Dëshmi

August 19, 2025 | 14:25

Nga Ilir Çumani: Engjëjt e bardhë të fëmijërisë sime…

 

Ka fotografi që janë thjesht kujtime familjare, dhe ka të tjera që kthehen në monumente të shpirtit. Kjo foto e vitit 1971, e bërë në oborrin e Shtëpisë së Fëmijës Parashkollore të Pogradecit, nuk është një kornizë e zakonshme bardhë e zi, ajo është gjurma e përjetshme e një fëmijërie të pazakontë.

shtepia-e-foshnjes-ilir-cumani

Në rreshtin e parë, të radhitur si zogj në një degë, shihen fytyrat e vogla të fëmijëve jetimë.

Mes tyre, edhe unë, një djalë pesëvjeçar me flokë të bardha, që atëherë nuk e kuptoja çfarë peshe mbartnin sytë tanë të qeshur e të trishtuar njëkohësisht. Ishim pa prindër, por jo pa dashuri.

Pas nesh qëndronin ato gra të përkushtuara, edukatoret, infermieret, sanitaret e kuzhinieret, që na u bënë nënë dhe familje. Në fytyrat e tyre lexohet lodhja e ditëve të gjata, por edhe dritë e butë që i jepte kuptim sakrificës së tyre. Ato nuk ishin thjesht punonjëse të një institucioni shtetëror, ishin engjëjt tanë tokësorë, strehë e ngrohtë në netët e gjata të vetmisë, duart që na e mbanin gjallë fëmijërinë.

Fotografia është një portë magjike.

Sa herë e shoh, më kthen tek zhurmat e oborrit, tek thirrjet e emrave që sot i kujtoj me mall, tek buzëqeshjet e shokëve e shoqeve që koha i ka shpërndarë nëpër udhë të ndryshme të jetës.

Disa i mbaj mend qartë, disa janë tretur në mjegullën e kujtesës, por të gjithë jetojnë ende bashkë në këtë kornizë të vogël.

Në Ditën Botërore të Fotografisë, kjo foto nuk është thjesht një kujtim personal. Ajo është një dëshmi e dashurisë që mbin aty ku mungesa është më e madhe.

Një falënderim i heshtur për ato gra që e bënë jetën tonë më të lehtë, më të durueshme, më njerëzore.

Fotografia nuk plaket. Ajo është gjurmë e shpirtit, dëshmi e përjetshme e kohës.

Dhe ky imazh i vitit 1971 mbetet një testament i gjallë i mirënjohjes sime, një kujtim që s’e tret koha, as pesha e viteve dhe as harresa….

 

Mozaiku i kujtesës

Personeli i Shtëpisë së Fëmijës Parashkollore, Pogradec 1971

Ollga Gusho – Drejtoreshë,

Nasta Martini – Edukatore,

Sofika Popllo – Edukatore,

Ervehe Ristani – Infermiere,

Athina Gusho – Kuzhiniere,

Vangjeli Vesho – N/Kuzhiniere, Zarife Elmasllari – Sanitare,

Servete – Sanitare,

Sadete – Sanitare,

Hurma Firanji – Rrobalarëse, Kostandina Laska – Roje nate,

 

Fëmijët në foto

Ilir Çumani,

Artur Kiptiu,

Liljana Topalli,

Karafile Toga,

Fatmira Molla,

Besniku (mbiemri i paqartë),

Bianka Shllaku,

Greta Martini,

Morena Mirdita,

Mimoza Dhanili,

Lefter Konini…

(si dhe tre fëmijë të tjerë, emrat e të cilëve fatkeqësisht nuk kujtohen).

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top