Nga Fatbardha Dajaku Kastrati*
Kam takuar gra që shumë më kanë bërë krenare që jam femër. Kam takuar edhe nga ato që dinë dhe duan të arrijnë në jetë dhe që tregojnë se nuk janë të varura nga askush për të jetuar. Kam takuar edhe intelektuale, dhe shumë i kam duartrokitur për sukseset e tyre. Dhe çdo herë kam menduar dhe sot ende mendoj që ka nga ato që jetojnë dhe e duan jetën duke u kënaqur përveç me lumturinë e tyre, kënaqën edhe duke i pa të tjerët të lumtur.
Shumë i gëzohem sukseseve të femrave, ngase syri im i sheh si krijesën më të bekuar në botë.
Sa e mirë do ishte jeta dhe plot pozitivitet sikur të ishim kënaqur si vargjet më lart… por papritur dëgjoj fjalët që s’dua t’i besoj që dalin nga goja e femrave, fjalë që të ngrijnë buzëqeshjen në çast “po bre shumë m’u dhimt apet kish çikë”, ” tana t’mirat i ka veç djalë s’ka, ajo ka veç çika”.
Kot s’mundet truri të besojë që ashtu thonë. Të gjithë le të thonë, ti intelektualja ime mos thuaj, ti e arsimuara që jeton në këtë shekull mos thuaj, ty që të duartrokita mos thuaj, ti që ke qenë vet vajzë e tash je nënë, ti të lutem mos thuaj!
Ç’faj ka vajza, krijesa më e çmuar në tokë, me sy të pastër ngjyrë qielli, më buzëqeshje plot jetë, me përqafimin më të sinqertin në botë, me fjalët që i ngjajnë bletës që lëshon mjaltë dhe me dëshminë që të gjitha e posedojmë që ajo vogëlushja e ëmbël që një ditë u rrit nga zemra nuk të largoi kurrë.
Vajzën e çmoi i pari i Madhi Zot, vajzën e çmoi e ngriti lart edhe i dërguari i Zotit, jo vetëm që e bëri të barabartë me mashkullin në shumë aspekte, por vajzën, gruan, në përgjithësi femrën, e nderoi dhe e ngriti edhe më lart se mashkullin, saqë Zoti Surën EN-NISA (Gratë) e emërtoi për gratë, i dërguari i Zotit tha: “Kush i rrit tri vajza, i edukon, kujdeset për to, shpërblim ka Xhennetin” e sheh, nuk tha për djem.
Pastaj kur e pyeti një njeri: o i dërguari i Zotit pas adhurimit të Zotit një dhe një i vetëm, kush nga krijesat në tokë meriton më shumë respekt tha: NËNA. Po pastaj, NËNA. Po pastaj, NËNA. Po pastaj, babai yt. E sheh, 3 herë tha nëna, a është nëna që dikur ishte një vajzë e vogël që ndoshta edhe nëna e saj është mërzitur kur ka lindur “çikë” e jo “djalë”.
E dashura intelektualja ime, ti nuk e di sa shumë të vlerësoj ty Zoti me vajzë, ti nuk e di se ç’sjell e ardhmja, jeta është një enigmë, andaj mos paragjyko sot që të pendohesh nesër ngase jam e bindur që i vetmi fllad i shpirtit është vajza, po e nëpërkëmbe ti sot, kush do e çmojë nesër?
Të vetëdijesohemi njëherë e përgjithmonë dhe ta kuptojmë që nëse lind një vajzë, dije se ke lindur një thesar, që nëse ke lindur një vajzë, ke lindur një dashuri pa kushte dhe të pashtershme, një shoqe të mirë gjatë jetës, dhe një oqean me përplot perla.
Syna dhe Sara vajzat e mia, do jem deri në vdekje në shërbimin tuaj.
*Fatbardha Dajaku Kastrati, diplomuar në Fakultetin e Filologjisë në degën e Gjuhës Shqipe në Prishtinë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.