Nga Elvi Sidheri
Nuk po flas për organin e shijes, atë që na ndihmon të mbllaçisim ushqime, për të puthur në mënyrë frëngjeze apo edhe për t’u tallur me gjindjen duke e nxjerrë gjuhën jashtë shpotitshëm.
Jo, kam parasysh gjuhën që flasim, gjuhën tonë mëmë, “gluhën” në termat e dikurshme etimologjike të shqipes apo arbërishtes arkaike, atë që na bashkon dhe përmes të cilës rrjedhimisht edhe quhemi “shqiptarë”.
Gjuha është mjeti i vetëm, ose të paktën ndër të vetmit realisht të këtillë që gëzon fuqinë unike të përbashkueshmërisë së shqiptarëve, kombësi që historikisht ka ditur të ndahet, shpërndahet e hapërdahet, por që vështirë që është pjekur, mpleksur e ka ditur të bashkohet ndonjëherë “me të mirë”, pa qenë e nxitur, e shtyrë apo e detyruar nga ngjarjet, rrethanat apo nga ndonjë dorë bashkonjëse e llojit të Gjergj Kastriotit dhe askujt tjetër nën një flamur, lidhje e qëllim të vetëm.
Gjuha pra, është arma jonë më e pandalshme, gjuha na identifikon (gjaku është një nocion thuajse ezoterik, sepse në fund të fundit, tërë gjindja botërore gjakun të kuq e kanë gjer në provë të kundërt, dhe termat “gjak shqiptari”, “gjak blu”, etj, thjesht shërbejnë poetikisht për të lartësuar ndjesinë e fisnikërimit të kombësisë apo rangut social të ndokujt apo shumëkujt).
Kështu që, dëmi ndaj gjuhës shqipe në rastin tonë specifik si shqiptarë, popull e komb gjithësesi i kërcënuar nga rrudhja demografike, nga humbja e identitetit kombëtar nëpër valët e globalizimit unikulturor nën trendet e anglishtes së internetit dhe tregtisë globale, përbën pra, një dëm të pariparueshëm në të shumtën e rasteve për mirëqenien dhe vijimësinë e sigurt të ekzistencës së gjuhës shqipe dhe identitetin e bazuar në këtë gjuhë të popullit që e flet atë si gjuhë mëmë në kaq shtete e rajone shpesh krejt të ndryshme kulturalisht njëri nga tjetri.
Shqipja përcaktohet dhe shenjohet nga shqiptarët, por gjithaq, edhe më shumë përcaktohen e shenjohen thellësisht dhe thelbësisht vetë shqiptarët nga gjuha e tyre.
Sepse shqiptarë pa gjuhën shqipe nuk mund të ketë, është gjuha jonë që na ka bërë t’u mbijetojmë andrallave të historisë pak bujare kundrejt nesh.
Është gjuha që i diti t’i bëjë ballë hordhive (jo vetëm luftarake e rrënuese fizikisht) turke, që shkrumbuan e shndërruan në hi gjithçka nëpër trojet shqiptare, duke nisur nga banorët arbërorë, te trashëgimia kulturore e thuajse edhe gjuhësore përgjatë thuajse pesë shekujve zgjedhë osmane në tokat shqiptare.
Shqipja, flamuri Kastriotas me shqipen dykrenare në të, qenë arsyet e rizgjimit kombëtar (të vonë) shqiptar, me alfabetin, abetaren, këngët patriotike, duke rrokur armët nën thirrjet ngjethëse kombëtare të shprehura në shqip, mëmëdhetarët dolën maleve e luftuan me shumëkënd në emër të ringjalljes së kombit shqiptar nga rrënojat dhe hiri i të shkuarës së tij të përhumbur nëpër mjegullat e historisë së kaluar përdhunshëm nën vargonjtë e disa shekujve turko-osmane.
Shqipja mundi t’i tejkalojë ndasitë kulturore, rajonale, e mbi të gjitha fetare të shqiptarëve, duke u identifikuar të gjithë me “bukën e ujin” e shqiptuar në gjuhën tonë, para Krishtit e Muhamedit të feve që praktikonim dhe jo rastësisht shteti ynë kombëtar u quajt Shqipëri, shteti i shqiptarëve dhe gjuhës shqipe.
Sot ndërkohë, rrojmë në një kohë tjetër, kohë lirie, Europe moderne që akoma mëton të bashkohet nën ideale e frymëzime pan-europianiste sipas parimeve të bashkëjetesës së njerëzve dhe kombeve të lira të këtij kontinenti.
Është një kohë kur gjuha jonë do të duhej të harlisej, të shpërthente edhe tej kufijve gjuhësore e kulturore të ambientit shqiptar, kur do të nevojitej që ajo të merrte vlerësimin, studimet dhe hulumtimet e duhura e të merituar për vjetërsinë e saj tashmë të faktuar, si gjuhë e lashtë e folur në një vijimësi tejet të gjatë historike në këto troje, si degë më vete e familjes së madhe të gjuhëve indoeuropiane, me lidhje të faktuara me krejt gjuhët e tjera antike e fisnike të kontinentit dhe rajonit tonë, nga greqishtja e vjetër, te latinishtja dhe gjuha e dakëve të dikurshëm, për të arritur gjer në Azinë e Vogël para-helene e sigurisht edhe para-turke.
Por, në vend që të flasim, kuvendojmë e diskutojmë për këto gjëra kaq të vyera, gjuhën tonë e regjim, bastardojmë, fyejmë, (për)dhunojmë, dërrmojmë, vrasim përditë nga pak, e vobektësojmë në fjalor dhe tjetërsojmë gjithmonë e më tepër me një fjalor të përditshëm që kushedi nuk i kalon më as 300 fjalët, duke dëshmuar një varfëri intelektuale në nivel kombëtar për të shkulur flokët nga marazi.
Është një tragjedi i përditshme që sa vjen e përsëritet, duke nisur nga shtypi i shkruar që ndien pandalur mungesën e redaktorëve të zotë e tejet të rreptë, e që vijon në mënyrë të neveritshme sidomos në mediat vizive, ku gjuha gazetareske kufizohet në një fjalor edhe më të ngushtë se 300 fjalëshi i gjindjes masive, dhe ku spikasin margaritarë injorance dhe analfabetizmi funksional që do të bënin të rrotulloheshin në varr etërit e gjuhës shqipe nga Naim Frashëri te Gjergj Fishta e tërë pjesëtarët e Kongresit të Manastirit.
Shqipen po e vrasim përditë nga pak, po ia marrim asaj shpirtin në mënyrë tinëzare, duke u bërë jehonë rajonalizmave gjysmake gjuhësore, pasqyrimeve gjuhësore dhunuese ndaj mirëqenies së gjuhës sonë të gjuhëve fqinje apo atyre më të rëndësishme në rang global, duke përkthyer “mot a mot” (tekstualisht) gjithçka nga gjuhët e tjera, duke e rrënuar kështu krejtësisht sistemin dhe ngrehinën burimore gjuhësore mbi të cilën frymon shqipja qysh nga nata e kohëve.
Nuk është nevoja që gjuhën ta recitojmë papagallshëm, ta këndojmë atë plot lavde e pathos patetik nëpër festa abetaresh, përvjetore Kongresi të Manastirit apo Mësonjtoreje të Korçës, për 28 nëntor apo ndonjë festë tjetër me nuanca patriotike.
Gjuhën nevojitet ta respektojmë kur atë e flasim në përditshmëri, qoftë edhe në lirinë tonë njerëzore për të kultivuar e përdorur dialektet e çdo qyteti apo rajoni shqiptar kudoqoftë që të ndodhet ai.
Dialektet janë bijtë dhe etërit e mëmat e gjuhës sonë unike letrare shqipe, gjuha jonë pa to do të ishte veç e mangët, pasi do t’i mungonin mishi e kockat që përbëjnë qenësinë e saj të plotë.
Por këtë gjuhë të lartësuar dhe unifikuar në nivel letrar, nevojitet ta shikojmë si themelin kryesor ku mbështetet qenësia më e vyer e të qenët shqiptar, arritja jonë më e madhe historike, që na bën të krahasohemi me francezët e Rusoit, Hygosë e Bodëlerit, italianët e Dantes e Leopardit, anglezët e Shekspirit, spanjollët e Servantesit, portugezët e Luís Vaz de Camões, gjermanët e Gëtes, e gjithkënd tjetër kulturalisht.
Nuk kemi nevojë të bëjmë siç tregohet për Maqedoninë e viteve 40 të shekullit të kaluar, kur duan të thonë se bullgarët gjobitnin këdo që e fliste dialektin maqedonas të gjuhës bullgare me fjalë apo ndikime serbe (pas dominimit thuajse 30 vjeçar serb mbi rajonin në fjalë, nga 1912 në 1940, në emërtimin Južna Srbija/Serbia e Jugut).
Thonë se pas gjobës, nëse përsëritej gabimi, shkelësi i rregullave gjuhësore, rrihej me kamzhik!!!
Po aq edhe romakët e lashtë, më tepër fyheshin e acaroheshin nga mosnjohja e saktë e gjuhës latine, sesa nga antagonizmi anti-romak i popujve të nënshtruar prej tyre (për ata që e njohin, në filmin e Monty Python “Life of Brian”, rebelët hebrenj në Jude, kapen gafil nga legjionarët romakë tek po shkruanin në mur “Romakë kthehuni në atdheun tuaj” në mënyrë të pasaktë gjuhësore. Dhe romakët kur i kapin, i detyrojnë ta rishkruajnë 100 herë frazën në mënyrën e duhur “Romani ite domum”, nga “Romanes eunt domus” siç hebrenjët e kishin shkruar gabim, duke i ndëshkuar ata pikësëpari për gabimin gramatikor, më shumë se për kuptimin e frazës përkatëse armiqësore ndaj pranisë së tyre në tokën e hebrenjve).
Kjo skenë komike nga një ndër filmat më sarkastikë të Monty Python, sidoqoftë shërben si indikator për të treguar edhe arsyet se përse kultura latine e Perandorisë Romake u përhap me aq shpejtësi, u ngulit në të katër këndet e dominimit romak anekënd Mesdheut dhe la rrënjë aq të fuqishme, sa ç’janë sot gjuhët neo-latine si italishtja, frëngjishtja, spanjishtja, portugalishtja e rumanishtja, përveç ndikimeve të thella edhe në gjuhët e tjera, nga anglishtja e gjer te shqipja, vjetërsia e të cilës vërtetohet edhe nga huazimet e lashta latine të mbetur qysh nga koha e sundimit romak në trojet ilire.
Nuk kemi nevojë as për legjislacione të rrepta si ai francez (sidomos kundër anglicizmave) apo edhe për shembullin katalan brendapërbrenda Spanjës që ka ditur të rrezatojë gjuhësisht rreth 500 milionë spanjishtfolës nëpër botë, ku në mes të Barcelonës, mosrespektimi i gjuhës vendase katalane, dënohet me ligj, edhe përkundër spanjishtes zytare në nivel shtetëror.
Neve na takon thjesht që gjuhën shqipe ta duam, ta respektojmë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.