Disa prindër, problemin kryesor me fëmijët e tyre e kanë rreth detyrave të shtëpisë!
Shpeshherë fëmijët, pasi përfundojnë orarin e mësimit në shkollë, ndjehen të lodhur dhe ndjejnë nevojë për relaksim e lojë, duke mos i përfunduar detyrat që ata kanë. Këto sjellje të fëmijëve, prindërit i mërzisin shumë dhe u marrin shumë kohë që t’i bindin ata në marrjen e detyrave.
Psikologët këshillojnë se si mundemi që t’i bindim fëmijët për përfundimin e detyrave të shtëpisë me vetëdëshirë dhe që këto detyra të tregojnë rezultate të dëshirueshme. Disa nga këshillat janë:
Kushtëzimi
Po, fëmijën mund ta kushtëzojmë. Fëmijët të cilët nuk duan t’i përfundojnë detyrat e shtëpisë, duhet që t’i kushtëzojmë ata me diçka që ata duan. Shembull: Nëse fëmija dëshiron që të luajë me lojëra elektronike, me shokë/ shoqe apo ndonjë lojë tjetër, ne si prindër duhet që t’ia shpjegojmë fëmijës se së pari duhet t’i përfundojë detyrat e shtëpisë e pastaj të luaj. Pra, në këtë rast, kushtëzim janë detyrat kurse shpërblim është loja. Për të pasur efekt ky kushtëzim, ne duhet të jemi të vendosur në kushtëzimin që ia bëjmë fëmjës deri sa ai të ndodhë dhe ta përsërisim atë deri sa fëmija ta bëjë shprehi, që së pari të përfundojë detyrat e shtëpisë e pastaj të luaj.
Zgjedhja
Fëmijët duhet që t’i ofrojmë zgjedhje. Shembull: Nëse fëmija ynë ka detyra shtëpie në lëndën e Matematikës dhe Gjuhës Angleze, ne si prindër duhet t’i ofrojmë zgjedhje se cilat do të punojmë të parat: A më parë do të përfundosh detyrat në lëndën e Matematikës apo ato të Gjuhës Angleze? Me këtë, fëmija së pari e kupton që detyrat duhet të përfundohen dhe së dyti ai do të ketë më shumë kontroll dhe përgjegjësi për detyrat e veta.
Dënimi
Fëmijën mund ta dënojmë. Nëse ai refuzon t’i përfundojë detyrat e shtëpisë pavarësisht përpjekjeve tona, atëherë ne mund të përdorim edhe metodën e dënimit negativ. Dënimi negativ nuk nënkupton dhunë fizike e as psikologjike, por nënkupton që fëmijës t’i heqim diçka që ai/ajo ka.
Shembull: Nëse fëmija posedon telefon apo Ipad personal dhe nuk i përfundon detyrat e shtëpisë në asnjë mënyrë tjetër, atëherë si dënim mundemi që ta dënojmë duke ia marrë telefonin apo Ipad-in deri sa ai të mësohet që t’i përfundojë detyrat e shtëpisë. Pra, dënimi negativ është kur i heqim diçka që ai/ajo posedon apo ka si shkak të sjelljes së padëshirueshme.
Shpërblimi
Fëmijën duhet që ta shpërblejmë. Ndoshta në fillim do të jetë e vështirë që fëmija të marrë iniciativë për t’i bërë detyrat e shtëpisë por, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe pas çdo përfundimi të detyrave, ta shpërblejmë atë sjellje të fëmijës, në këtë rast për sjelljen e dëshirueshme “përfundimin e detyrave të shtëpisë”. Shpërblimi mund të jetë i menjëhershëm dhe kohë pas kohe. I menjëhershëm është kur pas çdo përfundimi të detyrave e shpërblen me një ëmbëlsirë, shëtitje, dhuratë… etj., dhe kohë pas kohe nëse gjatë tërë javës fëmija i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe si shpërblim në njërën nga ditët e fundjavës dalim shëtitje apo njëherë gjatë muajit. Këto shpërblime mund të jenë materiale apo edhe monetare. Monetaret janë diçka me vlerë, që pas një shifre të caktuar fëmija mund të zgjedhë për të marrë çfarëdo që ai dëshiron. Shpërblimet në fillim preferohet që të jepen më shpesh, kurse me kalimin e kohës ato të rrallohen me qëllim që fëmija të bëhet i pavarur nga shpërblimi i prindërve.
Në të gjitha rastet fëmijës duhet t’i shpjegohet se pse ai/ ajo po kushtëzohet, dënohet dhe shpërblehet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.