Mirëqenie

August 12, 2019 | 8:10

Nga Erinda Bani / Bëhuni model i sjelljes!

Këshilla për prindërit dhe mësuesit

Në përditshmërinë e punës me fëmijët, mësuesi vihet vazhdimisht në provë nga vështirësitë që dalin parashikueshmërisht ose jo. Profesioni i mësuesit në vete përmban dhe shpërfaq role të shumëfishta, të tilla si: mësimdhënës, lehtësues i procesit të të nxënit, komandant, prind, mjek, psikolog, fëmijë dhe secili prej tyre është, dashje pa dashje, jo i shkëputur nga tjetri.

Erinda Bani Psikologe kliniciste

Erinda Bani
Psikologe kliniciste

Një mësues që punon me një grup të caktuar nxënësish, mësuesi i arsimit fillor, është i pajisur me njohuri të përgjithshme për zhvillimin, si proces holistik për fëmijët e grupmoshës 6-11 vjeç. Ai ka parasysh se tiparet e zhvillimit psikosocial në veçanti të këtyre fëmijëve janë si më poshtë:

  • Shumë i ndërgjegjshëm për rregullat, porositë
  • Më i orientuar nga pikëpamja sociale
  • Dëshirë e madhe për të t’u përshtatur dhe për të bërë diçka me të tjerët
  • Ende nuk e ka konceptimin e të rriturve çfarë është e drejtë ose e gabuar
  • Fillon të jetë në gjendje të bëjë plane
  • Fillon të shpjegojë shkakun dhe pasojën
  • I lexon vetes
  • Nuk është në gjendje të përballojë shqetësimet e të rriturve
  • Vrapon, hidhet, rrëshqet, godet topin, lëkundet
  • Ka nevojë për 10 orë gjumë/natën
  • Ka vështirësi të rrijë ulur më shumë se 20 minuta

Konceptet lidhen me situata konkrete. Koha, hapësira dhe sasia kuptohen e përdoren, por fëmija nuk ka aftësi të manipulojë mendërisht kushte se si t’i provojë ato në praktikë. Niveli “djalë/vajzë i/e mirë”. Bën përpjekje për të marrë miratim dhe për të mbajtur marrëdhënie miqësore me të tjerët.

Orientim drejt rregullave

Qëllimi i moralit është të ruhet rregulli shoqëror. Dakordësia zgjerohet me të gjithë mjedisin social që e rrethon. Në klasë secili prej nxënësve spikat në mënyrën e tij. Disa prej tyre mund të spikasin më shumë nga të tjerët për shkak të talentit që kanë, prirjes që shfaqin apo karakteristikave të sjelljes së vëzhgueshme. Kur bëhet fjalë për sjellje që nxisin reaksione zinxhir në klasë apo për sjellje që bëhen të vështira për t’u menaxhuar brenda orës, mësuesi e ndjen me të vërtetë peshën e përgjegjësisë për të rivendosur ekuilibrin në klasë dhe për të siguruar vijueshmëri të qetë.

Rekomandime

Përshtat mjedisin | Kjo do të thotë se, në qoftë se mësuesi e ka të mundur të ndërtojë një mjedis në klasë i cili të jetë jo vetëm i këndshëm për fëmijët, por, si një sugjerim të dobishëm, edhe të ketë një ndarje të veçantë, këndin e kreativitetit “Artisti jam unë”, ku fëmijët që nuk arrijnë të përqendrohen ose nuk ndihen mirë, ose janë lodhur të merren me aktivitetin kreativ/çlodhës/argëtues që u pëlqen. Këndi i kreativitetit të përbëhet nga një tavolinë, karrige, materiale formuese (puzzles), libra, penela uji, ngjyra dhjami, kuba, flluska apo muzikë me kufje.

Këshillë: Lejo një 5-10 minutësh në atë aktivitet dhe një numër të kufizuar të lejeve për ta shfrytëzuar këndin. Jepi mundësi fëmijës që shkon tek këndi të zhvillojë një aktivitet që ka lidhje me lëndën prej të cilës po shkëputet për pak kohë, p.sh: n.q.s është në orën e matematikës, jepi kubin Rubik, ose numëratorin.

Modelo sjelljen | Me këtë kihet parasysh formimi i modeleve të reja dhe funksionale të sjelljes së fëmijës të cilit mësuesi, në marrëveshje dhe bashkëpunim me prindin, synon t’i mësojë një apo disa sjellje të dobishme dhe të përshtatshme për në klasë dhe jetë. Mësuesi mund ta fillojë duke diskutuar dhe vendosur bashkërisht me fëmijët e klasës rregullat e klasës dhe listën e rregullave ta vendosë në ambientin e klasës. 

Mos harro: Vëmendja dhe përqendrimi i një fëmije 6-7 vjeçar zgjat jo më shumë se 20 minuta. Duhen të paktën 21 ditë praktike të përditshme që një zakon i ri të fitohet. Përdoreni sistemin shpërblim/ndëshkim me raste që efektiviteti të jetë më i lartë, por nuk rekomandohet të përdoret ushqimi si përforcues.

Jepi fëmijës kohë shtesë për të përmbushur detyrat që i janë ngarkuar | Kjo është veçanërisht efektive me nxënësit që e kanë më të vështirë të fokusohen dhe të qëndrojnë tek detyra derisa ajo të mbarojë.

Këshillë: Vendos një orë muri në klasë dhe refero nxënësit tek ora kur u jep detyra me afat, në mënyrë që ata të shohin kur u përcakton p.sh: “Për 20 minuta, kur akrepi të shkojë këtu, do bëjmë 5 minuta pushim”.

Fillo të punosh me fëmijën në atë nivel në të cilin ai mund të arrijë sukses | Dhe për këtë bashkëpunimi me psikologun e shkollës dhe punonjësin social është i domosdoshëm. Ata do të ndihmojnë në identifikimin dhe vlerësimin e ndonjë problematike potenciale të fëmijës, ose do të ndërtojnë një plan të individualizuar n.q.s fëmija është i vlerësuar apo diagnostikuar paraprakisht.

Përqendrohuni në njohjen e sukseseve| Lërini gabimet e së shkuarës në harresë dhe ndihmojini fëmijët të ndërtojnë besimin në atë që bëjnë më mirë.

Mos u dekurajo dhe mos u rezervo të eksperimentosh teknika të reja | Puna me fëmijët është sfiduese, por edhe shpërblyese. Në qoftë se punoni në skuadër me fëmijët, prindërit, stafin e specialistëve në shkollë, do të arrini rezultatet që synoni dhe dëshironi. Ju jeni modeli i perfeksionit për fëmijët në klasë. Mësojuni atyre të synojnë më të mirën duke mësuar nga gabimet!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 139

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top