Pika referimi

March 6, 2018 | 9:59

Nga Hysen Kica: Ta duam shkollën!

Nga Hysen Kica, shkrimtar

Për çdo 7 mars ne e kujtojmë me respekt këtë ditë dhe bërtasim me të madhe se jemi arsimdashës. Mua më duket se më tepër bërtasim për reklamë sesa për të pasqyruar realitetin. Në realitet ka shumë probleme.

o

Më duket se të rinjtë kanë një mendim jo kaq shumë pozitiv për shkollën. Nuk e vlerësojnë seriozisht parimin se, shkolla është vendi ku merren dijet e domosdoshme të jetës. Kur janë në shkollë ata shpesh kujtojnë se i dinë të gjitha dhe nuk kanë nevojë të mësojnë. Ka edhe shumë të rinj që kujtojnë se janë të mençur dhe thonë se nuk kanë nevojë të marrin mendimet e botës.

Është tragjike kur e kupton sa shumë ke humbur nga braktisja e shkollës prandaj, kujdesuni që fëmijët tuaj ta duan shkollën!

Pse duhet të shkojmë në shkollë?

  • Të shkosh në shkollë do të thotë se: dëshiron e kërkon të ushqesh mendjen dhe të fusësh në zemër realitetin. Në shkollë do të kuptosh dhe do të ndjesh pasurinë e aspekteve të jetës, të përmasave të saj, të konceptosh dhe të shijosh forcat jetësore të dijeve. Shkolla të pajis me dije që të duhen në çdo hap, të hap dyert për të kërkuar një punë të mirë dhe perspektivën për të krijuar një figurë të admirueshme sociale.

1

Mendoj se kjo është e bukur edhe në aspektin emocional dhe të bën jo vetëm të ndjehesh brenda realitetit por edhe të bëhesh i aftë për të ecur përpara.

  • Një arsye tjetër është se shkolla është një vend takimi. Është pra një vendtakimi dhe vendnjohjeje me bashkëmoshatarët e tu nga të cilët mëson të jetosh në një kolektiv ekuivalent. Nëse shkon në shkollë vërtetë për të mësuar, do ndjesh forcën e dijes dhe ndihmën e kolektivit sa herë jeta të vë para problemeve.

Shkolla të shkëput nga llumi i injorancës, nga poshtërsitë e mashtruesve dhe të gjitha dukuritë negative. Ajo të mëson të organizosh një jetë të kulturuar dhe të krijosh një familje të bukur.

  • Misioni i shkollës është të zhvillojë mendjen e njeriut me ndjenjën e së vërtetës e drejtësisë, ndjenjën e mirësisë dhe atë të bukurisë. Të rrit personalitetin dhe figurën njerëzore në shoqëri. Njeriu i pajisur me dije është gjithmonë i fortë, por edhe kur humbet, e di se një humbje e pastër është shumë më e mirë se një fitore e pistë.
  • Shkolla ka vetëm një të mirë dhe ajo e ka emrin DITURI, ndërsa nënvlerësimi i shkollës e ka emrin padituri. Ai që shkon në shkollë duhet ta vlerësojë universitetin si tempullin e shkencës dhe jo si një paradhomë karriere.

2

Është më mirë të mësosh për të gjetur qëllimin e jetës para se të nisësh në një rrugë pa ditur fundin e saj. Arsimi e bën të mundur realizimin e qëllimeve të mëdha për të cilat ia vlen të mësosh e të jetosh.

Sa e justifikon shkolla jonë e sotme punën e saj fisnike?

Kur isha nxënës kujtoj se në korridoret e shkollave gjendej gjithmonë parulla: “Shkolla pa disiplinë si mulliri pa ujë”. Sot shoh se nxënësve u mungon shumë sa disiplina aq edhe kultura. Nxënësit nuk e pranojnë disiplinën se u duket si presion psikologjik dhe duan “liri” të plotë të mësojnë sa të duan dhe të sillen si të duan. Nxënësit nuk i kryejnë rregullisht detyrat mësimore, mund të bëjnë zhurmë në orën e mësimit, mund të shajnë e të ofendojnë, mund të përdorin duhan, alkool dhe drogë, mund të rrihen apo edhe të vriten me shokët e klasës, mund të mbajnë me vete thika e armë dhe… ndoshta edhe mund të bëjnë seks në orën e mësimit.

A është ky respekti për dijen dhe vlerësimi për shkollën tonë? Mendoj se duhen rregulluar shumë gjëra në arsim, duke filluar nga disiplina.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top