Pika referimi

January 16, 2017 | 8:50

Nga Eljan Tanini: Infantil në qytet

Kaloj çdo ditë në kufizimet e qytetit tim. Çdo rrugë ka më pak një vilë bohemiane, që zhduket gati përditë nga gardianët që mbajnë çelësat e kufizimit. Ndoshta nuk jemi edhe aq të kafazuar në këtë qytet me shumë dhe pak ngjyra, ku të kundërtat ribashkëjetojnë. Sot që jam disi më ndryshe se ish-i im, kthehem shpesh në atë moshë të parë e do të ishte mirë që shumë ta bënin këtë.

Nga Eljan Tanini

Nga Eljan Tanini

Ka qeveritarë të këqinj apo qytetarë të këqinj? Ndoshta qytetarë, se nuk dinë të zgjedhin, ndoshta qeveritarë, se janë ende të paaftë të zgjidhin… Dhe janë qeveritarët të parët që duhen kthyer në fëmijë me bukë, gjalpë e domate. Qyteti im i ngjan paksa një nënokeje të mbushur me florinj e tualet rokoko ose një plakaruqi mbushur plot argjend, florinj barok dhe rokoko. Me tavolina të lara me ar dhe të shtruara me mermer. Duket sikur qyteti im nuk ka pasur fare stil, sikur nuk ka jetuar fare në asnjë kohë. Nuk e di se në ç’moshë ngjan qyteti im, sepse shumë pak atje-këtu ka disa nuanca moshe të hershme me flokë të bardhë. Për të mos ta zgjatur shumë, qyteti im ngjan vetëm me një moshë, me atë të betonit. Herë është si një nuse me vello të bardhë, herë, aty-këtu, për të treguar veçantinë, i hedhin disa ngjyra. Nga sajimi i tyre del art(!?) Ndokund shtrojnë edhe ndonjë pllakë të kuqe, për ta bërë më vonë zhurmë në politikë. Ende nuk e di përse sillen me qytetin tim sikur të jetë një transvestit! Nëse rrugës asgjë nuk është e bukur, atëherë është faji i natyrës; nëse natyra e ka bërë çdo gjë të bukur, atëherë do t’i duhet njeriut ta ndërtojë, dhe nëse njeriu ndërton, por po aq sa ndërton prish, atëherë faji i mbetet kombit të njeriut. Në këtë mospërpjestim imazhi shfaqet edhe një harmoni e pakultivuar mirë në rrugët tona.

Sa herë që sheh një ndërtesë të bukur (s’e kam fjalën për ato me xhama dhe beton, por për natyrën urbane që karakterizon traditën në kohën e saj kur ishte ende foshnjë) më bën shpesh të mendoj: “Pse edhe vendi im nuk ka një arkitekturë si e gjithë Europa!?”. Po aq, më bën të dyshoj edhe te vullneti për ta bërë këtë… Te ne, tradita merr fund gjithmonë, aty ku fillon e reja. Nëse e ke shtëpinë në kat të parë, është fat i madh. Po e njëjta ndodh edhe nëse ke një bodrum me pamje nga rruga kryesore. Po këto të dyja nuk janë asgjë para fatrënieve të tjera si këto… Për shembull: të kesh shtëpinë në kat të fundit e të bësh një shtesë më të lartë, të kesh një vilë të vjetër e të bukur, t’i bjerë gjoja zjarri apo të bësh një pallat idiot të stërmadh. Sepse Tirana, në pamje të parë, duket sikur ka lindur dje, një qytet pa identitet dhe pa kulturë. Sado traditë të bukur të ketë në veshje edhe në të ngrënë, në pamje të parë, kur vjen si turist, çdo gjë të duket shumë e pakët. Duket sikur ajo është krijuar vetëm në kohën e njeriut socialist dhe asgjë më parë.

Trishtueshëm, por si Tirana janë edhe shumë qytete të tjera. Na mungon shumë një shpirt tradite neobaroku, me të cilin filluam të krijonim në fillim të viteve 1915. Dritareve të imazhit në fasadat tona, dritareve të imazhit qytetar u mungon më shumë një traditë e tillë, e cila na bën të ndryshëm nga Europa, por të njëjtë me hiçin. Dritares së fasadës (gjë që shpreh imazhin qytetar) i mungon bordura e rëndë me një parmak që e kufizon rëndshëm. Shkurt, nuk dimë të kujdesemi për imazhin. Nëse vilat e vogla me traditë mesdhetare u rrafshuan rëndshëm nga sitemi komunist, po të njëjtën gjë do të bënte edhe demokracia e pas viteve 2000, duke shkatërruar një pjesë të tyre për pallate makutërie. Sepse ligji nuk di ta ruajë, sepse qytetari nuk e do një gjë të tillë, sepse qytetarit mendjengushtë gjithmonë e më shumë i intereson të zërë hapësirën e tjetrit, mundësisht edhe ajrin e dritën. E patëm shansin në dorë, që pas viteve ’90 të ndërtonim ndërtesa neobaroku, njësoj si ato të gjyshërve tanë. (Një arsye më shumë se përse ata burra me frak ishin më afër mendimit europian). Se po e bëri këtë, punë e madhe, se kjo është pronë e shtetit dhe e një tjetri. Ne jemi njerëz me shije të munguar. Aq shumë joharmoni ka në rrugët tona, sa ajo që sheh të mërzit imazhin. Po pse jemi kaq injorantë që të mos kujdesemi për imazhin qytetar? Se e kemi traditë që nga “njeriu i ri socialist” për të ndërtuar gjoja të renë.

Mua si turist, nuk më intereson çfarë bukurish ke në vendin tënd, mjafton të shoh kryeqytetin dhe qendrën e tij e do të kuptoj se çfarë pasurie ke. Se nuk më interesojnë rregullsitë, por gjërat më të çrregullta, ato duhen fotografuar. Prandaj turistët kur i pyet për vendin tonë, përgjigjen me një “NICE”, sa për të thënë, se nuk kanë se çfarë të shohin a thonë…

Nëse sistemi i njeriut socialist do të dinte të ndërtonte një zili për t’u parë, atëherë shumë mirë do të linte të paprekur çdo gjë në Tiranën sa orientale aq aristokrate me oborre lulesh dhe do të ndërtonte diku tjetër, me po këtë sistem që ka bërë edhe sot, pra që Tirana të hapej më gjerë. Nëse unë shikoj vila të pabukura, atëherë kjo ka të bëjë me mendimin e kohës. Edhe nëse qytetari nuk di ta ruajë imazhin e tij të parë, qoftë edhe për mburrje në të tilla shtëpi, të cilat jam duke i cituar, atëherë ai nuk do të dijë kurrë të mësojë bohemin, as romancën as edhe atë pak klasike të pagjetur kurrë më parë. Kur do vijë dita, që qytetarit shqiptar ligji t’i vërë gjobë? Se ka ndryshuar ballkonin, se ka prishur fasadën, se grilën e ka vënë ndryshe nga të tjerët, se kangjellat e oborrit i ka lyer ndryshe nga fqinjët? Shpirti i popullit duket qartë në arkitekturë…

Botuar në revistë “Psikologjia”

Nr. 99

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top