Në fokus

July 11, 2017 | 9:20

Nga Elona Lici/ Në “dukurinë” Gjergji vërtetohet roli rikuperues i muzikës si terapi

Fakulteti i Muzikës, promotor për integrimin e individëve me aftësi ndryshe.

 

Nga Eliona Lici Specializuar në Terapinë e muzikës për individë me nevoja speciale

Nga Eliona Lici
Specializuar në terapinë e muzikës për individë me nevoja speciale

Në datë 3 Qershor të këtij viti, në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve nën drejtimin e dirigjentit Altin Buli dhe përkujdesjes së Dekanit të Fakultetit të Muzikës Prof.Dr. Isak Shehu ndodhi një ngjarje e veçantë muzikore. Në koncertin e Ansamblit të harqeve me pjesëmarrjen  e solistëve Fatmira Keta pianiste, Estelina Styla këngëtare ishte i ftuar special edhe Gjergji Lani me Sindromën Down. Muzikantët në veçanti dhe rrethi artistik në përgjithësi prej kohësh ia njihnin dëshirën e dirizhimit të shprehur pothuajse në çdo koncert. Por në këtë natë, atij iu ofrua mundësia të ngjitej si një dirigjent i vërtetë në skenë, që në mënyrë  fare spontane dhe të çiltër shpalosi gjithë energjinë pozitive të tij, duke krijuar një atmosferë elektrizuese dhe drithëruese në sallë. Duhet sqaruar se me orkestrën kishte punuar dirigjenti Altin Buli, i cili jo vetëm e mirëpriti propozimin, por me sensibilitetin më të lartë njerëzor bëri gjithë publikimin e mundshëm, që nga përkujdesi simbolik i posterit, deri në transmetimin live të koncerit.

2

Emërtimi domethënës që ai i bëri këtij koncerti, MUZIKA MЁ SHPЁTOI JETЁN është sinjifikativ i disa thënieve të Gjergjit: muzika është jeta ime, nuk jetoj dot pa Koncerte etj.

Motivimi i dirigjentit  shprehur me shumë dashuri mundi të eliminojë edhe stepjen e parë të Gjergjit si një dukuri e rritjes së vetëdijes ndaj përgjegjësisë, për të kaluar nga dirizhimi në kënde të ndryshme të sallës drejt e në skenë.

Ëndrra dhe pasioni i Gjergjit në këtë natë u bë realitet. Qëndrimi i tij me personalitetet që prej momentit të daljes dhe performancës në skenë, ngjante me atë të artistit të vërtetë. Lind pyetja, nga i buronte kjo siguri, kjo ndjeshmëri e thellë muzikore, kjo aftësi e plastikës dirizhoriale në ndjekjen e çdo detaji muzikor të Uverturës së operas “Dasma e Figaros” Moxart, që u pasqyrua jo vetëm në mbajtjen saktë të ritmit, në energjinë e shprehur të lëvizjeve, por për habinë e të gjithëve dhe në qëndrimin ndaj nuancave dinamike dhe agogjike të veprës.

Padyshim përgjigjen e këtyre pyetjeve e gjejmë jo vetëm në talentin muzikor, që përgjithësisht e shoqëron këtë sindromë, por në kujdesin e vazhdueshëm të nënës së tij për kultivimin dhe zhvillimin e shijeve të tij ndaj së bukurës. Ditë më parë nuk  mund të harroj fjalët e znj.Dema, njeriu me shumë role në jetën e Gjergjit dhe njëkohësisht profesoresha në Fakultetin e Muzikës, e cila e shihte me skepticizëm këtë nismë, për faktin se qëllimi i këtij koncerti mund të shërbente pozitivisht apo negativisht në jetën e Gjergjit. “Suksesi apo frenimi” ndahej nga një fije peri, nëse do ta rriste në sytë e publikut ose e kundërta.

Megjithatë djali me Sindromën Down u ngjit në skenë plot personalitet, mendim dhe artistizëm, duke menaxhuar bukur ndjesitë shpirtërore të harmonizuara me ato tingëllore. Si sfidë me vetveten dhe si dukuri e veçantë, por tani më një fakt “Gjergji fitoi” dhe nga duartrokitjet me ovacione të publikut, ai qëndronte i lumtur plot hare, duke e dashur skenën përtej minutazhit të parashikuar dhe duke pritur të realizojë “protokollin” koncertal për Bizz si dukuri e artistëve që dhurojnë emocion të spikatur. I gjithë qëndrimi i tij ishte ai i njeriut të mësuar me disiplinën artistike-skenike, me ndjekjen logjike të reagimit psikologjik të publikut gjatë koncertit, përgjatë 30 vjetëve të frekuentimit të jetës koncertore. Fakt ky që eliminoi përjashtimin, e bëri atë të ndihet i rëndësishëm, dhe mbi të gjitha tejkaloi kufizimet e sindromës, duke e vendosur veten të barabartë mes të barabartëve.

“Dukuria” Gjergji vërtetoi dhe përforcoi rëndësinë që Dalcoreze i jepte efektit të padyshimtë që kishte ritmi i muzikës mbi fizikun. Sipas tij, rëndësia e veçantë e marrëdhënies që  krijohej përmes muzikës dhe lëvizjes si një shprehje e unifikuar e ndjesive, shpirtërore, emocioneve mendimeve dhe trupit të njeriut, pasqyronte në tërësinë e saj, të ndërgjegjshmen dhe të pandërgjegjshmen.

Nga Instituti Gjerman i Terapisë Muzikore (Deutsche Geselleschaft fὕr Musiktherapie),  Muzikoterapia përcaktohet si aplikim i qëllimtë i muzikës në kontekstin e një terapie, për të rikuperuar dhe për të mirëmbajtur shëndetin mendor dhe shpirtëror. Muzikoterapia është praktikisht e orientuar si një degë shkencore, e cila lidhet ngushtësisht me degë të ndryshme të shkencës, të psikologjisë, të mjekësisë, të muzikologjisë dhe të pedagogjisë muzikore. Muzikoterapia është një koncept, që përmbledh perceptime të ndryshme terapish muzikore, të cilat karakterizohen si psikoterapi, në ndryshim nga terapia farmaceutike ose terapia fizike. (Deutsche Gesellz fὕr Musiktherapie te Goll 1993:210)

 

Instituti Amerikan i Muzikoterapisë National Assocation for Music Therapy NAMT 1987 shprehet:

Muzikoterapi është një përdorim i specializuar i muzikës në shërbim të individëve me nevoja e probleme në shëndetin mendor, shëndetin fizik, trajnim, rehabilitim dhe arsim special. I rëndësishëm është organizimi i vendeve të punës, orientimi i individëve ose grupeve pa dallim moshe.

Nëse në shoqëritë e kulturuara, terapia e muzikës është vlerësuar si institucion mirëfilli që në fillim të shek. XX, në shoqërinë tonë sapo ka filluar të lakohet spontanisht nga individë, ndërsa kujdesi institucional i terapisë muzikore ndaj individëve në nevojë nuk ekziston.

“Dukuria” Gjergji  mund të shërbejë si një shembull mjaft domethënës për ndërgjegjësimin e politikëbërësve ndaj kësaj metode efikase terapeutike. 

Duke u nisur nga fakti se, Metodat e Muzikoterapisë grupohen në dy kategori bazë: Muzikoterapi bifunksionale (interaktive) e cila mbështetet në improvizimin muzikor dhe në muzikoterapinë (receptive) perceptuese në të cilën përdoren praktikat dëgjimore konkludojmë se te Gjergji ndërhyrja ka qenë ndërmjet dy rrugëve, e para ka qenë nxitja dhe transmetimi i ndjesive ndërmjet muzikës së dëgjuar, ndërsa e dyta, faktori muzikë më motivon duke më mbushur me ndjesi të bukura shpirtërore, rikuperon dhe stabilizon impresionet e brendshme.

Shpresojmë shumë që ky koncert të përvijohet me aktivitete të tjera integruese pasi nevoja dhe domosdoshmëria për t’u ndier i barabartë mes të babartëve për kënaqësi shpirtërore dhe përkujdesje mendore të këtij komuniteti mbetet një sfidë për të rritur sado pak cilësinë e jetës së tyre. Në këtë rast muzika presupozohet si një komponent parësor për komunikim njohje dhe perceptim.

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top