Disa nga të dhënat demografike të bëra të njohura javët e fundit nga INSTAT flasin për një situatë që duhet të na shqetësojë. Ky nuk është i pari vit që INSTAT na siguron të dhëna prej të cilave kemi kuptuar se popullsia jonë po bie në numër dhe po plaket, se ky proces është afatgjatë dhe ka kohë që ka nisur.
Konkretisht gjatë vitit 2017, kanë lindur 30.869 foshnje, duke shënuar një rënie me 2,7%, krahasuar me një vit më parë.
Numri i vdekjeve për tremujorin e katërt 2017 rezulton 5.408, duke shënuar një rënie prej 6,9%, krahasuar me tremujorin e katërt 2016.
Numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2017 rezulton 7.931, duke shënuar një rënie me 2,3%, në krahasim me tremujorin e katërt 2016.
Numri i vdekjeve në vitin 2017, është 22.232 persona, duke shënuar një rritje me 3,9%, krahasuar me një vit më parë.
Plakja e popullsisë është një dukuri botërore që në 10 vjeçarët e fundit i ka prekur thuajse të gjitha shoqëritë evropiane dhe më gjerë. Ulja e lindshmërisë nga njëra anë dhe rritja konstante e numrit të të moshuarve nga ana tjetër po çon në humbje të ekuilibrit mes brezave. Statistikat në nivel ndërkombëtar thonë se kjo dukuri do të na shoqërojë edhe gjatë shekullit XXI. Rritja e numrit të të moshuarve në shoqëri ka nisur që në shekullin e kaluar. Sipas OKB-së në vitet 50 për shembull të moshuarit përbënin 8 % të popullsisë së botës. Në vitin 2050 mosha e tretë do të përbëjë 22 % të popullsisë në nivel global.
Shqipëria ashtu si edhe vendet e lindjes deri në vitet ‘90 njihej për lindshmëri të lartë edhe për shkak të politikave nxitëse që ndoqi regjimi i kaluar. Por në atë kohë mesatarja e jetës ishte e ulët dhe vdekshmëria pas moshës 70 vjeç dhe ishte e lartë. Nga njëra anë shkatërrimi i sistemit ekonomik dhe shoqëror që njohu vendi ynë pas këtij kufiri historik vitesh, uli mundësitë për të siguruar burime financiare me qëllim për të parandaluar pasojat e plakjes.
Nga ana tjetër kalimi nga regjimi tradicional ku lindshmëria ishte e lartë drejt regjimit bashkëkohor i karakterizuar nga lindshmëria e ulët, ndikoi në uljen e popullsisë. Emigracioni i lartë i qytetarëve shqiptarë në përgjithësi dhe emigrimi në radhët e të rinjve në veçanti ndikoi në uljen e popullsisë dhe në plakjen e popullsisë sonë. Një tjetër faktor që ndikoi në këtë prirje ishte edhe zhvillimi i shkencës mjekësore që solli edhe rritjen e përkujdesit ndaj shëndetit në disa prej kategorive shoqërore. Në Shqipëri çiftet e reja çdo vit lindin më pak fëmijë dhe në një moshë më të avancuar.
Arsyet sipas të cilave femra shqiptare sot vendos për të sjellë në jetë fëmijë, janë të ndryshme nga ato tradicionale dhe janë shumë më të ndërlikuara sesa më parë. Tek këto arsye mund të rendisim: kostoja e rritjes së një fëmije, mundësitë qe i janë krijuar asaj për shkollim dhe për pozitë profesionale më të mirë, statusi ekonomik i familjes, statusi martesor përfshirë këtu divorcet në rritje, si dhe kërkesa për përputhshmëri mes jetës familjare dhe jetës profesionale.
Një tjetër faktor lidhet me rënien e normës së martesës deri në moshën 24 vjeç e shoqëruar me rritjen e moshës mesatare në martesë të grave. Krahasuar me 10 vite më parë gratë shqiptare sot martohen relativisht tre vite më të mëdha. Situata e vështirë për strehim dhe punësim dhe mungesa e politikave nxitëse, miqësore e mbështetëse nga ana e shtetit për çiftet e reja i bën shpesh shumë çifte të hezitojnë ose të shtyjnë moshën e lindjes së fëmijës së parë.
Urbanizimi i shoqërisë sonë po shoqërohet me ndryshimin e vlerave që e kanë karakterizuar atë në mënyrë tradicionale. Aktualisht kalimi nga familja e zgjeruar që ju jepte pjesëtarëve të saj qëndrueshmëri dhe siguri, sot kemi kaluar drejt familjes bërthamë ku nën një strehë jetojnë dy prindërit dhe pasardhësit.
Ky ndryshim jo pak herë është reflektuar në pasigurinë për të lindur edhe një fëmijë tjetër. Sot qytetari në Shqipëri ka më shumë pavarësi në vendimmarrje që lidhen me jetën e tij, por nuk ka qëndrueshmëri dhe siguri. Ndryshimet e sjelljes së çifteve shqiptare ndaj procesit riprodhues dhe emigracioni i vazhdueshëm në radhët e të rinjve janë faktorët kryesorë që kanë bërë që popullsia jonë të ulet në mënyrë konstante.
Lindshmëria e ulët nga njëra anë, ulja e numrit të qytetarëve aktivë dhe kontribues në radhët e popullsisë nga ana tjetër, është duke sjellë një rritje dramatike të shkallës së varësisë së disa grupmoshave ndaj të tjerëve. Shoqëri të ndryshme kanë ndërmarrë edhe politika specifike për shtetet e tyre duke parë realitetet e reja demografike në të cilat po gjendeshin.
Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian pikërisht nisur nga shqetësimi për zhvillimet e popullsisë e shpalli vitin 2012 si vitin e “Vitin evropian për solidaritetin mes brezave dhe për plakje aktive”. Qëllimi ishte të rritej ndërgjegjësimi në opinionin publik dhe në qeveritë e këtyre shteteve ndaj masave për një popullsi që po plakej dhe që meritonte mundësi për një jetë të shëndetshme.
Ndryshimet në familje kanë prekur edhe të moshuarit të cilët në mënyrë tradicionale kanë jetuar në familje. Tani ata po përballen me vetminë, izolimin dhe braktisjen ose institucionalizimin. Kjo po shoqërohet edhe me rritjen e një kategorie që njihet si “mosha e katërt”, e thënë ndryshe “ më të moshuarit e të moshuarve”, pra mbi 80 vjeçarët. Bashkë më ketë ajo që po jetojmë është rënia e një tjetër miti, ajo e shoqërisë me moshë të re dhe madje edhe më të re në një Evropë që plakej.
Si të mos mjaftonte kjo lindshmëri e ulët por kujdesi i pakët shëndetësor, ndryshimet në stilin e ri të jetesës, herë të pashëndetshëm, faktorët e jashtëm mjedisorë që ndikojnë dëmshëm shëndetin kanë bërë që numri i vdekjeve si pasojë e sëmundjeve kardio-vaskulare apo të sëmundjeve tumorale të jetë i lartë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.