Nga Hysen Kica, publicist, shkrimtar
Ekziston një mundësi e thjeshtë dhe shumë praktike për të komunikuar e për të njohur sa më shumë miq. Facebook-u përdoret jo vetëm për t’u argëtuar, për të mësuar të shkruani e të lexoni drejt gjuhën shqipe, të merrni dije nga fusha të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë e shkencës, por edhe të gjeni miq të mirë. Për të gjetur të tillë miq mbani mend disa rregulla shumë të rëndësishme.
Së pari duhet të mësoni t’i respektoni njerëzit dhe të kuptoni se ky është parimi themelor mbi të cilin duhet të mbështeteni që të keni sa më shumë miq. Sjellja me kulturë tregon respektin ndaj vetes dhe figurën tuaj sociale. Mos harroni kurrë se miku juaj në Facebook nuk i pranon kërcënimet, fyerjet, vetëlavdërimet apo mendjemadhësinë. Në qëndrimin më të thjeshtë, ju injoron apo edhe ju bllokon. Shmangni pyetjet, kuriozitetin e tepruar dhe shprehjet pa përmbajtje. Mundohuni ta njihni mikun tuaj dhe të shfrytëzoni afërsitë botëkuptimore.
Synoni që:
Mesazhet të jenë sa më të shkurtra
Krijoni emocione pozitive
Ngjallni kuriozitet
Jini të sinqertë
Fitoni respektin e miqve tuaj
Ka shumë raste kur njerëzit nuk prezantohen me emrin apo edhe gjininë e tyre të vërtetë prandaj mos besoni se të gjitha ato që shkruhen janë të vërteta. Facebook është edhe një lojë efikase kundër stresit, por një lojë që mund ta përdorin edhe mashtruesit. Përdoreni Facebook-un aq sa ju duhet dhe merrni prej tij ato që ju vlejnë. Mësoni t’i respektoni njerëzit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.