Mirëqenie

January 15, 2020 | 10:50

Nga Enida Perlala: Mbi-shpjegimi apo, shpjegimet e tepërta, çojnë në shtrembërim të mendimit real

 

A ju ka ndodhur ndonjëherë që në një bisedë me dikë, qoftë ky familjari juaj, bashkëshorti a bashkëshortja juaj, kolegu etj., ta gjeni veten duke shpjeguar një argument me aq detaje, në mënyrë që personi tjetër të mos ju keqkuptojë?

Enida Perlala Psikologe Psikoterapiste BWRT

Enida Perlala
Psikologe
Psikoterapiste BWRT

Shpeshherë ndodh që të njohim persona të cilët tentojnë vazhdimisht që në një marrëdhënie t’i përshtatin emocionet e tyre sipas axhendës së një personi tjetër (zakonisht kjo vihet re në marrëdhëniet në çift). Këta individë e gjejnë veten pothuajse duke qenë specifikuar, u shpjegojnë gjërat njerëzve, dhe nëse ndodhen përballë një argumenti, bëhet me të vërtetë e vështirë për ta të fokusohen në pikëpamjen e tyre, sepse përpiqen aq shumë për ta sqaruar, gjë që më pas shfaq axhitim, stres, lodhje mendore.

Nëse njerëzit nuk i shpjegojnë gjërat në mënyrë specifike, janë vazhdimisht paranojakë, nuk e kuptojnë se çfarë duan të thonë, por nëse i shpjegojnë ato në mënyrë specifike, ndjehen sikur janë duke e komplikuar bisedën.

“Nëse unë reagoj ashtu, ai/ajo do ta përdori kundër meje dhe do më fajësojë, do mërzitet me mua, etj.”

Kjo ishte përgjigja që një nga klientët e mi i ktheu pyetjes: Çfarë do të ndodhte nëse do t’i përgjigjeshe me “Jo”, pa shpjeguar pse? Kur ne shpjegojmë (shpjegojmë dhe shpjegojmë) atë çfarë kemi nevojë ose duam, pse po bëjmë atë që bëjmë, ose si planifikojmë të realizojmë diçka të cilën jemi të aftë ta realizojmë pa pasur nevojë ta flasim fillimisht, ne i detyrojmë të tjerët dhe besimet tona që vlerësimi vjen nga burime të jashtme, që duhet të presim për aprovim përpara se të ndërmarrim një veprim. Kështu vazhdojmë të mësojmë veten dhe të tjerët që: “Unë nuk jam në rregull, derisa ti të më thuash që jam në rregull”.

1Mbishpjegimi ose ndryshe, shpjegimi i tepruar mund të jetë një përgjigje e përfituar nga fëmijëria. Nuk është surprizë nëse si adult e gjejmë veten në marrëdhënie që pasqyrojnë atë që ne kemi përjetuar gjatë rritjes. Duke u rritur shpeshherë jemi të detyruar të braktisim veten e vërtetë dhe të sillemi ndryshe për të marrë dashuri, afeksion ose vëmendje nga prindërit ose personat përkujdesës.

Kjo do të thotë, të japësh një përgjigje, të performosh, të bësh diçka për të shmangur ndëshkimin. Kështu fillojmë të bëhemi over-givers (mbi-dhënës, jep nga vetja më shumë se ç’duhet) dhe performues në një marrëdhënie.

Prindërit ose kujdestarët janë qendra e botës së fëmijëve dhe humbja e dashurisë së tyre i terrorizon ata. Këtu fillojnë të zhvillohen stilet tona atashuese, dhe ne fillojmë të kuptojmë nëse është e nevojshme të duash dhe nëse është e nevojshme të të duan.

Kështu ne fillojmë të përshtatemi me mbi-shpjegimin si një mënyrë për të shmangur humbjen e dashurisë. Mbi-shpjegimi është një nga mënyrat që ne performojmë për dashuri. Prindi ose kujdestari juaj mund t’ju ketë detyruar gjatë fëmijërisë tuaj të pranoni diçka që ju e keni kuptuar ndryshe, ose të bini dakord me diçka për të cilën nuk jeni dakord, kështu që do ta gjeni veten duke mbi-shpjeguar në këmbim të dashurisë ose aprovimit të tyre.

Një shembull: “Mbylle, ose unë do të të ndëshkoj” pra do të bëj diçka që ty të mërzit. Ose: “Është kështu siç them unë dhe pikë!”

Dhe fëmijët e gjejnë veten duke mbishpjeguar për të shmangur ngarkesën emocionale ndërkohë që tradhtojnë veten për atë që po mendojnë dhe ndjejnë në atë moment, për të mos humbur dashurinë e prindit/kujdestarit.

Mbi-shpjeguesit (ata që japin shpjegime të tepërta të panevojshme) priren të jenë të pavendosur, ndjejnë një ndjenjë të thellë turpi dhe kanë probleme me vetëvlerësimin. Kjo shpesh çon në përfshirjen e mëvonshme në marrëdhënie të cilat përforcojnë këto lloj ndjenjash, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm traumash që pasqyrojnë fëmijërinë e tyre. Flasim këtu për marrëdhënie sociale dhe në çift.

Kështu që nëse gjeni veten tuaj në këtë shkrim, është koha të heqim dorë nga këto sjellje absolutisht të pashëndetshme për stabilitetin emocional dhe vetëvlerësimin. Sigurisht që është shumë e vështirë të punojmë me veten në këtë pikë. Fillimisht do na duhet të marrim iniciativa të lehta si: Të themi “jo” kur duam të themi “jo”, dhe të themi “po” kur duam të themi “po”. Edhe nëse ky ndryshim do ndikojë në reagime të personave të cilët janë mësuar t’ju shikojnë ndryshe dhe nuk e pranojnë dot ndryshimin, ky ndryshim do ju ndihmojë në vetëvlerësimin tuaj, do të rrisi vlerat personale, dhe do ndryshojë imazhin tuaj për veten. Kështu që mjafton.

Nëse ke thënë mendimin tënd dhe ka qenë i qartë, atëherë nuk ka asgjë tjetër të nevojshme për të shtuar pasi mbi-shpjegimi çon në shtrembërim të mendimit real.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top