Në fokus

April 8, 2019 | 8:20

Nga Griselda Shametaj: Përqasja e vetëvlerësimit në funksionimin psikoemocional tek individë të ndryshëm në shoqëri

Si psikologe u motivova për të shprehur mendimin tim kritik mbi këtë temë, pasi kam qenë përherë e interesuar tek çështja e vetëvlerësimit si një koncept i gjerë i psikologjisë së personit dhe fushave, koncepteve ku ai përfshihet.

Nga Griselda Shametaj, psikologe klinike

Nga Griselda Shametaj, psikologe klinike

Kam vënë re rolin e tij që luan në psikologjinë e njeriut, në përballjen e tij ndaj stresit dhe frustacioneve, në humorin e tij, në bashkëpunim me të tjerët, e kështu me radhë. Po ashtu vetëvlerësimi i ulët ka një rol të rëndësishëm edhe në fushat e psikologjisë, si për shembull: në psikologjinë anormale, ku vetëvlerësimi i ulët është shkak dhe simptomë në çrregullimet e humorit depresiv dhe në fobi të ndryshme. Kjo më ka bërë që ta shoh atë si një koncept intrigues dhe të rëndësishëm në njohjen e psikikës njerëzore. Në fakt, vetëvlerësimi  është një nga problemet personale që duket se i shqetëson të gjithë pa përjashtim, shqetëson studentët, adoleshentët, familjarët, të punësuarit, punëdhënësit dhe grupe personash të ndryshëm në rolet të cilat dalin përgjatë rrugës së jetës.

Çështja e vetëvlerësimit është një subjekt i gjerë në psikologji, por përveç si temë trajtimi të psikologëve, ky është një subjekt që u intereson të gjithë njerëzve.

self-motivation

Njeriu është një qenie që për nga natyra s’mund t’i shpëtojë dot vlerësimit të vetvetes, qoftë ky i mirë apo i keq. Problemi kryesor që personi ndeshet në çështjen e vetëvlerësimit, është se pse pikërisht ai ka atë vetëvlerësimin që ai ka?! Përse dikush ka më tepër vetëvlerësim se ai vet, kur në fund të fundit X person nuk ka ndonjë atribut më tepër?! Cilët janë faktorët që ndikojnë në vetëvlerësimin e njeriut? Dhe ç’mund të bëhet për të pasur një vetëvlerësim të shëndetshëm?

“Vetëvlerësimi konsiderohet një komponent i rëndësishëm i shëndetit emocional, përmban si vetëbesimin ashtu dhe vetëpranimin”. Sipas psikologëve dhe studiuesve kanë qenë të shumta përkufizimet në lidhje me këtë koncept. Një ndër ta është i ashtuquajturi babai i psikologjisë së vetëvlerësimit, “Nathaniel Branden” i cili shprehet  se “vetëvlerësimi është përvoja që ne jemi të përshtatshëm për jetën dhe kërkesat e jetës”. Më specifikisht:

1

1.Vetëbesim në aftësinë tonë për të menduar dhe për t’u përshtatur me sfidat e jetës.

2.Vetëbesim në të drejtën tonë për të qenë të lumtur, ndjesia e të qenit të vlefshëm, meritues, të kualifikuar për të kërkuar nevojat dhe dëshirat e për të marrë kënaqësi nga frutet e përpjekjeve tona.

2

 

Tipat e vetëvlerësimeve dhe karakteristikat e tyre:

Mund ta kategorizojmë vetëvlerësimin në tre tipe. Këto janë:

Vetëvlerësim i ulët

Vetëvlerësim i shëndetshëm (I lartë)

Pseudo vetëvlerësim

Vetëvlerësim i ulët:  Është “besimi që je i pa përshtatshëm, pa vlerë, që nuk meriton dashuri dhe i pazotë”.  Janë personat që karakterizohen nga një respekt i vogël për veten e tyre, nuk kanë besim tek aftësitë e tyre dhe në vend që t’i bëjnë ballë sfidave dhe problemeve të jetës, shpeshherë i shmangen dhe tërhiqen. Karakteristikë për vetëvlerësimin e ulët është biseda negative me veten, që çon në rreth vicioz të të menduarit. Janë personat që e kanë të vështirë të jenë të pavarur dhe si rrjedhojë, priren të krijojnë varësi nga të tjerët kur janë në vështirësi dhe shmangin përgjegjësinë. Vetëvlerësimi i ulët shoqërohet me ndjesi frike dhe ankthi. “Sorensen” e përkufizon dhe e përshkruan si një çrregullim, në të cilin individi e shikon (e mendon) veten si të papërshtatshëm, të pa vlerë, jo i dashur nga të tjerët dhe të papërgjegjshëm.

Vetëvlerësimi i shëndetshëm (I lartë): Janë racionalë. Domethënë, mendimet e tyre nuk janë me natyrë negative, por të arsyeshme, nuk kanë prirje ta shikojnë veten, situatën dhe të tjerët në dritën e keqe. Të arsyetuarit e tyre është praktik, funksional dhe realist. Me realist nënkuptohet që kanë një vetëkoncept të saktë për veten e tyre jo të ekzagjeruar dhe dinë mirë se për çfarë mund të jenë të përshtatshëm dhe se çfarë jo. Personat me vetëvlerësim të lartë nuk pohojnë se janë të plotfuqishëm, por e shohin veten në mënyrë realiste, me të mirat dhe kufizimet e tyre. Në të njëjtën kohë ato kanë prirje ta pranojnë veten dhe të kenë ndjesi të mira për veten, pra ta duan atë.

self-motivation-linkedln-678x381

Janë intuitivë. Domethënë, kanë besim në vendimmarrjen e tyre, nuk kanë nevojë domosdoshërisht për ta menduar gjatë se çfarë vendimi do të marrin, mbështeten në intuitën e tyre. Kanë kreativitet. Do të thotë që janë të motivuar për të krijuar, për të bërë gjëra të reja dhe vlerësojnë idetë vetjake. Vlerësojnë produktin e mendjes së tyre.

Janë persona të pavarur, pra mbajnë përgjegjshmëri për veprimet e tyre, nuk kanë nevojë të jenë të varur nga të tjerët për t’u ndierë të sigurt. Janë fleksibël. E ndryshojnë mënyrën e tyre të sjellurit dhe të përshtaturit sipas situatës dhe përshtaten me idetë, metodat apo rrethanat e reja. Të aftë për të menaxhuar ndryshimet. Kjo do të thotë që nuk i shohin ndryshimet si kërcënuese ose të sikletshme për to, por janë të aftë të përshtaten me ndryshimet. Vullnet për të pranuar dhe korrigjuar gabimin. Personat me vetëvlerësim të shëndetshëm pranojnë gabimin dhe priren ta korrigjojnë atë duke e parë si diçka normale dhe jo kërcënuese. Mirëdashja dhe bashkëpunimi me të tjerët, gjendet te personi me vetëvlerësim të shëndetshëm, sepse ai ndihet mirë me veten, dhe këtë e pasqyron me marrëdhëniet me të tjerët. Empatia dhe kompasioni janë veçori të personave me vetëvlerësim të shëndetshëm.

Pseudo vetëvlerësim: Është një pretendim që një person me vetëvlerësim të ulët mund të krijojë për veten e tij si maskë për të fshehur vetëvlerësimin e ulët, kjo për shkak të ankthit që krijon përballja me atë se çfarë ai vërtet është në mos arritjen e një vetëvlerësimi të shëndetshëm. Pseudo vetëvlerësimi është një iluzion, një vetëpretendim që krijojmë për veten për t’iu shmangur ankthit që vjen në përballjen me realitetin e gjërave. Këto persona zakonisht krijojnë një imazh dhe vetëkoncept për veten e tyre jashtë binarëve, për të fshehur dhe për t’ju shmangur ndjesisë së inferioritetit që i shkakton ankth dhe dhimbje.

Vlerat mbrojtëse e çojnë personin  për t’u kapur pas tyre në mënyrë për të shpëtuar nga vetëdija për problemet dhe mangësitë e vërteta të tij. Një vlerë mbrojtëse për shembull mund të jetë: një makinë luksoze që një person mund të zotërojë. Ai mund të ndihet krenar për të, të vetëlartësojë veten, por të pasurit e një makine luksoze nuk e rrit vetëvlerësimin e njeriut, siç ky person mund të pretendojë. Ato mund të jenë vlera reale, por pa lidhje me aspektet kryesore të jetës dhe personalitetit të personit ku ai çalon. Për shembull, një vajzë me pseudo vetëvlerësim mund të kapet pas bukurisë së saj që mund të jetë reale, dhe të mundohet të japë përshtypje të njëjtë mbi vlerësim e vetes, por jeta e kësaj vajze mund të çalojë në shumë drejtime si inkopetencë për të bërë ndonjë gjë vetë pa varësinë e të tjerëve.

Në shkollë mund të shkojë shumë keq dhe të jetë e pa zonja për ta përballuar, të ketë probleme me familjarët, shoqërinë etj. Personat me pseudo vetëvlerësim kanë karakteristikë të jenë mendjemëdhenj jo në pak raste, arrogantë, egocentrikë, i shohin të tjerët si të bërë për t’u përdorur për qëllimet a nevojat e tyre. Personat me pseudo vetëvlerësim kanë një nevojë për t’u shfaqur me më superioritet ndaj të tjerëve, në kuptimin që priren t’i krahasojnë duke i zhvlerësuar të tjerët dhe t’i ulin atyre vlerat si persona, kështu për të konstatuar që ato janë më të mirë, pra për të mbrojtur pseudo vetëvlerësimin e tyre.

Vetëvlerësimi është një çështje që qëndron në qendër të shëndetit mendor, është çështja kryesore për të pasurit e një jete psikologjikisht të shëndetshme. Për të kuptuar dhe punuar mbi vetëvlerësimin e njeriut është e rëndësishme të kihet parasysh personaliteti i individit dhe jo vetëm proceset konjitive dhe roli shoqëror.

Duke u bazuar në teoritë që flasin për vetëvlerësimin, do ishte mirë të bëheshin disa rekomandime në lidhje se çfarë mund të bëjmë për ta përmirësuar vetëvlerësimin personal.

Të forcosh vetëvlerësimin në radhë të parë do të thotë të njohësh veten dhe kjo sado fjalë e thjeshtë të duket, ka vështirësitë e veta. Zakonisht njeriu modern duke qenë shumë i përfshirë në vorbullën e jetës së përditshme, harron të merret me veten e tij. Dhe këtu nuk e kam fjalën për të dëfryerit, por për aspektin shpirtëror dhe ekzistencial të vetes. Njeriu është një qenie që mendon dhe s’duhet të harrojë që këtë veçori ta përdorë edhe për introspeksionin e vetes, në të njohurit më mirë të vetes dhe jo vetëm, ta përqendrojë atë së jashtmi.

  1. Përpiquni të ndaloni mendimet negative, në qoftë se jeni të fokusuar në aspektin negativ të vetes.
  2. Filloni të mendoni mbi aspektet pozitive të saj. Madje çdo ditë mendoni 3 gjëra pozitive që ju bëjnë të lumtur. Gjithashtu kënaquni duke shpenzuar kohë me njerëzit që doni.
  3. Shikojini gabimet si mundësi, pranoni që edhe ju gaboni, sepse gabimet janë pjesë e të mësuarit. Njihni çfarë mund të ndryshoni dhe çfarë nuk mund të ndryshoni dhe filloni ta doni veten për atë që jeni.
  4. Kontribuoni me diçka, bëni diçka që mund të ndihmoni të tjerët sepse kjo do të bëjë që të tjerët t’ju vlerësojnë.
  5. Nuk është asnjëherë vonë për të ndërtuar një vetëvlerësim të shëndetshëm, pasi vetëvlerësimi luan një rol kryesor në çdo gjë që bën, në marrëdhëniet që krijon me të tjerët apo në suksesin që ai arrin.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top