Këto ditë të zhegut përvëlonjës, dielli i gushtit kishte zbritur mbi qytet si një zjarr i heshtur. Muret e bardhë pasqyrojnë dritën verbuese, rrugët lëshojnë avuj të padukshëm, dhe çdo frymëmarrje duket e rëndë, sikur ajri vetë kishte vendosur të ndalonte për pak. Në këtë përvëlim, edhe lulet e ballkonit dukeshin të lodhura.
Gjethet e tyre të gjelbra e të brishta, kishin humbur shkëlqimin e freskët. Afër këtij trëndafili, një lule tjetër, me gjethe të trasha e të harlisura, dukej sikur përpiqej t’i jepte forcë shoqes së saj. Përmes heshtjes ndjeva sikur lulet më flisnin – jo me fjalë, por me një gjuhë të padukshme, të kuptueshme vetëm për zemrën.
“Edhe ne kemi shpirt,” më thoshin. “Edhe ne ndjejmë kur jemi të etura, kur jemi të harruara, kur drita na djeg dhe askush nuk na jep një pikë freskie. Mos na shiko si dekor, mos na kujto vetëm kur lulëzojmë. Kujdesi i vërtetë është ai që jepet edhe kur jemi të përkulura, edhe kur jemi të zbehta, edhe kur dukemi të lodhura.”
Ndala dorën mbi një nga petalet e tyre dhe kuptova se ky mesazh nuk ishte vetëm për to. Ishte për gjithçka që rrethon jetën tonë, sepse ndryshe nga njeriu, lulet shpesh heshtin, por kanë nevojë për dashuri. Kuptova se përkujdesja nuk është një gjest i madh, por një rit i përditshëm i vogëlsive: një gotë ujë, një fjalë e mirë, një shikim i butë.
Tek u ula pranë tyre, m’u duk sikur zhegu nuk ishte më aq i rëndë. Sepse kur prek shpirtin e dikujt, qoftë edhe të një luleje, dielli bëhet më i butë, ajri më i lehtë, dhe zemra më e gjallë.
Në fund, kuptova se lulet nuk janë vetëm zbukurim i ballkonit të shtëpisë apo i kopshtit – ato janë pasqyra të shpirtit njerëzor. Ashtu si ne, ato rriten në dritë, lodhen në zheg, dhe gjallërohen nga një pikë vëmendje.
Në heshtjen e tyre ka një mësim të madh: dashuria dhe përkujdesja nuk maten me madhësinë e gjesteve, por me rregullsinë e tyre. Sepse edhe zemra më e fortë, ashtu si lulja më e bukur, ka nevojë të ujitet çdo ditë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.