Atmosfera e rënduar nga kriminaliteti, korrupsioni dhe padrejtësia ndikojnë direkt në jetën e njeriut dhe prishin ekuilibrin mendor e shpirtëror të tij. Njeriu i sotëm me sistem nervor të rraskapitur, me perspektivë të paqartë, zhytet në botën e informacionit pa e përtypur atë dhe e humbet vendin e tij në këtë proces. I varfëruar shpirtërisht, i ngatërruar në rrjetën e kontradiktave, përgjithësisht i pashpresë në përpjekjet për të realizuar ëndrrat e tij, njeriu vazhdon të humbasë vlerat e tij humane dhe ndjehet i vogël shpirtërisht. Plot njerëz pushtohen nga dëshpërimi, bien në korrupsion e degjenerim dhe zhyten në kënaqësinë e atrofizimit të logjikës, të alkoolit e drogës.
Të menduarit është për njeriun e sotëm punë shumë e lodhshme dhe jo kënaqësi, sepse vetë zhvillimi i shkencës dhe informacionit ecin me shpejtësi të madhe. Mosnjohja të lë prapa jetës dhe prapa njerëzve, të bën t’i shohësh të tjerët me syrin e lig dhe t’i urresh. Padija të varfëron shpirtin, të shkëput nga rrjedha e kohës, të ushqen urrejtjen për njeriun e ndershëm, të ushqen ndjenjat shtazarake, pasionet histerike, shthurjen seksuale, egërsinë deri në çmenduri. Kështu rritet paaftësia për të jetuar dhe njeriu bëhet kriminel.
Sot vihet re një shpërthim i urrejtjes së njeriut për njeriun, i mbylljes së njeriut në unin e tij, një zbrazëti e theksuar shpirtërore dhe kjo është e rrezikshme. Shpirti i pushtuar nga vetmia është i verbër dhe shumë pranë kriminelit. Duket se njeriu ka vetëm një qëllim të mjegulluar: Të flasë për veten, të thurë poezi për vuajtjet e shpirtit të tij, duke arritur deri në pikëllim. Duket sikur kjo të ngjall edhe mëshirë, por nuk di të gjejë zgjidhjen që kërkon jeta. Vuajtja nuk është e pamposhtur, por nuk shërohet nga poezia e pikëllimit. Vuajtja nuk duhet parë si faji i të tjerëve, por si paaftësi për ta gjetur rrugën e të vërtetës. Njerëzit po lodhen duke dëgjuar rënkime. Ulërima e dëshpërimit të njeriut tregon se, ai e ka humbur qëllimin e jetës dhe duhet ndihmuar për ta rikthyer në jetë e jo për t’i fshirë lotët.
Por, inferioriteti i shoqërisë po arrin në kufijtë fatalë. Njerëzit shpirtzinj kanë rrëmbyer ekonominë dhe bëjnë ligjin. Në këtë realitet, njerëzit e mirë ndjehen të dërmuar shpirtërisht dhe të shfrytëzuar në të gjitha drejtimet. Shumë njerëz e ndjejnë veten të vegjël, të paaftë për ta gjetur rrugën e drejtë, ndihen të lodhur e të mërzitur dhe shndërrohen në armiq të njerëzimit. Njerëz të tillë janë të rrezikshëm e kriminelë dhe priren për ta kapërcyer arsyen, duke strehuar mendimet e tyre në prehrin e ideologjive fantazma.
Horizonti i dijeve dhe inteligjenca pozitive e ngrenë njeriun në piedestalin e nderuar, e shkëpusin ata nga llumi i injorancës dhe mbisundimi i instinkteve shtazarake. Në jetë nuk mjafton vetëm ta shfrytëzosh dijen, por edhe ta asimilosh atë. Në jetë nuk mjaftojnë kurrë ngushëllimet, por duhet të bëhesh i aftë për të jetuar. Njeriu, i pajisur me dije dhe energji pozitive, arrin gjithmonë t’i organizojë mendimet e tij për të gjetur një zgjidhje optimale në rrugën e jetës së tij.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.