Pika referimi

January 16, 2018 | 8:00

Nga Hysen Kica: Rinia dhe shkolla

Nga Hysen Kica, shkrimtar

Kam pasur shpesh rastin të flas me të rinj që kanë kaluar moshën 30 vjeç dhe që nuk mësonin kur shkonin në shkollë. Ata i shohin më zili bashkëmoshatarët e tyre që kanë përfunduar studimet e larta dhe kanë gjetur punë të mira. Pothuaj të gjithë e qortojnë veten se nuk e kanë ditur vlerën e shkollës kur ishin adoleshentë, por tashmë është vonë dhe u ka ngrënë ujku dhentë. Ka edhe nga ata që qortojnë prindërit se nuk kanë punuar për t’i bindur për vlerat e shkollës, por nuk i vlen të qortohen.

Më duket se të rinjtë kanë një mendim shumë negativ për shkollën. Kur janë në shkollë, ata kujtojnë se i dinë të gjitha dhe nuk kanë nevojë të mësojnë. Ka edhe shumë të rinj që kujtojnë se janë të mençur dhe thonë se nuk kanë nevojë të marrin mendimet e botës. Është tragjike kur e kupton sa shumë ke humbur nga braktisja e shkollës, prandaj kujdesuni që fëmijët tuaj të shpëtojnë prej saj.

Pse duhet të shkojmë në shkollë?

Të shkosh në shkollë do të thotë se dëshiron e kërkon jo vetëm të ushqesh mendjen, por dhe të fusësh në zemër realitetin. Në shkollë do të kuptosh dhe do të ndjesh pasurinë e aspekteve të jetës, të përmasave të saj, të konceptosh dhe të shijosh forcat jetësore të dijeve. Shkolla të pajis me dije që të duhen në çdo hap, të hap dyert për të kërkuar një punë të mirë dhe perspektivën për të krijuar një figurë të admirueshme sociale. Mendoj se kjo është e bukur edhe në aspektin emocional dhe të bën jo vetëm të ndjehesh brenda realitetit por edhe i aftë për të ecur përpara.

Një arsye tjetër është se shkolla është një vend takimi. Është një vend takimi dhe vendnjohje me bashkëmoshatarët e tu nga të cilët mëson të jetosh në një kolektiv ekuivalent. Nëse shkon në shkollë vërtetë për të mësuar, do ndjesh forcën e dijes dhe ndihmën e kolektivit sa herë jeta të vë para problemeve. Shkolla të shkëput nga llumi i injorancës, nga poshtërsitë e mashtruesve dhe të gjitha dukuritë negative. Ajo të mëson të organizosh një jetë të kulturuar dhe të krijosh një familje të bukur.

Misioni i shkolla është të zhvillojë mendjen e njeriut me ndjenjën e së vërtetës e drejtësisë, ndjenjën e mirësisë dhe atë të bukurisë. Të rrit personalitetin dhe figurën njerëzore në shoqëri. Njeriu i pajisur me dije është gjithmonë i fortë, por edhe kur humbet e din se një humbje e pastër është shumë më e mirë se një fitore e pistë.

Shkolla ka vetëm një të mirë dhe ajo e ka emrin DITURI ndërsa nënvlerësimi i shkollës e ka emrin padituri. Ai që shkon në shkollë duhet ta vlerësojë universitetin si tempullin e shkencës dhe jo si një paradhomë karriere. Është më mirë të mësosh për të gjetur qëllimin e jetës para se të nisësh në një rrugë pa ditur fundin e saj. Arsimi e bën të mundur realizimin e qëllimeve të mëdha për të cilat ia vlen të mësosh e të jetosh.

Jeta dhe filozofia kanë vërtetuar se njeriu është produkt i tre faktorëve shumë të rëndësishëm që janë: Shkolla, familja dhe mjedisi. Ata nuk shkojnë kurrë kundër njëri-tjetrit. Ato janë plotësuese të asaj pune që bëhet për të krijuar një njeri dhe prandaj është e rëndësishme që ata të bashkëpunojnë në respekt të këtij qëllimi.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top