Në fokus

June 1, 2019 | 10:54

Nga Ervina Doçi: Qasjet e reja të bullizmit në këndvështrimin sociologjik

 

Përtej njohjes së formave të bullizmit dhe targetgrupit të predispozuar për të rënë prè e tyre, ka një zhvillim tjetër në aspektin social, ndaj të cilit duhet të jemi të vëmendshëm. Prindërit janë roli i parë edukativ dhe qëmtues. Por le të ndalemi në disa pyetje që duhet t’ia bëni vetes:

Ervina Doçi, sociologe

Ervina Doçi, sociologe

Cilët janë llojet e bullizmit?

Cilat janë shenjat e personave të cilët bien pre e bullizmit?

Kush janë më të prekur?

Çfarë masash duhen marrë për ta minimizuar këtë fenomen?

1

Bullizmi kategorizohet në fizik, ku përfshin dhunën fizike që bullisti ushtron ndaj “viktimës”. Një ndër arsyet pse nxënësit bien pre e bullizmit ndodh për shkak të pamjes së jashtme. Obeziteti apo mbipesha, mbajtja e syzeve, apo ndonjë defekt tjetër fizik që e bën atë të tërheqë vëmendjen, etj.

Është shumë thelbësor imazhi që nxënësi ka për vetveten. Nëse një nxënës është mbipeshë, por ka një imazh shumë të mirë për veten dhe ka aftësi sociale për t’u kundërvënë, nuk bie prè e bullizmit.

Kemi edhe bullizmin verbal, ku nëpërmjet komunikimit agresori përdor fjalë ofenduese, etiketime, ndofta për të nënvlerësuar dhe për ta fyer personin të cilin do ta ofendoj.

Një formë e re e bullizmit që po përhapet me zhvillimin e teknologjisë është bullizmi kibernetik, pra komunikimi nëpërmjet rrjeteve sociale.

Një formë tjetër e rëndësishme e shfaqjes së bullizmit është ai emocional. Personi tenton që t’i shembë vetëbesimin dhe imazhin personit që ka target për ta dëmtuar. Kjo bën që ky i fundit të demoralizohet, të ketë një vetëvlerësim të ulët për veten, të mbyllet në vetvete, duke krijuar kështu një izolim social.

Kush bullojnë më tepër djemtë apo vajzat?

Vlen për t’u theksuar se vajzat përdorin një formë më të rafinuar sociale atë të përjashtimit social. Do të thotë, në momentin që një vajzë apo djalë nuk u pëlqen ta kenë pjesë të tyre të rrethit shoqëror, mundohen ta përjashtojnë nga grupi, duke e ironizuar apo duke hapur thashetheme ndaj saj. Ndërsa djemtë zgjedhin kryesisht formën fizike për ta dëmtuar dikë. Kjo i bën që të jenë më të dukshëm.

Fatkeqësisht prè e bullizmit janë të destinuar për të qenë ata fëmijë të cilët kanë vetëbesim të ulët tek vetja, të ardhurit nga qytete të tjera apo zona rurale, fëmijë me nevoja të veçanta, të urtit dhe ata që kanë diferencë në status social.

Bullojnë ata persona të cilët të sjellit në mënyrë agresive, e shohin si formën më të mirë për të udhëhequr, sunduar dhe për të qenë në qendër të vëmendjes.

Vlen për t’u theksuar se shfaqje agresive shfaqin ata persona të cilët vijnë nga familje ku është ushtruar dhunë, pra vazhdojnë të ndjekin modelin e servirur nga institucioni më i rëndësishëm social i edukimit siç është familja.

Por bullizmi mund të ushtrohet edhe nga persona me sens egoizmi, që janë të përkëdhelurit e prindërve dhe janë mësuar gjithmonë të jenë në qendër të vëmendjes.

Lind pyetja: Si mund ta dallojmë një person i cili ka rënë pre e bullizmit?

Fëmija mbyllet shumë në vetvete, e cila çon në ndrydhje sociale. Shfaq probleme shëndetësore si: dhimbje koke, anoreksi, etj. Nuk ka dëshirë të shoqërohet me të tjerë, duke shfaqur kështu mungesë socializimi. Ka një vetëvlerësim të ulët për veten si dhe humbje e dëshirës për të mësuar, duke çuar kështu në rezultate të ulëta në mësime. Ndihet i demotivuar dhe i trishtuar në pjesën më të madhe të kohës. Shkon deri tek stresi psikologjik, duke kaluar në depresion, ku në rastin më fatal kjo situatë mund ta çojë në vetëvrasje.

Çfarë politikash sociale duhen ndërmarrë për ta minimizuar këtë fenomen?

Para së gjithash, është shumë e rëndësishme që të ketë një koordinim dhe bashkëpunim të fortë nxënës-mësuese-prind-psikolog. Mësuesit nuk duhet ta shohin veten thjesht si transmetues të dijes, por para së gjithash duhet të jenë edukatorë, prindër dhe më pas mësues. Duhet të ketë komunikim më të shpeshtë, të hapur dhe të drejtpërdrejtë të mësuesve me nxënësit.

Është shumë e rëndësishme të forcohet roli i psikologes në shkollë. Ajo nuk duhet të jetë thjesht në pozicion formal, por edhe funksional. Nuk duhet të bëj thjesht rolin e mirë të dëgjueses dhe mbështetëses psikologjike ndaj viktimës, por duhet të insistojë më tej. T’i japë zgjidhje nxënësit, i cili i ka trokitur në derë për problemin që ka.

Është e nevojshme që prindërit t’i kushtojnë kohë fizike fëmijës, duke biseduar me ta, duke i pyetur se si kanë kaluar në shkollë, me miqtë, duke i pyetur rreth problematikave dhe shqetësimeve që kanë. Duhet të bëhen më shpesh takime me prindër, ku këta të fundit të shprehen nëse fëmijët e tyre shfaqin shenjat e bullizmit qoftë si agresor apo si viktima.

Prindër mos harroni: është shumë e rëndësishme të pyetet fëmija së pari për komoditetin psikologjik dhe emocional në shkollë dhe në fund për notat që mund të ketë marrë. Është primare të punohet me fëmijën si nga prindi ashtu edhe nga psikologët. Një fëmijë i cili e ka të kristalizuar imazhin që ka për veten, aftësinë sociale dhe mbi të gjitha vetëbesimin do ta ketë shumë herë më të lehtë për të mos rënë prè e bullizmit. Por në të njëjtën kohë, fëmijës i duhet mësuar dhe induktuar ndjenja e altruizmit, respektit, dhe dëshira e mirë për ta pranuar tjetrin siç është, me të mirat dhe jo të mirat që shfaq. Kjo bën që fëmija nëse nuk është viktimë e bullizmit as të mos jetë bullist.

Ndaj është me rëndësi që në lëndën e Qytetarisë të flitet më tepër për vlerat dhe virtytet njerëzore si edhe menaxhimin e sjelljeve. Duhet të ketë më shumë fushata ndërgjegjësuese rreth këtij fenomeni.

Një politikë tjetër sociale që mund të ndiqet është mbikëqyrja dhe anketimi. Duhet që aktorë socialë si: mësues, psikologë, të bëjnë një supervizim të vazhdueshëm në shkollë për të minimizuar bullizmin. Vendosja e kamerave është e rëndësishme për evidentimin e agresorëve, të cilët arrijnë deri tek dhuna fizike.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme: PRINDËR, duke qenë se fëmijët deri në kapërcimin e fazës së adoleshencës janë një “plastelinë” ku lehtësisht mund të ndikohet në keqformimin e karakterit të tyre, kurrsesi mos neglizhoni kur fëmija juaj shfaq shenja bullizmi, dhe mos e quani aspak tabu ta dërgoni tek psikologu. Tabu është të pranosh të bullohesh, jo të shërohesh.

DHE, ditën që do t’i thoni fëmijës tuaj Bravo, sepse ka ofenduar shokun apo shoqen e tij apo i ka dhunuar vetëm e vetëm për t’u treguar se këtu komandoj unë, dijeni se sapo i keni mësuar sjelljet devijante dhe jeni duke rritur një devijues. Mos u habisni nëse nesër do të shfaqë po këtë sjellje edhe në familjen tuaj, sepse pasojat janë rezultati i asaj çka duartrokitët dje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top