Gjatë 35 viteve të sistemit demokratik në Shqipëri, liria e mendimit dhe e fjalës ka bërë një rrugëtim të vështirë për të gjetur shtratin e saj të natyrshëm dhe për të ndarë qartë sinorët mes së vërtetës dhe të pavërtetës. Në një shoqëri që doli nga një regjim i gjatë i censurës dhe propagandës, media u pa fillimisht si një hapësirë e re shprese, si një tribunë ku fjala e lirë do të mund të artikulonte pa frikë të vërtetën dhe do të mbante në kontroll pushtetin.
Por, me kalimin e viteve, ky ideal shpesh u deformua. Krahas gazetarisë së ndershme dhe profesionale, u shfaq edhe një tjetër fytyrë e medias: ajo e manipulimit të opinionit publik, e relativizimit të së vërtetës dhe e përdorimit të fjalës si instrument interesash politike, ekonomike apo klanore. Kështu, në vend që të mbetej një busull morale për shoqërinë dhe një zë kritik ndaj pushtetit, një pjesë e gazetarisë shqiptare gjatë këtyre 35 viteve të tranzicionit është shndërruar shpesh në një mekanizëm propagandistik, ku e vërteta shpesh maskohet, deformohet apo zëvendësohet nga narrativa të ndërtuara sipas interesave të çastit.
Pikërisht këtu fillon edhe drama e vërtetë e diskursit mediatik në Shqipëri: te dyfytyrësia mes misionit publik që pretendon dhe rolit real që shpesh luan apo duhet të luajë.
Në jetën publike shqiptare ndodhin shpesh situata që nuk kërkojnë analiza të gjata për t’u kuptuar; mjafton t’i vendosësh përballë njëra-tjetrës, si dy pasqyra, dhe kontrasti apo paradoksi bëhet menjëherë i dukshëm. Një prej këtyre paradokseve është kur një zë i njohur i medias mban dy qëndrime diametralisht të kundërta ndaj të njëjtit personazh politik.
Rasti i gazetarit F.Ç ndaj kryeministrit Edi Rama është një shembull që të shtyn jo vetëm drejt kritikës publike, por edhe drejt një reflektimi më të thellë psikologjik, social, politik dhe antropologjik mbi mënyrën se si funksionon sot një pjesë e diskursit mediatik në Shqipëri. Në fakt, nuk kemi të bëjmë thjesht me një ndryshim opinioni, gjë që është krejt e natyrshme në botën e ideve dhe të debatit publik. Mendimi mund të evoluojë, të ndryshojë, të rishikohet. Por kur një opinion kalon nga një ekstrem në tjetrin pa asnjë shpjegim logjik apo moral, atëherë nuk kemi më të bëjmë me evolucion të mendimit, por me një kontradiktë paradoksale që kërkon shpjegim e mbase një analizë më të thellë nga specialistët e fushës së komunikimit publik.
Në një moment, i njëjti gazetar e paraqet kryeministrin Edi Rama si një njeri pa kulturë, si dikë që nuk ka lexuar as dy libra në jetën e tij dhe që është ngjitur në majat e pushtetit falë mbiemrit të të atit, artistit të njohur. Në një moment tjetër, po ai zë mediatik e ngre në superlativa, duke e portretizuar si një personalitet me kulturë të gjerë, madje si produkt të një trungu fisnik me rrënjë veneciane, duke sugjeruar se nuk mund të ndodhë ndryshe që një njeri i tillë të mos jetë derivat i një tradite aristokratike, të cilën shqiptarët, sipas këtij diskursi, kanë fatin ta kenë sot në krye të qeverisë së tyre. Ky kontrast nuk është thjesht një lëkundje retorike, por, sipas mendimit tim, është një simptomë e një fenomeni më të thellë që lidhet me psikologjinë e diskursit publik në shoqëritë ku raporti midis medias dhe pushtetit mbetet i paqartë.
Në psikologjinë sociale ekziston një fenomen i njohur si disonanca kognitive: gjendja kur një individ mban njëkohësisht dy bindje të kundërta dhe përpiqet t’i justifikojë të dyja në varësi të rrethanave. Në rrafshin individual kjo mund të jetë një krizë e brendshme mendore, një përplasje e vetvetes me bindjet e saj; por në rrafshin e jetës publike ajo shndërrohet në një mekanizëm adaptimi ndaj pushtetit. Gazetari nuk flet më nga një bindje e qëndrueshme, por nga një instinkt mbijetese në një ambient ku balancat politike ndryshojnë dhe ku fjala publike shpesh matet me peshoren e interesit të momentit.
Në këtë kuptim, gazetaria e politizuar krijon një tipologji të veçantë figure publike: gazetarin që lëviz mes kritikës dhe lavdërimit me një lehtësi që të kujton jo evolucionin e mendimit, por elasticitetin e oportunizmit.
Kur klima politike e kërkon, retorika bëhet e ashpër, gati demaskuese, dhe kur rrethanat ndryshojnë, po e njëjta retorikë transformohet në panegjirizëm dhe admirim. Kjo është arsyeja pse në shumë raste nuk kemi të bëjmë më me gazetari në kuptimin klasik të fjalës, por me atë që antropologjia politike do ta quante një ritual lojaliteti publik ndaj pushtetit.
Në shoqëritë tradicionale, oborret e princave dhe mbretërve kishin gjithmonë dy figura karakteristike: kronikanin dhe oborrtarin. Kronikani përpiqej të regjistronte historinë, ndërsa oborrtari kishte një rol tjetër – të ruante humorin e sundimtarit dhe të krijonte një atmosferë miratimi rreth tij. Në realitetin shqiptar të tranzicionit, shpesh këto dy figura janë përzier në një të vetme. Gazetari (në shumë raste) nuk është më ai gardiani fanatik i së vërtetës, as kronikani kritik i pushtetit; ai shpesh shndërrohet në orator të oborrit politik, një figurë që në studiot televizive nuk analizon pushtetin, por ndërton narrativën që e justifikon atë, duke marrë rolin e “avokatit të djallit” në dëm të interesit publik.

Kjo është arsyeja pse diskursi mund të ndryshojë brenda një kohe të shkurtër: nga ironia në glorifikim, nga demaskimi në adhurim. Në këtë pikë, bëhet i pashmangshëm kujtimi i një prej figurave më të mëdha të gazetarisë italiane, Indro Montanelli, i cili ka lënë një nga vëzhgimet më therëse për profesionin e gazetarit kur thoshte se: “….në çdo epokë ka gazetarë që lehën kundër pushtetit dhe gazetarë që tundin bishtin para tij.”
Në shoqëritë ku politika kontrollon burime të mëdha ekonomike dhe ndikimi mbi mediat është i fortë, rreziku që gazetaria të shndërrohet në një treg ku opinioni blihet dhe shitet bëhet gjithnjë më real. Në këtë treg, qëndrimi editorial nuk është më një bindje morale, por një mall i negociueshëm që përshtatet me interesat e momentit.
Ironia bëhet edhe më e thellë kur kujtojmë se vetë kryeministri Rama ka përdorur shpesh termin “fosile” për kundërshtarët e tij politikë gjatë debateve publike. Por nëse kjo metaforë do të zgjerohej përtej politikës, do të mund të lindte një pyetje tjetër: a ka prodhuar tranzicioni shqiptar edhe fosile mediatike? Pra figura që prej dekadash qarkullojnë në të njëjtat studio televizive, duke ndryshuar vetëm tonalitetin e fjalës, por jo funksionin e tyre në raport me pushtetin. Në këtë kuptim, fjala “fosil” nuk lidhet me moshën apo me historinë personale të dikujt, por me ngurtësimin moral të diskursit publik dhe me pamundësinë për të qenë i lirë nga gravitacioni i pushtetit.
Shqipëria e tranzicionit ka prodhuar një fenomen që shpesh perceptohet me një humor të hidhur nga publiku: një kategori analistësh që arrijnë të jenë pothuajse gjithmonë në anën e duhur të pushtetit, pavarësisht se kush e mban pushtetin. Në këtë kuptim, ata ngjajnë me semaforët e qytetit: kur politika është e fortë ndizet drita jeshile e lavdërimit, kur klima ndryshon ndizet drita e kuqe e kritikës. Ky mekanizëm është bërë aq i njohur për publikun shqiptar, sa shpesh ai perceptohet më shumë si një ritual i zakonshëm i tranzicionit sesa si një devijim nga norma e gazetarisë.
Në sociologjinë e komunikimit flitet shpesh për makinerinë e propagandës. Në shoqëritë ku pushteti përqendrohet dhe ku kontrolli mbi narrativën publike bëhet një objektiv politik, propaganda nuk prodhon vetëm mesazhe, por edhe figura publike që i përcjellin këto mesazhe në mënyrë të vazhdueshme. Këto figura shfaqen çdo mbrëmje në ekranet televizive dhe krijojnë një realitet paralel ku pushteti justifikohet dhe kundërshtimi delegjitimohet. Në këtë pikë, pyetja nuk është më vetëm për një gazetar të caktuar apo për një studio televizive të veçantë. Pyetja bëhet shumë më e madhe dhe prek vetë strukturën e jetës publike: sa i lirë është realisht diskursi mediatik në Shqipëri?
Në fund të ditës, fjala publike është jo vetëm një instrument informimi, por edhe një pasqyrë e shpirtit të shoqërisë; kur ajo deformohet ose blihet, nuk humbet vetëm e vërteta, por vetë dinjiteti i qytetarëve që e dëgjojnë. Në fund të fundit, ky debat nuk është thjesht për një emër, për një analist apo për një polemikë të radhës, por për dinjitetin e fjalës publike në një shoqëri demokratike.
Gazetaria, kur është e lirë dhe e ndershme, është një nga instrumentet mbrojtëse dhe aset i fuqishëm i demokracisë. Por kur ajo bëhet zgjatim i pushtetit, rrezikon të shndërrohet në pasqyrën e tij më të deformuar.
Në një vend të vogël si Shqipëria, ku historia politike shpesh ka qenë e trazuar dhe ku demokracia ende kërkon të konsolidohet, shpresa mbetet që fjala e lirë të mos kthehet në një mall që blihet e shitet në tregun e pushtetit.
Kombet nuk rrënohen vetëm nga autokratët, por edhe nga heshtja, servilizmi dhe propaganda e influencierëve lëpirës e të mirëpaguar nga pushtetet korruptive, e atyre të ashtuquajturve “analistë-opinionistë” që duhet të thoshin apo të thonë vetëm të vërtetën pavarësisht çdo kostoje…!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

