Marrëdhënie

May 4, 2017 | 12:20

NGA HYSEN KICA/Forca e vërtetë e një njeriu qëndron në dashurinë e madhe për njeriun që ka në krah

Shpesh e pyes veten se cili është kuptimi i jetës sime dhe kërkoj në thellësi të koshiencës por… Duke shikuar rresh meje, familjen time ,kuptoj se ajo është ai qëllim i madh për të cilin kam jetuar dhe ia vlen të jetoj.

Mature couple laughing and cuddling

Ka momente kur njeriu ndjehet i rënë shumë poshtë, i vetmuar dhe i braktisur nga jeta, kur ka nevojë që dikush të mbështese faqen te faqja e tij dhe t’i pëshpërisë fjalë të ëmbla shprese pranë veshit, kur dikush ta shohë drejt në sy t’i buzëqeshë dhe të bëjë ta ndjejë veten si fëmijë, kur dukush t’i shtrijeë dorën apo ta shtërngojë në gji. Jeta shpesh na vë në sprovë, na ndodhin gjëra të çuditshme në kohë të mira dhe të këqija dhe ndonjëherë njerëzit duan të vijë një fund. Ka fakte të dhimbshme e të pakëndshme që nuk kapërcehen lehtë dhe që lënë gjurmë në jetën e njeriut, por ka edhe një ilaç shumë të efektshëm për t’i parandaluar dhe për t’i kuruar.

Mbështetini kokën në prehërin e familjes dhe do më jepni të drejtë!

 Unë jam i mendimit se asgjë në jetë nuk është një rastësi, por një rrugë e mbushur me problemet e jetës. Çdo gjë ka një arsye dhe një mundësi zgjidhje. Falenderoni dashurinë e njerëzve rreth jush, që rrjedh si ujëvarë në shpatmalin e thepisur të jetës, ata që u japin forcën për të marrë hapat njëri pas tjetrit në çdo rrugë dhe që mbështesin veçanërisht ëndërrat tuaja të bukura.

Sipas mendimit tim nuk ka perfeksion, por unë jam krenar që jam i rrethuar nga njerëz real, që përbëjnë gjithë botë time. Për mua jeta është gjëja më e bukur që mund të kemi… me gjithë dashurinë, me rreziqet apo zhgënjimet, por për mua kjo nuk ka rëndësi.

Gjërat bazë për mua tani janë familja ime.

Dashuri do të thotë jo vetëm pëlqimi i pamjes së jashtme, por pranimi i të gjitha cilësive individuale e botëkuptimore, harmonizimi i të gjitha interesave dhe pranimi i bashkëpunimit si rruga më e mirë drejt suksesit në jetë.

Shumë njerëz thonë se dashuria të bën të vuash, por unë mendoj se të humbasësh një të dashur dhe vetmia të bën të vuash shumë më tepër.

Të mos e ngatërrojmë dashurinë me aventurat. Dashuria është e vetmja forcë gjigante që shëron të gjitha dhëmbjet e shpirtit njerëzor dhe të bën të ndjehesh i mrekulluar nga jeta.

Të gjithë ata, që e shohin një njeri të seksit tjetër me synimin për të krijuar një miqësi të bukur, duhet të mbjellin një lule në zemrën e tyre. Lulet e sapombjella janë gjithmonë të brishta prandaj kërkojnë jo vetëm përkujdesje, por edhe shumë ndjenja. Në realitet ka shumë raste kur njëri nga të rinjtë synon një aventurë dhe e mashtron tjetrin pa menduar se kjo sjellje do ta shkele me këmbë lulen që mbolli vajza apo djali. Dy të rinj të seksit të kundërt mund të kenë shumë gjëra të përbashkëta, por ndoshta nuk mund të jenë miq. Miqësia është kudhra e së vërtetës, në dashuri dhe vetëm aty e merr notën kaluese ose mbetesh në klasë. Mos e mashtroni veten se do i gjeni këto vlera gjatë rrugës.

Dashuria është përmbushja e saj në martesë. Dashuria dhe martesa plotësojnë njera-tjetrën, sepse njeriu përfiton shumë nga martesa. Me martesën njeriu fiton personalitetin në shoqëri, rrit rrethin e miqëve dhe besimin e shokëve. Me martesën njeriu bashkon ekonominë dhe forcat mendore e fizike për mirëdministrimin e jetës. Vlerat e një jete familjare janë të pazevendësueshme me asnjë nga mënyrat tjera të jetesës. Në rradhë të parë thuhet se familja bashkon zemrat e njerëzve, por bashkon edhe dëshirat e tyre. Bashkon rrugët e tyre të jetës dhe jeta bëhet jo vetëm më e bukur, por edhe më e lehtë kur bashkohen forcat.

Me bashkëshortin sigurohet vazhdimësia e jetës njerëzore, krijohet një jetë e përbashkët, një ekonomi e përbashkët, një vatër e ngrohtë ku njeriu mbështet kokën. Në familje lindin dhe rriten fëmijë dhe krijohet një sistem unik për mirëdukimin dhe sigurimin e mbarëvajtjes së shoqërisë njerëzore. Thuhet se as në dashuri nuk ka fushë të shtruar me lule, por dashuria duhet shndërruar në një fushë ku të mbillen vetëm lule, nëse doni ta shijoni gjatë lumturinë.

Besimi dhe interesi reciprok, përkushtimi i plotë ndaj partnerit të seksit tjetër dhe ruajtja e harmonisë familjare janë kërkesa të domosdoshme. Nëse partneri ka një plagë tjetër ka për detyrë t’ja njohë dhe t’ja sherojë. Nëse nuk don ta shëroje, apo mundohet t’i vërë gishtin në plagë për t’ja shtuar dhimbjet, atëhere nuk duhet vazhduar bashkë. Joshjet dhe impulse seksuale duhen frenuar, sepse familja dhe dashuria janë shumë më të vlefshme se kënaqësitë e momentit. Liria seksuale, ashtu si çdo liri tjetër, është e jotja deri aty ku nuk cënohen persona të tjerë. Një liri e shtyrë vetën nga instiktet, jashtë normave të moralit familjar e shoqëror është liri e kafshës. Për interesa themelore duhen frenuar këto instikte. Për shoqërinë shqiptare ka qenë dhe mbetet si qëllim i dashurisë vetëm lidhja e martesës. Ky qëllim i madh nuk mund të shpërdorohet me asnjë lloj justifikimi gjoja për t’u përshtatur me botën e qytetëruar. Askush në botë nuk na ka kritikuar për zakonet dhe traditat e mira shqiptare dhe askush në botë nuk na don, nëse ne shkelim mbi nderin dhe dinjitetin shqiptar. Përkundrazi! Ai që mohon dhe tradhton sinqeritetin dhe ndershmërinë e familjes është i përbuzur kudo në botë.

Ka patur dhe ka akoma plot përpjekje për ta shkëputur dashurinë nga familja, por thuajse të gjitha kanë dështuar. E kanë provuar këtë mënyrë jetese disa Vipa të artit dhe politikës, që e kanë mbështetur aventurën e tyre në vlerat ekonomike, por janë penduar në mesin e rrugës së jetës ose kanë përfunduar në një pleqëri të vetmuar e të braktisur. Filozofia e popullit arriti në konkluzionin se gruaja në pleqëri është si nëna në fëmini.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top