Obeziteti, abuzimi me alkoolin, sëmundjet e trashëguara dhe hepatitet janë disa prej shkaktarëve për dëmtimin e mëlçisë. Sipas mjekes gastrohepatologe, Ada Myrto, cirroza hepatike është një patologji që vjen si pasojë e një infeksioni apo inflamacioni kronik, ku qelizat normale të mëlçisë dëmtohen dhe zëvendësohen me ind fibrotik. Inflamacioni i vazhdueshëm bën që indi fibrotik të zërë pjesën më të madhe të organit të mëlçisë dhe stadi përfundimtar i këtij dëmtimi është cirroza.
“Mëlçia në saje të zëvendësimit të qelizave të saj, bëhet më e vogël dhe më e fortë në konsistencë. Si pasojë dëmtohen dhe funksionet e mëlçisë, sikurse pamundësia për të eliminuar bakteret dhe toksinat nga gjaku, pamundësia për të kontrolluar metabolizimin e lëndëve ushqyese, hormoneve dhe medikamenteve, pamundësia për të prodhuar proteina që rregullojnë koagulimin e gjakut, ruajtjen e presionit osmotik, pamundësia për të prodhuar bilën, e cila ndikon në thithjen e yndyrave dhe të disa vitaminave”, pohon doktoresha, e cila na njeh edhe me shenjat e para të cirrozës hepatike, komplikimet që aplikohen.
SHKAKTARËT QË MUND TË ÇOJNË NË SHFAQJEN E CIRROZËS HEPATIKE
Çdo shkak që çon në dëmtim kronik të mëlçisë, mund të çojë në stadin e cirrozës. Ndër shkaktarët kryesorë të mëlçisë janë hepatitet virale (B, C dhe D), abuzimi me alkoolin (në vendet e zhvilluara është shkaku më i shpeshtë i cirrozës), sëmundjet autoimune, sëmundjet metabolike (steatoza hepatike joalkoolike, hemokromatoza, semundja Willson). Obeziteti kohët e fundit po bëhet një shkak i shpeshtë i dëmtimit të mëlçisë, kur ky paraqitet qoftë vetëm apo i kombinuar me shkaktarë të tjerë, si alkooli dhe hepatiti C. Shumë pacientë me cirrozë paraqesin më shumë se një shkaktar .
HEPATITI KRONIK C
Virusi i hepatitit C është një infeksion i mëlçisë, i cili transmetohet përmes kontaktit me gjakun e personit të infektuar. Burimet më të shpeshta të prekjes nga ky infeksion janë transfuzionet e gjakut, ndërhyrjet kirurgjikale, shpimi me age të kontaminuara, ndërhyrjet dentale, kontakti seksual, ndonëse përçimi i këtij virusi përmes kontaktit është i rrallë.
HEPATITET KRONIKE B DHE C
Virusi i hepatitit B shkakton një infeksion të mëlçisë, i cili transmetohet përmes kontaktit me gjakun e personave të infektuar, përçimi përmes kontaktit seksual me këtë virus është shumë më i shpeshtë se në rastin e infektimit nga virusi i hepatitit C. Infektimi nga hepatiti D ndodh vetëm te pacientët që janë paraprakisht të infektuar nga hepatiti B. Ajo që duhet të kemi parasysh në rastin e infektimit nga hepatiti B dhe C është se ata mund të çojnë në cirrozë hepatike, është në rast infektimi kronik nga këto viruse dhe jo ai akut. N.q.s pas rënies në kontakt me virusin, ky i fundit jep dëmtim kronik apo akut, kjo gjë lidhet me vetë imunitetin e të infektuarit. Në rast kronicizimi, qëndrimi për një kohë të gjatë deri më shumë vite në organizmin e njeriut dhe në mënyrë specifike në mëlçinë e tij, mund të çojë në dëmtim gradual të mëlçisë e si përfundim dhe në mëlçinë cirrotike. Kjo gjë nuk do të thotë që të gjithë pacientët e prekur nga hepatiti kronik arrijnë në një moment të caktuar të jetës në stadin e cirrozës hepatike.
ALKOOLI
Në vendet e industrializuara, siç e përmendëm më lart, është faktori më i shpeshtë i dëmtimit të mëlçisë dhe që çon në shfaqjen e cirrozës hepatike. Dëmtimi kronik i mëlçisë në këtë rast është i lidhur ngushtë me sasinë e alkoolit të përdorur dhe kohëzgjatjen me abuzimin, si dhe një faktor i rëndësishëm është dhe predispozita gjenetike e këtyre personave për të dhënë dëmtime në mëlçi. Nga përdorimi i alkoolit me predispozitën gjenetike lidhet dhe fakti që jo të gjithë personat që abuzojnë për një kohë të gjatë dhe në sasi të madhe shfaqin cirrozë hepatike.
OBEZITETI
Hepatiti steatozik joalkoolik shpesh lidhet me obezitetin dhe abuzimin me ushqimet. Në popullatën e përgjithshme (të shëndoshë) e hasim shpesh dhe e vërtetojmë nëpërmjet analizave të gjakut e nëpërmjet ekografisë, ku e hasim shpesh me termin mëlçi e dhjamosur. Në format më të avancuara, indi dhjamor mund të akumulohet në mëlçi, kjo gjë nxit inflamacionin e mëlçisë, derisa kjo e fundit mund të dëmtohet shumë derisa të shfaqë dëmtim të arkitekturës e si pasojë dhe cirrozën. Cirroza hepatike me origjinë nga hepatiti steatozik joalkoolik, po shfaqet gjithmonë e më shpesh si pasojë e konsumimit të një diete jo të balancuar.
HEPATITET AUTOIMUNE
Hepatitet autoimune çojnë në cirrozë. Kjo formë inflamacioni e mëlçisë shkaktohet nga sistemi imunitar, i cili “çmendet” dhe dëmton vetveten e në rastin tonë vetë qelizat e mëlçisë. Si pasojë e dëmtimit të vazhdueshëm në kohë, qelizat e dëmtuara zëvendësohen me ind fibrotik dhe në stade më të avancuara cirroze. Faktorët gjenetikë i bëjnë disa persona më të ndjeshëm nga sëmundjet autoimmune. Rreth 70% e personave të prekur nga hepatiti autoimun janë të gjinisë femërore.
SËMUNDJET KOLESTATIKE
Sëmundjet kolestatike janë sëmundje që dëmtojnë dhe shkatërrojnë rrugët e rrjedhjes së bilës. Duktuse biliare quhen rrugët përmes të cilave bila, e cila është lëndë që prodhohet nga qelizat e mëlçisë, arrin deri në tubin tretës, në mënyrë që të treten produktet e marra me ushqim. Në rast se këta duktuj janë të dëmtuar apo të shkatërruar, bila akumulohet në mëlçi dhe kjo gjë e dëmton mëlçinë, çon në inflamacion kronik e deri në cirrozë. Kur shkaku është me origjinë autoimune, janë vetë qelizat e organizmit që dëmtojnë duktuset dhe ky inflamacion në fund çon në të ashtuquajturën cirrozë biliare primare. Kur këta duktuj dëmtohen si pasojë e rrëshqitjes së gurëve të tëmthit në rrugët biliare apo një dëmtim i shkaktuar nga ndërhyrjet kirurgjikale, kemi të bëjmë me cirrozë biliare sekondare.
SËMUNDJET E TRASHËGUARA
Sëmundje të trashëguara sikurse hemokromatoza dhe sëmundja Willson, të cilat shkaktohen përkatësisht nga mbingarkesa me hekur dhe me bakër e mëlçisë, në rast mosmjekimi çojnë në dëmtim kronik të mëlçisë dhe si përfundim në cirrozë hepatike.
MEDIKAMENTET, TOKSINA DHE INFEKSIONET
Arsye tjetër e sëmundjes cirrotike janë abuzimi me medikamentet, ekspozimi për një kohë të gjatë me lëndët kimike, infeksionet e përsëritura parazitare, insuficienca kardiake kronike, te këta të fundit fillon dhe vuajtja hepatike, e cila çon deri në cirrozë.
SIMPTOMAT DHE NDËRLIKIMET
Shumë pacientë në fazat fillestare të dëmtimit të mëlçisë në stadin e cirrozës, nuk shfaqin simptoma dhe zakonisht, kur simptomat mungojnë, ata ndodhen në fazën e kompensuar të sëmundjes. Mëlçia e tyre ka akoma rezerva për të ruajtur funksionet e saj. Me avancimin e sëmundjes fillojnë të shfaqen simptomat, si: dobësi trupore, mungesë oreksi, të përziera, të vjella, rënie në peshë, dhimbje dhe fryrje barku si pasojë e akumulimit të likidit peritoneal, kruarje trupi, zverdhje të lëkurës, ënjtje të këmbëve, hemorragji nga variçet e ezofagut dhe stomaku (e cila shprehet me të vjella me gjak, apo defekim me gjak), humbje të orientimit, ndryshime të personalitetit, nervozizëm, teleangioektazira (shfaqjen e kapilarëve në lëkurë).
EDEMAT DHE LIKIDI ASCITIK
Siç e përmendëm dhe më sipër, me avancimin e sëmundjes, mëlçia i ka humbur qelizat e saj dhe këto janë zëvendësuar nga ind cikatricial i paaftë për të kryer funksionin e qelizave të mëlçisë, dhe si pasojë nuk prodhohen proteina që janë shumë të nevojshme për të ruajtur presionin e gjakut, si pasojë ndodh ekstravazimi, dhe akumulimi i lëngjeve në hapësirën peritoneale në nivel të barkut (barku si bretkosë) vërehen dhe edema në pjesën e poshtme të këmbëve. Vetë ky likid që ndodhet në hapësirën peritoneale mund të infektohet dhe ta ndërlikojë më shumë gjendjen.
PRIRJA PËR HEMORRAGJI
Pacientët vërehen shpesh me njolla të nxira në lëkurë (njolla gjaku), gjak nga hundët. Këto simptoma lidhen me mungesën e prodhimit të proteinave të koagulimit, të cilat bëjnë të mundur ndalimin e gjakrrjedhjes. Këta pacientë kanë vështirësi në koagulimin e gjakut.
VARIÇET E EZOFAGUT DHE GASTROPATIA
Normalisht gjaku i ardhur nga zorra i pasur me lëndët ushqimore të tretura bashkohet me enën e gjakut, që vjen nga shpretka dhe kalon në mëlçi përmes një vene që quhet Vena Porta. Në mëlçinë cirrotike struktura e fortë dhe e deformuar e mëlçisë bën që fluksi i gjakut të ngadalësohet e të rritet presioni, dhe ky presion i rritur shkakton hapjen e disa enëve të reja gjaku që në mënyrë normale nuk kalon gjak. Këto enë ndodhen në regjionin e ezofagut dhe stomakut, rritja më tepër e presionit bën që këto enë të çahen dhe të ketë hemorragji, që mund të çojë deri në humbjen e jetës së pacientit. Shfaqja e hemorragjisë është urgjencë.
SHPRETKA E ZMADHUAR
Në momentin që rritet presioni në Venën Porta, shpretka ka tendencën të zmadhohet dhe si pasojë do të ulë nxjerrjen në qarkullim të disa qelizave të gjakut, trombocitet dhe leukocitet. Edhe trombocitet apo pllakëzat e gjakut luajnë rol të rëndësishëm në ndalimin e hemorragjisë dhe një numër i ulët i tyre zgjat hemorragjinë. Trombocitet e ulëta mund të jenë një nga shenjat e para të një të sëmuri me cirrozë hepatike akoma në fazë të kompensuar.
IKTERI
Është një simptomë, e cila paraqitet me zverdhje të lëkurës dhe pjesës së bardhë të syrit, si dhe me errësim të ngjyrës së urinës. Kjo simptomë shfaqet kur mëlçia e dëmtuar nuk arrin dot të eliminojë bilirubinën, e cila është një pigment që krijohet nga shkatërrimi i qelizave të kuqe të gjakut. Ikteri është një shenjë, e cila tregon për dëmtim të theksuar të mëlçisë, shfaqet vonë gjatë dekursit të sëmundjes. Pacientët shpesh kanë dhe ndjesi e kruarjes, gjë e cila u shton akoma më shumë nervozitetin.
ENCEFALOPATIA HEPATIKE
Nënkupton uljen e funksioneve të trurit. Pacienti vërehet konfuz, vërehen ndryshim në personalitet, humbje e kujtesës, vështirësi në përqendrim, ndryshim të gjumit. Encefalopatia hepatike shfaqet kur toksinat që prodhon organizmi nuk arrijnë të pastrohen apo të detoksikohen nga qelizat e mëlçisë dhe këto toksina akumulohen në gjak, e përkatësisht në tru, shfaqin simptomat e mësipërme. Në rastet më të rënda, pacienti arrin deri në komë hepatike.
NDJESHMËRI NDAJ MEDIKAMENTEVE
Mëlçia e dëmtuar has vështirësi që të eliminojë medikamentet nga organizmi. Medikamentet qëndrojnë për më shumë kohë në organizëm, rritet ndjeshmëria ndaj medikamentit e për pasojë dhe efektet anësore të tij. Insulino rezistenca dhe diabeti i tipit II Në sfondin e cirrozës hepatike, organizmi prodhon rezistencë ndaj hormonit të insulinës. Në këto raste hormoni i insulinës prodhohet normalisht nga pankreasi, por janë qelizat e organizmit që nuk përgjigjen ndaj tij. Në këtë mënyrë, glukoza qëndron në gjak dhe nuk futet brenda në qeliza, me pasojë shfaqjen e diabetit të tipit II.
KANCERI I MËLÇISË
Ndërlikim tjetër i rëndë në rastin e sëmundjes së mëlçisë është kanceri i mëlçisë, i cili mbivendoset në një mëlçi cirrotike. Shfaqjet më të shpeshta të kancerit të mëlçisë janë rastet kur pacienti ka vuajtur nga hepatitet kronike B dhe C.
DIAGNOZA
Diagnoza vendoset përmes historisë së sëmundjes së pacientit, shenjave dhe simptomave klinike, ekzaminimit fizik të pacientit, më pas fillohet me ekzaminimet rutinë, ku futen analizat e gjakut, ekografia abdominale, e cila na lejon të shohim strukturën e mëlçisë, konturet e saj, gastroskopia nëpërmjet së cilës arrijmë të vlerësojmë praninë e variçeve të ezofagut, gastropatinë e stomakut. Ndonjëherë mund të lindë nevoja dhe për të bërë biopsi hepatike. Në vendet jashtë Shqipërisë, për të përcaktuar gravitetin e cirrozës hepatike te të sëmurët më rëndë, përdoret një klasifikim që quhet MELD, nëpërmjet disa parametrave biokimikë, sikurse INR, kreatinina dhe bilirubina. Sipas pikëzimit që u jepen vlerave të tyre, përcaktohet probabiliteti për mbijetesa për 90 ditët e ardhshme.
TRAJTIMI
Qëllimi i trajtimit në cirrozë hepatike varet shumë nga zbulimi i shkakut që e ka dëmtuar mëlçinë dhe mundësia për ta trajtuar atë. Terapia ka dy qëllime: Ngadalësimin e avancimit të cikatrizimit të organit të mëlçisë. Është e rëndësishme një dietë e ekuilibruar, duhet të shmanget mbipesha, të eliminohet përdorimi i alkoolit dhe duhanit. Rekomandohen disa kufizime në dietë, sikurse një dietë e varfër me kripë, e në raste të caktuara dhe e varfër me proteina shtazore. Rekomandohet marrja e disa suplementeve orale, sikurse vitamina A, E, D, K, si dhe disa enzimave pankreatike dhe acideve biliare, në mënyrë që të ndihmohet tretja. U rekomandohet zëvendësimi i mungesave të hekurit apo vitaminës B12 dhe acidit folik. Në rastet kur pacienti është mbartës i hepatitit B, duhet mjekuar edhe virusi B, në mënyrë që ngarkesa virale të jetë e ulët dhe të mos e dëmtojë edhe më tej mëlçinë paraprakisht të dëmtuar. Rekomandojmë përdorimin e medikamenteve bbllokuese, ligatura e variçeve si masa parandaluese për shfaqjen e hemorragjisë. Jashtë Shqipërisë është e mundur dhe një metodë tjetër parandaluese e hemorragjisë që quhet TIPS. Zgjidhja përfundimtare e sëmundjes në stadin e cirrozës hepatike është transplanti i mëlçisë. Klasifikimi MELD është shumë i rëndësishëm për personat që futen në listën e transplantit./PANORAMA
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.