Psikofakt

February 12, 2018 | 10:15

Nga Hysen Kica / Në emër të dashurisë

Data 14 shkurt është dita e të dashuruarve prandaj dëshiroj të them edhe unë diçka me shpresën se mendimet e mia mund t’u vlejnë shumë njerëzve.

Dy gjëra të shpëtojnë në jetë: Dashuria dhe buzëqeshja. Nëse ju mungon njëra atëherë duhet të luftoni për ta gjetur. Nëse ju mungojnë të dyja, atëherë pyeteni veten pse jetoni. Sa poezi u shkruan dhe sa këngë u kënduan për dashurinë duke derdhur në art lumturinë, gëzimet, vuajtjet dhe pritjet plot ankth të dashnorëve! Kronikat e dashnorëve të pafat kanë qenë dhe mbeten rrugët e psherëtimave të përjetshme mbi të cilën është derdhur lot dhe art.

Në rrugën e jetës ka pasur plot njerëz që janë gëzuar me dashurinë e tyre dhe kanë jetuar të lumtur, por ka pasur edhe plot ndeshje e luftë për ta fituar apo për ta mbrojtur dashurinë. Historia e dashurisë nuk krenohet shumë për lumturinë, sepse lumturia nuk ka nevojë për asgjë tjetër, por shkruan shumë për tradhtitë, dënimet dhe vuajtjet e pafund. Askush nuk i harron dot tragjeditë më të dhimbshme në emër të dashurisë ku spikat Romeo dhe Zhulieta që u bë simboli i dënimit dhe dhimbjes më të madhe njerëzore. “Një tragjedi të tillë s’e kishte parë kurrë jeta, ashtu si e panë Romeo e Zhulieta”. Eh…Dashuria! Dashuria! Dashuria!

Ëndrra dhe dëshira më e bukur e gjithë njerëzve, ndjenja më e bukur njerëzore që të bën njëherësh të qeshësh dhe të qash si fëmijë. Ajo mbetet gjithmonë jo vetëm motivi kryesor për të cilin duam të jetojmë por edhe detyra themelore e çdo njeriu. Kur jemi të rinj na duket se jeta është një fushë e pafundme mbjellë vetëm me lule dhe rendim si të marrosur, ndoshta edhe me sy mbyllur, por realiteti nuk është gjithmonë kaq i bukur sa ëndrrat.

Shumë shpejt përplasemi për tokë, gjakosim gjunjët e zemrën dhe kuptojmë se jemi mashtruar, por mos e mallkoni jetën dhe mos dyshoni se është fundi i botës. Ngrihuni në këmbë dhe ecni përpara. Jeta të dhuron mundësi dhe hapësirë të pafundme. Mësoni të dashuroni jetën dhe njerëzit. Shkatërrimi i dashurisë është tragjedia më e dhimbshme e shpirtit njerëzor.

Dashuria ka qenë dhe mbetet gjithmonë një nga problemet themelore të jetës shpirtërore dhe reale të njeriut. Kanë shkruar dhe kanë diskutuar për dashurinë jo vetëm psikologët, poetët dhe shkrimtarët, që vlerësohen si mjeshtrit e analizave shpirtërore, por thuajse të gjithë njerëzit që kanë bërë historinë e shoqërisë njerëzore duke mos përjashtuar as krijuesit e shkencave ekzakte apo politikanët.

Flitet e diskutohet për dashurinë gjithmonë me synimin, jo vetëm të shprehur mendimet, por edhe të ndihmuar ata që vuajnë prej saj. Përgjithësisht njerëzit e kuptojnë drejt dhe e vlerësojnë forcën e saj jetësore, por ka edhe nga ata që thonë se dashuria është problem personal, ca të tjerë thonë se dashuria është problem adoleshentësh, por ka edhe plot të tjerë që e ngushtojnë dashurinë në marrëdhënien intime midis dy njerëzve me seks të kundërt.

Duke dashur të shpreh jo vetëm mendimet e mia, por edhe përmbledhjen e mendimeve të njerëzve më të shquar, që më janë dukur më të spikaturat në këtë fushë po mundohem të saktësoj kuptimin dhe vlerat e dashurisë, vendin që zë ajo në marrëdhëniet njerëzore, mënyrat si mund të gjejmë e ta mbrojmë dashurinë e vërtetë dhe detyrat që shtrohen në kushtet aktuale për të krijuar mendime dhe qëndrime sa më të drejta për dashurinë. Shpresoj që mendimet e mija t’u vlejnë atyre që ecin symbyllur në rrugën e dashurisë, atyre që ndjehen të zhgënjyer apo të pafat, por edhe atyre që ndjehen të humbur e të pashpresë në jetën e tyre, sepse për çdo njeri ka gjithmonë mundësi zgjidhje.

Rruga e dashurisë nuk është gjithmonë një rrugë e shtruar me lule, por shpesh një rrugë e mundimshme, e lodhshme dhe me plot zhgënjime e tradhti.

– Çfarë është dashuria! Dashuria është forca më e madhe shpirtërore që ruan unitetin, respektin dhe harmoninë e jetës njerëzore. Dashuria ruan ekuilibrin e shoqërinë njerëzore ashtu si forcat e gravitacionit ruajnë ekuilibrin e universit material. Dashuria siguron vazhdimësinë e jetës njerëzore në planetin tonë, por është edhe motivi kryesor që na bën ta duam jetën dhe fryma e shenjtë që ushqen artin.

Dashuria të bën ta duash jetën jo vetëm në kushtet normale, por edhe kur njeriu ndodhet në vështirësitë më ekstreme. Dashuria është jo vetëm gjëja më e bukur që njeriu mëson në jetë por edhe gjëja më e bukur për të cilën duhet të jetosh. Dashuria të bën të qeshësh e të qash në të njëjtën kohë duke e ndjerë veten si një fëmijë por edhe të jep forca të mëdha për të kapërcyer problemet e jetës. Kur themi “Rroftë jeta” jemi te detyruar të shtojmë edhe “Rroftë dashuria”.

Në radhë të parë dashuria buron nga besimi reciprok, njohja, vlerësimi dhe pranimi i të gjitha cilësive fizike, morale e shoqërore të njeriut që pritet të bëhet njeriu juaj i dashur. Kur besojmë se një njeri e dashurojmë duhet të udhëhiqemi nga parimi themelor se asgjë e partnerit nuk duhet parë si mangësi por si cilësi individuale me të cilën duhet të pranojmë të bashkëjetojmë. Nëse nuk arrijmë ta pranojmë partnerin tonë ashtu si është atëherë duhet të shmangemi nga jeta e tij. Kurrë nuk duhet pajtuar me mendimin se njeriu do të ndryshohet pas martesës.

Njeriu është një kompleks i formuar nga bashkimi i cilësive të trashëguara, të edukuara dhe të injektuara nga mjedisi shoqëror ku është rritur. Kështu ai është formuar si një individ që e ruan edhe pa dashje individualitetin e tij. Një individualitet i formuar me dekada nuk shpërbëhet me fjalë. Nuk duhet harruar kurrë se partneri mund të duket se e pranon një vërejtje por kjo bëhet vetëm për të mos prishur qejfin dhe, në rastin më të keq, për të mashtruar. Mos bëni shumë vërejtje.

Vërejtjet e sikletosin shumë partnerin. Nëse ai nuk flet kjo nuk do të thotë se i pranon vërejtjet por se ju do shumë, se fsheh qëllimet e tij apo se nuk do të krijojë situatë të pakëndshme, por mos gënjeni veten se kështu do të sillet gjithmonë. Po vazhduat kështu do ta vendosni në situata të vështira dhe partneri do krijoje mendimin se ju nuk dini ta vlerësoni, ta kuptoni e ta respektoni. Ndoshta edhe do mendoje se ju nuk e dashuroni. Pra mos kërkoni ndryshime në individualitetin e partnerit por mendoni sa mund të bashkëjetoni me te. Nëse një djalë pi duhan apo drogë nuk do heqë dorë nga këto vese për dashurinë tuaj. Jo se nuk ju dashuron por se nuk mundet.

Nëse një vajzë pëlqen kafshët apo priret të ekspozojë pjesët intime të trupit të saj mos shpresoni se mund ta ndryshoje me kërkesën tuaj apo se mund ta detyroni. Këtu fillon gënjeshtra dhe mashtrimi në jetën e një çifti që u sjell grindje e probleme të pazgjidhshme prandaj vlerësojeni seriozisht unifikimin e karaktereve para se të vendosni për dashurinë tuaj. Realisht në botën njerëzore nuk ka dhe nuk mund të ketë një përputhje të plotë karakteresh e botëkuptimesh por dashuria është edhe një aftësi përshtatje e cilësive bashkëpunuese e bashkëvepruese. Ajo duket në çdo problem që të paraqet jeta duke filluar nga më të thjeshtat dhe secili partner duhet të studioje me kujdes mënyrën si sillet në shoqëri dhe si gjykon apo vepron tjetri.

Secili duhet ta pyesë veten nëse përputhen këto sjellje me ato që do kishit pranuar edhe ju! Mos e harroni sloganin popullor se nuk mbathet kali nëse njeri i bie thumbit dhe tjetri i bie patkoit. Në dashuri ka rëndësi të madhe harmonizimi i interesave, unifikimi i mendimeve, qëllimeve dhe veprime. Të rrojë jeta! Të rrojë dashuria!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top