“La donna è un firmamento ma se un uomo non sa leggerle dentro, vede solo la notte.” Qe shkruar sot në profilin e një prej poeteve më cilësore që unë kam lexuar, Alda Merini.
Falë Zotit është poezi dhe përveç frymëzimit dhe ngritjes së qenies në një nivel tjetër të vetëdijes filozofike, përcjell edhe një gjendje shpirtërore të rënduar, të Aldës. Të njëjtën gjendje shpirtërore që e gjejmë në shumë prej poezive të saj.
Ajo që dua të vë në dukje dhe që më shqetëson në mënyrë të veçantë, janë ato duartrokitjet e padukshme e të dukshme, që e shoqërojnë menjëherë këtë varg, nga thuajse të gjitha femrat dhe një pjesë e kalamendur e meshkujve. Është art, kuptohet dhe si i tillë ka shumë nuanca dhe vello pas vellosh, që fshehin një seri të gjatë ndjesish dhe momentesh, por e përcjellë në mendjet eklektante të vitit 2019-të e përtej kësaj, publikuar në një profil aktiv të poetes së ndjerë, krijon më së shumti përshtypjen e një propagande feministe se sa e një copëze poezi.
Zhveshur nga konteksti i poezisë ku është shkruar, këto fjalë, nuk bëjnë më shumë se sa karshillëk feminist, duke goditur meshkujt. Mashkullin injorant që nuk di të lexojë në misteret e pafundme të një femre. Si përkthehen, misteret e pafundme të një femre të zakonshme në vitin 2019? Pasi duhet kuptuar se jo të gjitha femrat janë Alda Merini, dhe kanë plot nënshtresa vetëdije që të lënë pa frymë.
Misteret e pafundme të një femre të zakonshme sot, janë ato gjëra që kjo femër nuk të rrëfen. Pra se sa e zonja është kjo femër të fshehë të gjithë zhulin që i ka përshkruar trupin, deri sa ka ardhur para një mashkulli që është princi i kaltër për momentin. Pra të dish të fshehësh fakte, karakterin, fytyrat e dyta e të treta, për një femër është të jesh misterioze, ndërsa për një mashkull është maskarallëk.
Një mashkull që ka pasur të njëjtat histori dashurie me ty, në mos më pak, nuk vlen sepse është kurvar. Dhe sigurisht që kategoria e kurvarëve vetëm tek një gjë e kanë mendjen. Ndaj edhe nuk duhen besuar. Nuk është ky thjesht një paragjykim, por një rroveshatë në paragjykim përgjatë një logjike absurde. Nuk e di se sa logjike është të mendosh feminizmin si një mjet luftarak kundër burrave. Të dashura femra të mençura, iu drejtohem ju dhe kujtdo që kupton. Nëse ka diçka të cilës feminizmi i bën rezistencë, nuk janë burrat, por maskilizmi.
Burrat janë miqtë e grave, partnerët, bashkë qeshim, kënaqemi, pijmë, jetojmë, punojmë, gatuajmë, flemë ose bëjmë dashuri. Meshkujt i adhurojnë femrat. Luftojnë dhe japin jetën për familjen, nënat e fëmijët. Ku është sensi i feminizmit parashtruar luftarakisht si maskilizëm?! Pse ka kaq shumë punë voluminoze të kryer në të dy fushat, edhe pas kaq shumë vitesh represion. Femra është një yjësi thotë Merini, por ka meshkuj që nuk lexojnë tek ajo veç natë.
Ky është asgjë veç art. Femra sigurisht që nuk është yjësi, Alda Merini ndoshta po, por përbën përjashtim. Siç përbëjnë përjashtim plot e plotë femra të tjera ekzemplare në personalitetin e vet të spikatur. Ajo që dua të them është se mbi të gjitha jemi njerëz. Vetëm gjinia na ndan mes nesh dhe nuk ka pengesa që nuk do mund t’i kapërcenim nëse do bashkëpunonim. Vetëm gjinia na ndan. Nëse lejojmë që një pëllëmbë mish më shumë a më pak të definojë personalitetin dhe sjelljen mes njëri-tjetrit, atëherë po e shndërrojmë feminizmin në maskilizmin e ri.
Ka plot femra që dëgjojnë dy llafe këtu e dy atje, dhe deklarohen feministe. Jemi femra thonë dhe kanë frikë nga fjala grua. Eja vajza… thonë dhe kanë frikë nga fjala gra. Por një feministe e vërtetë e kupton se sa mund, lot, gjak dhe djersë mban emri grua, nga i cili sot shumë femra fshihen.
Merini në poezi ka derdhur frustrimin e vet. Për aq sa duket në fotot e saj, nuk ka qenë saktësisht një peri. Dhe sigurisht që meshkujt sipërfaqësor kanë nevojë për stimuj të fantazisë përpos fjalimeve perla. Por Alda ishte Alda dhe lexohet qartë që është zhgënjyer, e më pas është zhgënjyer prapë ndoshta e prapë e prapë, sepse në zemrën e saj ka mbizotëruar si vlerë krahasimore dashuria e saj e vërtetë. Ai mashkull të cilin ajo dëshironte kaq shumë të lëndonte, duke shkuar me meshkuj të tjerë. Kush e lexon me mendje të kthjellët duhet të kuptojë se gjithsecili prej nesh, meshkuj, femra, gra, burra, ka një nivel shpirtëror i cili funksionon dhe është më preciz, i ndershëm dhe i sinqertë se rrafshi mishtor.
Dhe nëse rikthehemi të flasim si të rritur, femrat kanë një pushtet absolut. Femra ka “po”-në dhe “jo”-në si epërsi në një marrëdhënie. Lufta e brendshme e femrës, nuk është me mashkullin, por me femrat e tjera. Është saktësisht kështu. Me mijëra femra, sidomos këtu në Shqipëri, nëse humbasin aftësitë e tyre joshëse dhe tunduese humbasin mundësinë e një jete më të mirë, humbasin mundësinë e pretendentëve dhe pretendimeve.
Është e gjitha një luftë për pushtet ndaj mashkullit, që në këtë rast është thjesht trofe për më të mirën, më të bukurën, më seksin etj. Dhe çfarë bën shkenca për t’u ardhur në ndihmë këtyre femrave që duan të jenë “Forever 21”? Përpos buzëkuqit, make-upit, rimelit, qerpikëve, korseve etj., gjëra të jashtme, shpik buzë fallco, faqe fallco, flokë fallco, gjoks fallco, të pasme fallco.
Loja e vërtetë është “Më do, s’më do”, e gjithnjë varet se sa për tu dashur je vërtetë. Sepse plot femra fatkeqësisht jetojnë në flluskën, ku mbizotëron ideja se në një marrëdhënie seksi, vetëm femra jep të sajën, ndërsa prania dhe dhënia e mashkullit, merret për e mirëqenë, ndaj mashkulli duhet ta shoqërojë këtë dhënie të tijën fizike, me dhurata e dorovitje. Krahas kësaj, ka me qindra femra që i përdorin rrjetet sociale eksluzivisht për të ekspozuar bythët dhe gjoksin. Dhe një mashkull i çfarëdoshëm duhet ta lexojë gjithë yjësinë që ajo femër është në rrafshin e saj “të pafundmë” shpirtëror, në një përshkrim gjysmak të kësaj fotoje, e që nuk buron as nga mendja e saj. “Just do it”.
Kujtojmë se edhe Alda Merini ka foto artistike e zhveshur, por vargjet që shoqëronin këto foto, nuk janë thjesht slogane firmash sportive.
Për të përmbledhur gjithë idenë time në një paragraf, do të thoja se nëse kjo botë do të nxinte në vetvete një krijuese gjeniale si Alda Merini, por me paraqitjen e Sofia Loren, atëherë të gjithë, gra e burra do mahniteshin, do ndjenin ndryshimin e vërtetë cilësor që sjell kjo yjësi e palexueshme nga burrat që janë të gjithë injorantë. Por Sofia Loren nuk ka shkruar kurrë poezi. Dhe të gjithë e dinë pse, por ka ardhur dita t’ia pohojnë vetes. Bota është ndërtuar kështu. Mjaft e lënduam veten për gjera të cilat nuk janë në dorën tonë për t’u ndryshuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.