Marrëdhënie

March 5, 2019 | 11:11

Nga Enveida Kajushi: Letër dashurisë, betuar deri në të fundit frymë

I dashur, kjo letër është për ty.

Një letër që kur nuk do e di destinacionin e saj. Në të do shkruhen fjalët e heshtura të dashurisë sime. Do shkruhen ato vargje që kishin ngecur në rrjedhën e fjalëve, ngase nuk ju erdhi kurrë radha për t’u thënë. Mungoi guximi, ndaj edhe sot ato janë të destinuara të qëndrojnë në ajër, se nuk e dinë drejtimin e tyre, nuk dinë se në zemrën e kujt duhet të depërtojnë.

Enveida Kajushi, studente

Enveida Kajushi, studente

Ajo që kurrë nuk e ke ditur për mua ishte ndjenja ime ndaj teje. Këtë s’mund ta merrje vesh nga askush. Dije gjithçka për mua, por nuk arrite të më njihje mua, nuk arrite të kuptoje çfarë ndjeja kundrejt teje. Ndaj edhe sot, jemi kështu të ndarë. Kjo ishte ajo për çfarë ishim të destinuar, por megjithatë ato fjalë të pathëna, do t’i shkruaj në këtë letër.

Nuk të kam harruar.

E kam të pamundur. Je gjithmonë diku, në një vend të zemrës dhe mendjes sime. Kujtimet tona që rastësisht i ndërtuam, nuk mundem kurrë t’i harroj. Janë gjëja më e bukur që mbart nga ty. Megjithëse janë pak, por janë të çmuara në sasinë e vet.

lost-love

Të dua, shpirti im! E në ka gjë më të madhe se shpirti dije se edhe më shumë se aq të dua.

Ti ishe i pari dhe i vetmi gjer më tani që më bëre të përjetoj dashurinë, një dashuri ndonëse shumë ndryshe nga të tjerat, ngase në të i dhuruam njëri-tjetrit nota absurdi, lot malli dhe shumë dhimbje dashurie.

E nisëm muzikën tonë me çelësin sol të dashurisë, por fatkeqësisht pentagramin tonë të ndjenjës nuk e vazhdonim dot për ta përfunduar në një dashuri të plotësuar.

A ka flatra dashuria që më lindi për ty, të fluturoj tutje e të zhduket ashtu sikurse erdhi?

E kam shpirtin natës të paqetë e sytë të lodhur nga pagjumësia. Mundohem të kapem me ëndrra, por kthehem sërish në realitetin e hidhur tonin.

Mundohem të kuptoj çfarë ishte një çfarë dhe pse ajo ishte një pse.

Mundohem të kuptoj se pse sot ngre akoma pyetje e nuk kam qoftë edhe një përgjigje të vetme, por më kot. Është e njëjta vorbull në të cilën jam zhytur me qindra herë e kam dal pa asnjë zbulim.

E di, i dashur… Më parë… shumë kohë më parë, të kam shkruar një letër tjetër përpos kësaj. E ruaj akoma atë si gjënë më të shtrenjtë që kam. E ruaj se aty është e fshehur dhimbja e vërtetë e çdo lëmshi ndjenjash që më shkaktoi dashuria për ty.

Vërtetë, kjo letër përmban shumë ngarkesë, por jo ngarkesën e vërtetë të atyre momenteve dhimbjeje… Ngase, tashmë dhimbja ka kaluar, janë vetëm kujtimet që thjesht më pështjellojnë nga pak aq sa të shkruaj kaq shumë për ty.

Dashuria ime… Po, dashuria ime… Kështu, do vazhdoj të të quaj akoma se ndjenjat që më fale nuk mund t’i gjeja kurrkund tjetër veçse në një dashuri të vërtetë, një dashuri sikurse ajo që ndjeva për ty.

Dashuria ime, ty të kam kushtuar kapitullin më të shtrenjtë të jetës sime, e ndonëse për çudi e gjej të vështirë të shprehem me njerëzit e kështu e mbyll veten në një botë tjetër kapitaliste, për ty kam shprehur çdo faqe të ditarit tim. Nuk mundesha kurrë mos të flisja për ty, se kur është fjala për ty, mua më gënjejnë vetë sytë.

Dashuria ime, dashuri ishe, dashuri je, por jo një dashuri sikur të tjerat… Tashmë je veç një dashuri e shkuar… Një dashuri e shkuar që unë vazhdoj t’i them “Të dua”… Një dashuri e shkuar që unë i shkruaj, ndaj nuk betohem dot sot se ky do jetë dedikimi im i fundit për ty dashuri, ngase t’u betova gjer në të fundit frymë.

E unë marr akoma frymë… frymë për ty, frymë për ne të dy!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top