Nga Hysen Kica, shkrimtar
Është folur dhe është shkruar shumë për lirinë individuale, por mendoj se gjithmonë ka vend për të thënë diçka për këtë problem. Kanë shkruar para meje, po shkruaj unë, por edhe do të shkruajnë pas meje njerëzit që e ndjejnë për detyrë të thonë diçka.
Çfarë është liria individuale?
Liria është një koncept shumë i gjerë, që përcakton apo kushtëzon jetën dhe aktivitetin e njeriut, por ka tri drejtime themelore që mund të klasifikohen:
1 – Liria e fjalës
2 – Liria e lëvizjes
3 – Liria e aktivitetit
Pak histori
Populli shqiptar ka jetuar gjysmë shekulli i detyruar t’i mohoheshin të tria këto liri. Gjatë gjithë viteve të diktaturës komuniste ka patur liri ndoshta më pak se edhe liritë e mesjetës së hershme dhe është përshtatur apo pajtuar në heshtje me këtë mohim. Jo se ishte pajtuar në mënyrë paqësore, por me forcë. Grushti i hekurt i diktaturës ta shtypte kokën. Të gjithë ata që ngrinin krye ndaj këtij mohimi quheshin armiq, diskreditoheshin, internoheshin, dënoheshin me burg ose edhe pushkatoheshin. Mbi ta, familjen dhe gjithë njerëzit e tyre të afërt shpërthente një terror i vërtetë social-ekonomik. “I mbulonte zifti”, ishte shprehja e preferuar e shtetit dhe organeve të drejtësisë dhe, kishin gjetur një shprehje të saktë.
Gjatë viteve 1980-1990 partia e ndjeu veten jo vetëm para krizës ekonomike të pakapërcyeshme, por edhe para një shpërthimi masiv të energjive të shtypura të popullit apo edhe brenda radhëve të saj. U thye koraca e saj mashtruese dhe ajo filloi të shpërbëhej e të pjellë parti të reja. I dha popullit liri. Hapi dyert e stallave dhe tha: – Shkoni ku të doni! Jeni të lirë edhe të mbyteni në det!
Njeriu, i etur për liri, rendi si i marrosur. Kishim fituar shumë nga këta liri por, duke mos e patur as kulturën e lirisë dhe as ligjshmërinë apo shtetin përkatës që të na drejtonte, abuzuam shumë në realizimin e saj praktik. Çuditërisht mësimet e partisë nuk na ndihmonin për asgjë. Pionierët e Dullës filluan të rrëmojnë në stogjet e mbeturinave të botës, mbushën trastat, i ngarkuan ato në shpinë dhe ua sollën dhuratë prindërve të tyre. Ata nuk dinin as çfarë ishin mbeturinat. Ecëm në një rrugë të panjohur, që na kushtoi shumë vuajtje, probleme dhe jetë njerëzish. U hapën plagë të thella në ndërgjegjen, shpirtin dhe ekonominë e popullit tonë. U bë deti kos dhe populli mbeti me gisht në gojë.
Ku kemi arritur sot!
Sot i kemi garantuar të gjitha të drejtat. Jemi plotësisht të lirë të llapim gjithë ditën, të bërtasim e të shajmë pa asnjë normë morale, të ofendojmë dhe të zihemi me shokun, të kultivojmë e të shesim drogë, të blejmë e të shesim femra në rrugën e prostitucionit, të bashkëjetojmë me imoralitetin apo edhe të bëjmë krime për të torturuar e vrarë ata që na pengojnë në rrugën e poshtërsive. Shteti na ka dhënë liri. Kaluam nga regjimi stallor në lirinë e kafshëve të pyllit. Njeriu hibrid, i ushqyer me ideologjinë marksiste-leniniste të partisë ishte injorant para sukseseve madhështore që kishte arritur bota. Mbeti i mahnitur dhe kërkoi shtigje, duke aktivizuar vetëm dredhitë që i kishte mësuar partia. I duhej të depërtonte në rrjedhën e kohës dhe kjo arrihej vetëm me mënyra jo të ndershme.
A jemi ne të ndershëm!
Jemi apo nuk jemi të lirë për ta organizuar jetën dhe aktivitetin e përditshëm në shërbim të qëllimeve dhe interesave tona ekonomike, morale e sociale! Po t’i pyesësh pjesën më të madhe të njerëzve bindesh se, para së gjithash, nuk jemi të lirë të organizojmë aktivitetin ekonomik. Të mos harrojmë se problemi kryesor i jetës së njeriut është ekonomia. Jo për luks, por se nuk rrimë dot pa ngrënë. Mos e paragjykoni popullin pse do të haje. Nuk jeton asnjë gjallesë pa ngrënë dhe kështu jemi edhe ne njerëzit por, të jesh i lirë për të siguruar ekonominë, praktikisht është një mundësi e parealizueshme për shumë njerëz.
Si të bëjmë, të jetojmë apo të vdesim?
Elita, shteti dhe të pasurit i përbuzin pabuksat që kërkojnë mëshirë. Shteti është i pamëshirshëm, nuk ndihmon as edhe një të sëmurë, të shtrirë në shtratin e vdekjes, që ka nevojë të kurohet apo të operohet jashtë shtetit. Ja pra sa jemi të lirë të jetojmë apo edhe të vdesim. Të jesh apo të mos jesh, ky është problemi.
Mos harrojmë!
Liria buron para së gjithash nga një hapësirë e madhe mendore, nga një shtet ligjor dhe nga zbatimi real i drejtësisë. Vendi ynë ka hapësira dhe rezerva të mëdha ekonomike, prandaj dhe kapaciteti mendor i shtetit duhet të përvetësojë mundësitë e shfrytëzimit të tyre në shërbim të rritjes së nivelit ekonomik. Mos e mbështesim nevojën për liri tek të tjerët, por tek aftësitë tona. Mua nuk më duket e drejtë as ngasja për të ikur jashtë shtetit. Pa mundur t’i numërojmë ata që u humbën rrugëve, ata që u mbytën në det apo ata që u vranë dhe u masakruan nga bandat kriminale të hajdutëve. Ka edhe plot arsye të tjera. Në dhe të huaj je gjithmonë i huaj, duhet të varrosësh qentë e ngordhur, të ndahesh nga njerëzit e dashur, ta humbasësh ngrohtësinë e vatrës familjare, t’i thashë ndjenjat humane dhe… Të harrosh se je njeri.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.