E nxehtë / seksi + e zgjuar + e qeshur = E duhura
Por, studime pas studimeve na dalin gjëra dhe cilësi të reja që një femër duhet të ketë për të qenë idealja e mashkullit! Sipas një studimi të revistës “Emocion”, meshkujt pëlqyen më shumë femrat e qeshura ku dukeshin edhe pak dhëmbët, ndërsa femrat parapëlqyen më shumë meshkujt serioz. Buzëqeshja konsiderohet si pjesë femërore, jo e egër, e brishtë dhe e nënshtruar, e bindur, e relaksuar dhe mirë me veten.
Ndërsa studiuesit kanadez kanë gjetur se meshkujt tërhiqen më shumë nga femrat të cilat qeshin me shakatë e tyre edhe kur ndoshta janë bajate. Nga meshkujt e pyetur 75% thonë se sensi i humorit është karakteristik që femrat duhet ta kenë. Turivarurat, negativet janë të lodhshme. Nuk përbën më tashmë lajm që meshkujt pëlqejnë gjoksin e madh! Sipas studimit, del se meshkujt që pëlqejnë seksin që ju sjell rasti apo fati i momentit, ndikohen nga madhësia e gjoksit të femrës. Gjoksi i madh në të pavetëdijshmen e meshkujve tregon pjellori prandaj edhe tërhiqen nga madhësia. Revistat, imazhet dhe pornostaret janë pothuajse gjithmonë me gjoks të madh. Askush nuk e privon veten për t’i çuar sytë te një gjoks i madh! Në përgjithësi mendohet se njerëzit e gjatë janë më tërheqës se ata më të shkurtër, por kjo nuk është apriori sepse kemi raste që vërtetojnë të kundërtën. Por studimet tregojnë se meshkujt pëlqejnë femrat me këmbë të gjata. Arsyet mund të jenë individuale, ndërsa përgjigja e përgjithshme: Duken më seksi! Nga ana tjetër gjatë studimeve ka dalë se meshkujt pëlqejnë katër herë më shumë femrat me këmbë të vogël, që duken më të bukura, gjë që na tregon se meshkujt e konsiderojnë këmbën e vogël si më femërore dhe më tërheqëse. Në gazetën e studimeve të seksit, meshkujt raportojnë se ndihen më të kënaqur kur partneret e tyre janë të shkolluara, por nga ana tjetër raportojnë të jenë më të pakënaqur nga martesat kur shtylla e familjes është gruaja.
Një listë pafund se si duhet të jenë femrat dhe po ashtu studime të pashtershme se çfarë duan meshkujt. A është ky realiteti femëror? A nuk i duhet femrave të “luftojnë” dhe të përballen çdo ditë me realitetin e egër mashkullor në të gjithë botën? A nuk janë të diskriminuara që në momentin e lindjes në disa vende dhe në disa të tjera mund t’i martojë familja që fëmijë?
Nëse një femër “tradhton”, diskutohet pa marrë parasysh rrethanat ndërsa për një mashkull quhet thjesht një hutim i momentit, sepse nuk “u përmbajt” dot. Kur një femër hyn në një marrëdhënie tjetër dhe është e martuar, meshkujt e quajnë “të fortë” sepse projektojnë menjëherë se çfarë do të bënte ai nëse do të ishte femra e tij. Ne diskutojmë gjatësinë, buzëqeshjen, gjoksin dhe më pas i dërgojmë femrat të punojnë arat në fshat, të bëjnë gjithë punët për të mbajtur shtëpinë, të rrisë dhe të edukojë fëmijë të shëndetshëm dhe të sjellshëm.
Jemi ne dhe media që krijon konfuzitet në realitet, sepse dërgojmë mesazhe të dyfishta: seksi, e bukur, lozonjare, e shkolluar, të punojë fort, të mos flasë shumë, të dijë të rrisë fëmijë, të mos thotë asnjëherë që jam lodhur. Nëse do të na jepej mundësia të bënim një udhëtim nëpër botë, atëherë do të përballeshim me realitetin e femrës: disa të cilat po “përleshen” me burrat në pozicione drejtimi dhe disa të tjera që vazhdojnë t’i binden fuqisë mashkullore për t’i shpëtuar dënimit me goditje me gurë! Femrës i është dashur ndër shekuj që të luftojë fort për të arritur deri këtu ku meshkujt me shumë sforco e kanë pranuar së jashtmi se kërkohet mirëkuptim dhe se nuk mundet të kërkojë femrën ideale në shtrat pasi ajo ka bërë gjithçka gati edhe për të nesërmen në mëngjes!
Jam e mendimit se duhet të ndërgjegjësohemi se ne qeniet sociale jemi të bukur shpirtërisht; ka ndërveprim të pastër nëse kuptohemi me sy dhe e ndjejmë tjetrin në atë që do të përcjellë; rrjedha e jetës do të jetë më e lehtë nëse nuk i vendosim barriera me lista pafund se si duhet të jemi dhe si duhet të sillemi; të fillojmë ta lejojmë veten dhe shpirtin të NDIEJË!
Meshkuj e dinë se aty nuk ekziston një femër ideale, prandaj kur vjen moment për t’u martuar bëjnë kompromise që të ndihen mirë në marrëdhënie. Ata duan dikë në jetën e tyre që ta kenë si: Shoqe, partnere dhe të dashur.
Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA” në numrin 106
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.