Në fokus

April 8, 2019 | 11:45

Nga Enida N. Bozheku / Neuropsikologjia forense (Ligjore): Gërshetimi mes së drejtës dhe procedurës penale & hulumtimit teknik-ekspertues

Në shkencat juridike, sidomos në atë të fushës të së drejtës dhe procedurës penale, një rol të jashtëzakonshëm në ndihmë të procesit penal dhe caktimit të dënimit, luan ekspertimi, i përcaktuar në nenin 178 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo formë e zhvillimit kërkimor i marrjes së të dhënave dhe dhënies së vlerësimeve me karakter shkencor, ku njohuritë e ekspertit duhet të jenë të profilizuara dhe të karakterizuara nga një shkallë e lartë teknicizmash specifikë që lidhen me objekt ekspertimin, vitet e fundit ka gjetur një zhvillim të paprecedent, kryesisht në fushën e neurpsikologjisë forense (juridike).

Nga Av.Ph.D. Enida N. Bozheku, Juriste

Nga Av.Ph.D. Enida N. Bozheku, Juriste

Nga ana penale, kjo degë ka zhvilluar një qasje përdorimi ndihmëse efikase në fushën e eskpertimit, pasi me metoda shkencore, profesionale – teknike – metodologjike, i përgjigjet me rigorozitet empirik, pyetjeve dhe problemeve që kanë natyrë juridike. P.sh: Gjykata do të dijë nëse personi i pandehur ka zotësi juridike për të vepruar, pra lëshuar prokurën avokatit mbrojtës, ka aftësi për të vepruar në ndërgjegje të plotë dhe vullnet, pra ka aftësi të plotë mendore, e cila nuk paraqet turbullime psikike apo neuropsikike.

Roli që kryen Neuropsikologjia forense (ligjore), përmban në vetvete njohuri teknike që lidhen si me fushën e neurologjisë, psikiatrisë ashtu dhe psikologjisë, ku individët që i përkasin kësaj kategorie kanë një përgatitje akademike multifunksionale, me qëllim dhënien e përgjigjeve që kryesisht, operatorët e drejtësisë si gjykatës, prokurorë dhe avokatë, i kërkojnë të japë në vlerësimin mbi subjektet, objekt të çështjes në shqyrtim. Një nga aspektet më të rëndësishme të ekspertizave të dhëna nga neuropsikologët forens (ligjorë) në fushën penale lidhet me vlerësimin e papërgjegjshmërisë dhe kufijtë e saj, në aspektin neuro-konjitiv.

Qëllimi i neuropsikologjisë forense (ligjore) është parimisht i ngjashëm me atë të neuropsikologjisë në kuptim të gjerë, pasi metodologjia e kërkimit, teknikat hetimore dhe aplikimi i protokolleve është i ngjashëm, ndryshimi ndodh në momentin e qëllimit kërkimor. Në rastin e parë, qëllimi është ai i dhënies përgjigje pyetjeve me karakter ekspertimi me një objekt/ subjekt të caktuar, që kërkohet nga të tretë dhe nuk lidhet me efektet e diagnostikimit teknik. Ekspertimi i kërkuar dhe parashikuar në kodin penal, lidhet ngushtë me neuropsikologjinë forense (ligjore), për tre karakteristika bazë:

a)klient i neuropsikologut forens (ligjor) nuk është pacienti, por një figurë e tretë (avokat, gjykatës, prokurorë):

b)qëllimi i vlerësimit neuropsikologjik forens (ligjor) nuk është thjeshtë dokumentimi i aspekteve disfunksionale që lidhen me papërgjegjshmërinë dhe shkallën e saj, por me përcaktimin nëse ky disfunksionim është i lidhur me ngjarjen penale nën shqyrtim (p.sh. vrasje);

c)metodologjia e aplikuar duhet të jetë në funksion të përcaktimit konkret nëse ekziston apo jo një patologji, në rastin penal psikike apo neuropsikike, sipas përcaktimit të nenit 17 K. Penal, apo ajo është thjeshtë e simuluar.

Në fushën penale përcaktimi i përgjegjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë ndikon direkt në caktimin e dënimit dhe formave të tjera të dënimeve plotësuese. Kështu, në betejat procesuale, roli i ekspertit, në fushën penale në veçanti, ku kemi të bëjmë, nga njëra anë me lirinë e të pandehurit dhe, nga ana tjetër, me të drejtat e viktimës, ekspertiza neuropsikologjike forense (ligjore) shndërrohet në “provën mbretëreshë” mbi të cilën do të zhvillohet i gjithë iteri procesual. Ekspertiza e dhënë nga këta specialistë, me një formim multi-disiplinor, ndihmon palët në proces, për gjykatën në veçanti, duke i ofruar atyre të dhëna të nxjerra nga hulumtime empirike, të afta për të orientuar vlerësimin e gjykatës dhe nxitur elementet interpretues pro dhe kundër mes organit të akuzës dhe mbrojtjes.

Gjithsesi, nuk duhet të harrohet se në fund Gjykatësi është “Peritum peritorum”, pra i vetmi që në bazë të provave të administruara mund të japë vendimin gjyqësor të motivuar. Në këtë prizëm, në formimin e juristëve, të specializuar në fushën penale, (avokatë, prokurorë dhe gjykatës), një rol të rëndësishëm zë gërshetimi i interpretimit të konceptit ekspertim dhe njohje harmonike e gjeografisë si të kodit penal ashtu dhe të atij procesual penal. Element i domosdoshëm formues, kulturor së pari dhe teknik-juridik, së dyti, është zhvillimi dhe pajisja me njohuri e studentëve që në sallat universitare me konceptet bazë të neuroshkencave si konjitive, ashtu dhe mbi të gjitha ato të neuropsikologjisë forense (ligjore), me qëllim futjen e studentëve, kuadro nesër të sistemit të drejtësisë, në botën e koncepteve teknike neuro-juridike.

Sakaq bëhet urdhëruese për pajisjen e studentëve me nocione që lidhen ngushtë me sferën penale, ku elementët e fajit të ndarë në dashje, pakujdesi, neglizhencë, vetëbesim i tepruar dhe nënkategori të tjera, mund të kthehen në instrumente hulumtuese dhe analizash të gërshetuara me përgjegjësinë penale, papërgjegjshmërinë si pasojë e faktorëve psikikë dhe neuropsikikë, neurokonjitiv momental apo permanent. Me rëndësi është fakti që në qasjen ndaj dualizmit midis fushës penale dhe asaj neuropsikologjike forense (ligjore), kujdesi duhet të bjerë mbi njohjen e elementëve psikopatogjenë, të cilët në shkencën neuropsikiatrike janë tashmë diktuar dhe pasqyruar në DSM (Diagnostic and Statistical Manual of Menatl Disorders). Këtu, roli i profesionistit, pedagog, mbartës i përgjegjësisë formative të kuadrove të rinj, bie mbi ilustrimin me shembuj të “case to case” të veçorive që kanë karakterizuar një çështje apo një tjetër në lidhje me faktorët psikotikë që mund të ketë qenë objekt primar i gjykimit penal.

Me kujdes duhet të shqyrtohet dhe fakti që njohuritë që jepen tek kuadrot studentorë duhet të pasqyrohen, gjithnjë, me elementët e parashikuar nga vepra penale, me analizë të detajuar të strukturës, kryesisht në raste krimi, dhe në specifikë, krime me sfond seksual, me egërsi apo forma të tjera dhune, të parashikuara nga kuadri normativ penal, duke i ndërlidhur me element të tillë siç janë rrezikshmëria e të pandehurit, dhe duke paracaktuar në sajë të shembujve që ofron vlerësimi i ekspertit neuropsikolog forens (ligjorë), formën se si ekspertiza duhet të nxjerrë në pah elementët e sjelljes dhe veprimit të kryer nga autori i veprës penale, por pa hulumtuar në aspekte që lidhen me prirjet kriminale ose jo të subjektit.

Gjatë shqyrtimit të shembujve nga praktika, vëmendja metodologjike – formuese, që gërshetohet mes veprave penale dhe neuropsikologjisë forense (ligjore) duhet të ndalet në ilustrimin konkret të se si duhet të formulohet nga ana e ekspertit akt-vlerësimi, me qëllim që ai të jetë sa më i lexueshëm nga personat e tretë (gjykatës, avokatë, prokurorë). Ekspertimi i kërkuar nga aktorët e drejtësisë, mund të bëhet jo vetëm karshi subjektit të pandehur, kur e lips situata për të vlerësuar ndëshkueshmërinë e tij, por edhe ndaj dëshmitarëve, në raste kur duhet të vlerësohet besueshmëria e deklaratave të tyre, e aftë për të qëndruar si provë në procesin penal.

Për këtë, në formë skematike, përdoret “struktura e të dhënave”, ku pasqyrohet me rend logjik përmbajtja e një akt-vlerësimi ekspertimi, që duhet të përmbajë një sërë elementësh, botërisht të pranuar nga bota akademike dhe interpretimi jurisprudencial si: paraqitja në formë grafike me logon dhe strukturën e akt-vlerësuesit (ekspertit), të dhënat anagrafike dhe ato përcaktuese formuese (niveli i studimit etj,) të subjektit ndaj të cilit kryhet ekspertimi; të dhënat klinike, motivi i kërkesës, data dhe autoriteti që e kërkon kryerjen e ekspertimit, të dhënat e anamnezës që lidhen me historinë mjekësore të subjektit nën ekspertim, përfshirë ato familjare; rezultatet e nxjerra nga aplikimi i psikometrisë (testet psikologjike të aplikuara, rezultatet e nxjerra) dhe, më pas interpretimi i tyre nga neuropsikologu forens (ligjor); përfundimet.

Me vlerë të lartë në aplikim metodologjik të llojit të testit të aplikuar ndaj subjektit nën ekspertim, është fakti se ai apo ato teste, duhet të jenë të specifikuar dhe të ilustruar në detaje pse janë zgjedhur pikërisht ato teste dhe cili është rezultati empirik më i mundshëm që këto teste mund të nxjerrin në lidhje me objekt-kërkesën vlerësuese që është kërkuar. Duke parashtruar në forma konkrete dhe me informacion të detajuar llojet e testimeve që përdoren në fushën e neuropsikologjisë në tërësi dhe testimet specifike në rastet e kërkuara të ndërhyrjes së ekspertit neuropsikolog forens (ligjor), panorama ndërfunksionale midis sistemit penal, veprave penale (krim) dhe subjekteve vepruese, ofrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sakaq, ndihmon operatorët e drejtësisë të së nesërmes, të arsyetojnë me frymë kritike dhe analitike me karakter deduktiv ndaj çdo çështjeje që i paraqitet, duke u zhveshur nga paragjykimet dhe duke u formuar me një frymë argumentimi dhe mprehje të inteligjencës për të ushtruar sipas roleve funksionet e tyre në mënyrën më profesionale të mundshme.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 135

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top