Në fokus

December 11, 2018 | 13:13

Nga Elis Buba / Përse shtëpitë publike do mund të sjellin një revolucion psikosocial në këtë vend?!

E di është e rëndë për një kategori njerëzish, që tema të tilla i konceptojnë si turpe dhe ata të pas 2000-shit, si tabu, por është një fakt që ndoshta do konkretizohet shumë më shpejt seç mund të mendojmë. Legalizimi i shtëpive publike, i prostitucionit, do mund të liberalizojë mendërisht njerëzit, pasi janë ngurtësuar masivisht, duke e varur jetën e tyre në disa marrëdhënie toksikë, që vandalizojnë dhe uliganëzojnë integritetin personal.

Elis Buba

Elis Buba

Nuk dua t’i bie shumë gjatë në këtë temë, duke qenë se shumëkush prej jush ende e percepton si turp dhe përqindja më dërrmuese nuk është se kanë ndonjë dëshirë për të lexuar gjatë. Edhe pse në këtë pikë ka vërtetë kilometra fjalë për t’u thënë.

Meqenëse përgjithësisht si meshkujt dhe femrat e kanë pozicionuar tashmë veten në mënyrë të papërgjegjshme, në të dy anët e tezgës së pazarit të vjetër, pra meshkujt blerës dhe femrat shitëse, është e mira që të mos përkunden themelet e vetvetes me lojëra që kushtojnë jetën.

Pikë së pari kam një respekt në nivele të papërshkrueshme për ata njerëz që, larg çfarëdolloj paragjykimi preferojnë të ikin tre a katër ditë në perëndim a lindje dhe të shijojnë atë nevojë fiziologjikë të cilën kanë të doemosshme ta përmbushin, diku me ndonjë zanatçie, se sa ata që konsumojnë tre a katër muaj, për të mos thënë vite, duke gënjyer mbi të gjitha veten e më pas të tjerët për një marrëdhënie që në thelb ka prostitucionin.

Lejomëni të jem me konkret në këtë pikë. Në ditën e sotme, viti thuajse 2019, varfëria në vendin tonë, është në nivele alarmante. Por turpi nga kjo varfëri është edhe më alarmant dhe komplekset që kjo varfëri krijon janë ende për t’u kategorizuar nga ustallarë më të mirë e më të ngeshëm se unë.

Dyndja e një numri të madh të rinjsh në kryeqytet, me dëshirë dhe bindje të paskrupullt se do e gjejnë një mënyrë a një tjetër, për t’iu bashkëngjitur definitivisht metropolit, është faktor dominant në dinamikën e shumçkaje në këtë vend.

Çfarë kërkojnë ndërsjelltazi?

Nëse sot do pyesim një mashkull çfarë kërkon nga një femër, do qorrollepset me llafe dhe nuk do të dijë të përgjigjet. Shumica e shqiptarëve do japin përgjigjen shabllon, “e dua në qese”, që nënkupton e dua të virgjër. Por kjo nuk është askund afër treguesit të ndershmërisë dhe besnikërinë që kjo kërkesë synon.

Pjesa tjetër do përmbyten nga saliva e tyre duke kërkuar të formulojnë ndonjë ide më konçize mbi atë që duan nga femrat. Sigurisht gjithçka vërtitet rreth shablloneve mbi seksin, familjaritetin, sensualitetin dhe hiçkëla pa sens, që nuk shprehin asgjë nga femra, sa i takon asaj që ajo përfaqëson në jetën e mashkullit në afate të gjata.

Nëse pyesim femrat, dhe siç i kam pyetur unë në këto 34 vite, rrallë shqiptar mund t’i ketë pyetur, se çfarë duan nga një mashkull do fillojnë me shabllonet dhe do mbarojnë tek tabela e shumëzimit. E dua të gjatë, te bukur, të bëshëm, të sinqertë dhe të më ofrojë siguri. Fokusohuni tek kjo e fundit pasi është me rëndësi kardinale.

Nëse i rikthehemi edhe një herë meshkujve, për të patur një ekspoze të asaj çfarë vërtetë kërkojnë femrat, zëshëm dhe jo zëshëm, në fillimet e sendërtimit të një marrëdhënieje me një mashkull, përgjigjet do jenë një bashkësi kallupësh me të njëjtën përmbajtje.

Makinë, shtëpi, para!

Dhe nëse përdorim fare pak matematikë, e gjithë kjo bashkësi me tre elemente në dukje, mund të thjeshtohet në një bashkësi me një element.

Para, para, para!

I admiroj me gjithë qenien time gjithë femrat që janë përtej shitblerjes së vetes, të mirave të tyre shpirtërore dhe të mirave të tyre fizike, në këmbim të disa letrave, vlerën e të cilave mundesh patjetër ta përftosh edhe nëse tek personi përball kërkon forcë karakter, dinjitet, besnikëri, pjekuri e të tjera, si këto që për shumëkënd janë vetëm gjepura, por përbëjnë atë që karakterizon jetën tuaj, pas kapërcimit të të famshmes fazë të mjaltit dhe depërtimin në fazën e asaj fjalës tjetër që fillon me M.

Pra në një mënyrë a në një tjetër, një person është i përshtatshëm për një femër, për aq kohë sa ai garanton siguri, nëpërmjet të ardhurave. Në këtë pikë pra ai i plotëson të gjitha kushtet. Por sakaq lind pyetja, në krahun e kundër, çfarë plotëson partnerja që kërkon këtë siguri pragmatiste? Ka portret të bukur, trup të bukur, gjoks, vithe dhe shalë të bukura, por sa prej femrave me të cilat vetë kjo femër shoqërohet i ka këto cilësi? Për të mos folur pastaj për një rreth më të gjerë.

Sa nga të lartpërmendurat femra duan ta dinë me doemos nga vijnë paratë që sjell partneri? Vetëm përqindja më e kulluar, ndërsa të tjerat e lënë shpirtin të kompromentohet sepse synojnë vetëm rehatllëkun dhe një mirëqenie që nuk buron prej tyre, por nga to thjesht pretendohet me një aktrim sa lozonjar edhe kurvëresk.

Kësisoj vetë femrat inkurajojnë krimin në këtë vend, sepse duan të jetojnë si princesha. Çfarë është ky lloj termi princeshë, që përmbyt rrjetet sociale e u vihet në ballë femrave që ngrohin vendin nga mëngjesi në darkë, e shërbejnë si objekt dëshire. Madje ka plot syresh që ngrenë zërin pro feminizmit. Gallatë dhe patetizëm dorë për dore.

Nuk mund ta mbyll pa radhitur këtu tre nga historitë që më shtynë të artikulloj këtë shkrim. Këto histori më kanë shkundur nga themelet e vetëdijes dhe më duhet t’i ndaj në publik për një ndërgjegjësim qytetar që ngrihet si detyrim për të pasqyruar kudo.

Tre raste konkrete dhe flagrante:

Së pari më bëri përshtypje një bisedë e vogël dhe fshatareske, mes një mikut tim dhe një femre që rastisi në tryeze me ne. Theksoj bisedë e vogël dhe fshatareske e kësisoj me tre elemente shumë të rrezikshme, për kë nuk i dallon. Pragmatizëm, dinakëri dhe interes. Bukuroshja si me patëkeq filloi thuajse menjëherë të pyes djalin në fjalë, me pyetje konçize dhe të drejtpërdrejta, mirëfilli hetuese, se ku e kishte mbaruar shkollën dhe për çfarë, ku punonte dhe prej sa kohësh, ku jetonte dhe a e zotëronte banesën ku jetonte dhe sigurisht a kishte automjet…

Mënyra më vulgare dhe banale për të shfaqur interes tek një mashkull i qytetëruar është t’i kërkosh CV-në që herën e parë që e sheh.

Së dyti, më rastisi në një ambient të bisedoj me një baba krenar pse kishte fejuar e martuar të bijën në Angli me një “boss droge” siç e karakterizonte ai. U njohën në facebook më tha, folën një muaj, vajza e pa që ishte djalë i mirë, ai i dërgoi 500 paund dhe më pas një iphone 7, i fundit asokohe dhe më pas erdhi për ta kërkuar në shtëpi gjatë verës. Sakaq që unë mendoja me drithërim se sa lirë kushton sot një bijë për të atin, ai rrihte gjoksin, se edhe pse dhëndri ishte 12 vjet më i madh se e bija dhe kishte edhe një fëmijë nga një martesë e mëparshme, ishte djalë shumë i zoti dhe njeri i shkëlqyer.

Së treti në rrjedhë të këtyre historive shqiptare si tek tregu i gabelëve, më rastisi që teksa shprehja habinë me dikë, për historinë e lartpërmendur, të më tregonte një tjetër ngjarje që ma hodhi nofullën në tokë nga habia.

Një profesionist shqiptar, absolut në zanatin e tij të nderuar me shumë mund në një nga vendet më të zhvilluara të Europës perëndimore, kishte një defekt të vetëm, që i kushtoi sigurisht jo pak. Fanatizmi i provincës e kishte shtyrë të refuzonte marrëdhëniet serioze me femra të cilat nuk janë të virgjëra. Shumë shqiptar e lidhin virtytin me virgjërinë dhe ky është një parim i mykur arkaik që shkatërron shumë jetë.

Ai vendosi të kërkonte dorën e një vajze shqiptare që nuk kishte bërë kurrë seks në jetën e saj. U martuan pa një e pa dy, pasi zotëria plotësonte treshen e kushteve të lartpërmendura dhe zonja e re përfitoi menjëherë pasaportën e vendit ku bashkëshorti i saj jetonte.

Pas më pak se një viti, çifti ndahet sepse vajza kishte kuriozitet për meshkuj të tjerë dhe kishte gjetur një të dashur e tashmë kishte braktisur burrin. Drama shtyhet më tej për faktin se marrëdhënia e re e kësaj vajze kishte sjellë një shtatzëni, por të padëshiruar nga partneri i ri, i cili nuk hezitoi shumë për të braktisur gruan shtatzënë, mbetur “mes katër rrugëve”.

Në rrafsh personal nënkuptoja pas këtyre ngjarjeve, se nuk isha i vetëdijshëm se në ç’periudhë kohore jetojmë. Ndihem i humbur në kohë.

Përse shtëpitë publike janë një revolucion në mentalitetin shqiptar? Sepse kësisoj shoqëria do shpëtojë njëherë e mirë nga individë të një natyre parazitare, që nuk kanë ëndrra të tyret, por preferojnë të bëhen pjesë e aspiratave të dikujt tjetër thjesht për t’i rënë shkurt rrugës për në mirëqenie.

Kam dëgjuar për aq shumë dasma mijëra euroshe, që kanë shpënë gratë nga altari në trotuarin me drita të kuqe, për të vetmin fakt se kanë parë paranë e asgjë tjetër te partneri, sa nuk më bëhet të mendoj me seriozitet për njerzëllëkun e kësaj specie.

Nuk kam asfare ndërmend të bëj moralistin për askënd. Për mua sa më shumë vetë do mund ta pësojnë, aq më mirë është, sepse pa pësuar askund nuk mëson kurrë dhe rrezikon të edukosh së prapthi edhe fëmijët.

Ajo që duhet të shërbejë si vath në vesh, mes plot vëtheve që mund të jenë bërë gardh në veshët e kujtdo, është një mesazh i thjeshtë.

Varfëria prodhon monstra, mbingopja perversitete.

Kijeni parasysh herën tjetër kur të shihni me jargët zvarrë një makinë luksoze. Brenda mund të ketë një pervers që në qenien tuaj sheh thjesht mish.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top