëri duhet të fillojmë të mësojmë t’i trajtojmë çështjet si të rritur. Për ç’do pasojë ka një shkak dhe kjo është matematike e saktë dhe e pakundërshtueshme.

Opinionet mbi familjen nga ata që nuk kanë ndërtuar ende një familje të tyren, nuk bëjnë dy lekë. Gjithçka që vihet në diskutim sot, nuk mund të pillet nga parimet dhe ato ç’ka sheh në televizor, revista e libra. Po nuk të rrahu zemra vetë, e po nuk të përvëloi loti në faqe, bëj luftë me veten që të heshtësh e të fashitësh dëshirën për protagonizëm dhe vëmendje. Mos jep mend, të gjithë kanë të tyret!

Kijeni të qartë ju partizanë të fjalës, moralit, harmonisë dhe ju që rrini e hani në shtëpi bukë me dashuri, se në një vend ku shumëçka shkon mbrapsht, nuk mund të pretendohet që pikërisht në familje, ku e gjithë pesha dhe frustrimi i pushtetit qartësisht totalitar bie, të shkojë gjithçka mbarë. Njerëzit nuk kanë bukë në gojë e brek në bythë. Pra biologjikisht e kimikisht brenda tyre ka reaksione të njëpasnjëshme dhe spazma, që shtohen sa nga kafeja e përditshme edhe nga rakia e përnatshme.

Të dashura femra dhe ju meshkuj që iu dhimbset realisht familja e më tej shoqëria. Lëreni për një moment penën therëse e thumbuese dhe mos bëni asgjë përveç punës me veten. Përmirësoni sa të mundni veten. Përmirësoni me anë të komunikimit me aq sa mundeni shoqen, shokun në krah. Përcillni tek tjetri ndjesi reale. Edukoni vlerën e vërtetë të dashurisë në një marrëdhënie. Mësoni të gjeni njeriun që doni e jo që iu duhet.

Kur gjithsekush sheh punën e vet dhe përmirëson dita-ditës veten, atëherë edhe harmonia e përparimi edhe në familje e shoqëri nuk është larg.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top