
Ilir Çumani
Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë
Pak ditë më parë, po sodisja me ngazëllim maketin dekorativ me përmasa gjigande të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, i publikuar në anën e majtë të godinës së Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Tek po e shijoja me admirim atë maket, (në këtë rast nuk më pëlqen të përdor fjalën “instalacion”), befas, m’u shfaqën para syve figurat më të ndritura të rilindjes sonë kombëtare, si: Jeronim De Rada, Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Asdreni, Mid’hat Frashëri, Hasan Tahsini, Zef Jubani, Babë Dudë Karbunara, Zef Serembe, Mihal Grameno, Bajo Topulli, Çerçiz Topulli, Jani Vreto, Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Filip Shiroka, Ismail Qemali, Pandeli Sotiri, Parashqevi Qiriazi, Koto Hoxhi, Shahin Kolonja dhe deri tek Fan Noli, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, etj.
Të gjithë këta patriotë e mëmëdhetarë të shquar, për aq sa jetuan, bënë gjithçka mundën për pavarësinë e vendit, mbrojtjen, pasurimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Përpjekjet dhe privacionet e tyre ishin kaq sublime, saqë nuk kursyen asgjë, duke shkrirë të gjithë pasurinë që ata kishin. Disa prej tyre u martirizuan, dhanë jetën për gjuhën amtare dhe çështjen kombëtare, siç ishte edhe Prifti Ortodoks Papa Kristo Negovani, me profesion mësues dhe botues, i masakruar në mesnatën e 12 shkurtit të vitit 1905 në pragun e shtëpisë së tij nga vasalët e Karavangjelis-it, peshkop i Kosturit. Të njëjtin fat tragjik pati Petro Nini Luarasi, i cili punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës. Ai u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësimdhënës.
Në vitin 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, ndërsa më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë. Pak më vonë (1892-1893), çeli shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës, etj. Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911. Meditoja para maketit të atij Fjalori, dhe më erdhi nëpër mend historia tragjike e mësuesit patriot Theodhor Haxhifilipi, i njohur si Dhaskal Tod’hri, një figurë e ndritur, njeri i nderuar dhe me emër të madh në komunitetin ortodoks të Elbasanit, i cili në vitin 1805, (pra në moshën 75-vjeçare), u bë viktimë e dhunës greke dhe asaj turke kundër arsimimit shqip.
Gjatë viteve 1751-1801, ai ka mbajtur Kodikun e Shën Mërisë të kishës së Kalasë. Më pas, shkoi nëpër Evropë për të derdhur shkronjat shqipe, që të krijonte një shtypshkronjë në shqip. Shtypshkronjën do ta ngrinte në Elbasan, pasi në këtë qytet kishte shumë tregtarë që shkruanin me alfabetin e tij. Asokohe, Shën Gjoni ishte qendër e shkrimit të shqipes. Dhaskal Tod’hri u vra ndërsa transportonte shtypshkronjën për në Elbasan, në rrethinat e Manastirit, në Dhiavat të Resnjës.
Vrasja ishte një akt i pashembullt obskurantist i kishës greke, e cila prej kohësh i kishte vënë nga pas agjentët e saj. Ky akt mizor, është materializuar me shumë vërtetësi dhe origjinalitet në njërën prej realizimeve të shkëlqyera të kinematografisë shqiptare, në filmin artistik shqiptar “Udha e shkronjave”, i regjisorit të mirënjohur Vladimir Prifti, me skenar të Peçi Dados e V.Prifti. Një histori që përmes skenave dhe mizanskenave të përzgjedhura në film, veshjeve dhe episodeve të vendosura në kohë, të bën të përjetosh me kaq shumë emocion të gjithë atë përpjekje, heroizëm dhe aspiratë të këtij patrioti rilindas, por nga ana tjetër, drithërohesh për dramën e ngjarjes që përcillet përmes lojës brilante të aktorëve Sandër Prosi, (Artist i Popullit), në rolin e Dhaskal Tod’hrit dhe Bujar Lakos, (Nder i Kombit), ky i fundit, në rolin e shoqëruesit udhërrëfyes të karvanit me kuaj, me të cilin transportonin arkat të mbushura me germat shqipe të derdhura në plumb.
Mbresëlënëse mbetet për shikuesit e këtij filmi edhe ky dialog i zhvilluar midis Dhaskal Tod’hrit e shoqëruesit të tij Tunxhit, një fshatar besnik dhe i ndershëm, por analfabet, i cili nuk di as shkrim e as këndim. Djaloshi Tunxh e shoqëron dhe i qëndron pranë me fanatizëm Dhaskal Tod’hrit. Ai e adhuron dhe e mbron me kokën e tij mësuesin patriot, nga çdo e keqe që mund t’i dilte përpara, gjatë udhës për transportin e ngarkesës me karvan. Është një dialog kur gjatë momentit të rrugëtimit me kuajt e lodhur, dita fillon të erret dhe udha bëhet edhe më e vështirë duke sjellë të papritura e rreziqe. Në një distancë të afërt, befas, Tunxhi dëgjon disa trokëllima kuajsh…
Tunxhi: – Dëgjoj hapa kafshësh zotëri…!
Dhaskal Tod’hri: – Mbase është ndonjë karvan si ne.
Tunxhi: – Kam frikë mos janë koshallet e turkut, (trupat e xhandarëve turq). Me ta se gjej dot fjalën unë!
Dhaskal Tod’hri:- Kam një ferman nga Pashai.
Tunxhi: – Paske mik dhe Pashanë…?!
Dhaskal Tod’hri: – Atë ferman e paguam 1.000 grosh të argjendë. Miqtë e mi mblodhën para për këtë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.