Ngado që hedh sytë ka gjëra për të bërë, por nuk di se nga t’ia nisësh. Detyrime për t’u përmbushur, fatura për t’u paguar, shtëpia rrëmujë, puna e lodhshme… Me pak fjalë, jeta jote është bërë lëmsh e nuk mund ta kontrollosh atë.
Të ndjerit nën këtë presion të vazhdueshëm, padyshim shkakton stres dhe në fakt, kur jemi të stresuar, alarmohemi, përpiqemi fort të rezistojmë dhe me raste i dorëzohemi rraskapitjes nëse stresi vazhdon gjatë në kohë.
Një situatë mund të jetë stresuese nëse ne e perceptojmë atë si të tillë. Gjatë përvojave jetësore, bazuar në aftësitë njohëse, njeriu “vendos” nëse një situatë e caktuar përfaqëson stres ose jo. Ndodh të ndjejmë çudi me veten kur në periudha të caktuara, momente me të njëjtën ngarkesë emocionale nuk përjetohen njësoj nga ne. Po ashtu, ajo çka përbën rrezik për një individ mund të përbëjë sfidë për një individ tjetër, duke na dhënë kështu dy pamje të ndryshme të mënyrës së reagimit të individëve përballë të njëjtës situatë stresante.
Një pjesë e njerëzve reflektojnë një qasje drejt situatës stresante në mënyrë më të drejtpërdrejtë, duke u përpjekur të ndryshojnë situatën që përbën rrezik, ndërkohë që të tjerë, duke shpenzuar shumë emocionalitet, bëjnë përpjekje të gjejnë forma e arsyetime se si të ndjehen më mirë në situata të ngjashme.
Vështirë të thuhet se ekziston një mënyrë e vetme apo mënyrë më e mirë për të përballuar stresin. Nëse keni mundësi për ta ndryshuar situatën stresonte në favorin tuaj, atëherë përballja e drejtpërdrejtë me personin apo situatën e krijuar do të ishte zgjedhja e duhur ashtu sikundër fokusimi në emocionet në rastet kur nuk mund të ndryshoni situatën.
Gjithsesi, çfarëdo që ju ndihmon që ju të minimizoni stresin është mënyra më e mirë për ju.
Ekziston një mënyrë e cila fokusohet në ndryshimin e këndvështrimit të ndjesisë së të qenit “i mbytur” prej angazhimeve dhe trysninë së tepërt: transformimi në veprime të favorshme që ju ndihmojnë të ktheni rrezikun në sfidë. Pra, të ndryshoni qasjen ndaj situatës stresante dhe ta konsideroni si diçka që ju jep shansin të rriteni më shumë, të bëni më shumë përpjekje rreth të ndjerit mirë.
Njohja e aftësive të vetes, reflektimi dhe të parit e vetes të aftë për të menaxhuar stresin është një mënyrë për ta përballuar atë e për të gjetur hapa për zgjidhjen e situatës.
Situata stresante që krijohen kur njeriu humbet balancën si pasojë e angazhimeve të shumta dhe kërkesave për përmbushjen e shumë detyrimeve njëkohësisht bëjnë që ai të ndjejë se ndodhet mes një rrëmuje të pazgjidhshme.
1. Njohja e aftësive dhe besimi apo të ndjerit se keni forcë të përballoni gjendjen, ju jep edhe motivimin e duhur për të bërë hapa drejt zgjidhjes apo minimizimit të stresit.
2. Ndërmerrni hapa që ju ndihmojnë ta shihni situatën e krijuar si të kontrollueshme. Hap pas hapi shkaqet e situatës ku ndodheni do të largohen.
3. Ndërkohë, kur vazhdimësia e jetës bëhet stresante dhe e ashpër, mundohuni të fokusoheni në forcën tuaj të brendshme dhe aftësitë tuaja, si dhe merrni nën kontroll situatën.
4. Mendoni cilat janë mënyrat më të mira për ta përballuar situatën dhe filloni t’i vini ato në zbatim. Me shumë gjasa, jeta do rifillojë të rrjedhë natyrshëm, mjaft të keni besim e t’i vini në pah aftësitë tuaja.
Të ndjehesh i plotësuar në jetë nuk do të thotë se gjërat do të shkojnë më së miri e pa probleme gjithmonë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.