Në fokus

April 2, 2019 | 10:46

Nga Fatbardha Dajaku Kastrati: Biri im, mos e lër atdheun në humnerë!

Nga Fatbardha Dajaku Kastrati*

Biri im

Kur një ditë të rritesh dhe ta kuptosh botën si një i rritur, gjëja e parë që dua ti ta bësh, është të mos ikësh kurrë nga vendlindja jote, edhe pse do të ketë prej atyre që do provojnë ta gërditin vendin. Qëndro i fortë ngase më mirë  të jesh i varfër në vendin tënd se i pasur shërbyes i botës, dhe mos harro se atë që Zoti e ka shkruar për ty, s’ka dorë që mund të ta marrë, dhe se atë që nuk e ka shkruar për ty, s’ka dorë që mund të ta japë, dhe të jesh i bindur që askujt nuk i ka shkuar gjatë “kungulli mbi ujë”.

1

Biri im

Jeta po shkon shumë shpejt, e ardhmja enigmatike, befasuese e lumtur ndoshta edhe trishtuese mund të jetë, ti qëndro i fortë përballë stuhive të jetës nga se pas çdo shiu lind dielli, pas çdo rreziku fshihet triumfi dhe pas çdo pikëllimi vjen edhe gëzimi, vetëm se ti duhet të jesh optimist dhe durimtar i madh.

Bir, nëse jeta të vë në sprovë dhe të është zbukuruar bota e shfrenuar, para se të biesh në grackat e saj, ndalu pak ne semaforin e kuq të jetës dhe mendo që njeriu duhet te ketë turp që s’duhet në asnjë mënyrë disa batica të të nxjerrin pëlhurë syve dhe të zhytesh në të. Ti kujto Zotin tënd që nuk të lë vetëm kurrë, dhe se asnjëherë nuk të ka braktisur dhe as që do të të braktisë ndonjëherë.

Biri im, nëse unë në rininë time nuk pata mundësi të bëja pothuajse asgjë, të ndryshoj për të mirë këtë vend, edhe pse kurrë nuk rreshta së provuari, të lutem edhe ti vazhdo të bësh të njëjtën. Mos u dorëzo kurrë ngase duhet dikush të thotë “MJAFT”.

Rinia sot po ikën, ka marrë “rrugën e pakthimit” ngase shpresat kanë vdekur, ëndrrat e tyre ia dogjën, i bënë hi, që sa herë që fryn erë, rrokullis andej-këndej që verbon sytë çdokujt, pos atyre të “lartëve”, të cilët në fakt janë më të ulëtit e shoqërisë sonë. E ti qëndro i fortë se një ditë dua që ti ta ndryshosh këtë vend.

kindergarten-716x320

Ti bashkë me shokët tu, ti me gjeneratën tënde, ju që do të jeni rinia më e bukur në univers, me sinqeritetin më të madh, me devotshmërinë më të madhe, duke dashur për tjetrin atë që do për vete, duke qenë i dobishëm për njerëzit, dhe atë që dua të të shoh tek ty është që të mos harrosh asnjëherë trungun familjar, mos harro kurrë se kush je dhe se nga vjen, mos harro kurrë gjyshërit e stërgjyshërit.

Kurrë mos harro që të parët tanë nuk e shitën e as nuk e lanë këtë vend as nga frika e varfërisë, as nga frika e armiqësisë së përbetuar, dije që kjo tokë nuk është tharë kurrë, ende është e lagur, madje të them kujdes, mos e shkel me përbuzje, se nëse vrapon në të me mendjemadhësi, mund të rrëshqasësh në gjakun e atyre që e lanë me dekada e shekuj ketë vend.

Dhe nëse një ditë do të jesh prej atyre që do ta udhëheqësh ketë vend të lutem mos u bëj tradhtar i atdheut tënd, ngase kush tradhton atdheun ka shkëputur litarin e tij me Zotin, e kush shkëput litarin me Zotin s’do ketë qetësi askund.

Ku do që të kalosh nëpër botë, çdo hap që ti bën, të lutem lër gjurmë të fisnikërisë e bujarisë, përndryshe të lutem fare mos gjurmo. Para se ta ruash shëndetin tënd, ruaj moralin tënd, ngase pa shëndet vdes, por pa moral ke vdekur për së gjalli.

Biri im, shpresën e vetme e kam tek ti, ti je motivi dhe optimizmi im që të vazhdoj dhe të mos dorëzohem, andaj bëhu ti triumfi, sepse po u bëre si ata, më mirë mos të të kem!

*Fatbardha Dajaku Kastrati, diplomuar në Fakultetin e Filologjisë në degën e Gjuhës Shqipe në Prishtinë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top