Nuk ka britmë më të heshtur se ajo e pyllit që digjet. Ai nuk bërtet, nuk qan, nuk proteston. Ai thjesht digjet i gjallë, në këmbë, si një martir që nuk kërkoi asgjë, përveç së drejtës për të jetuar në paqe me diellin, me shiun, me përrenjtë dhe lumenjtë, me zogjtë e gjinkallat në degë…
Kur njeriu harroi se ishte pjesë e natyrës, filloi ta shkatërrojë atë me duar që dikur i mbollën ato pemë.
Aty ku dikur fëshfërinin gjethet në gjuhën e erës, sot ngrihen flakë të verdha, si gjarpërinj të tërbuar që përpijnë gjithçka: trungjet, rrënjët, shpendët, hutinë e dhelprave, shtëpinë e bletëve, hapat e gjahut…
Në ajër, nuk ka më aromë lisi e pishe, por tym i rëndë që mbart një dhimbje të padukshme; dhimbjen e jetës që mbaron pa zë.
E gjitha kjo nis me një dorë që nuk ngjason me njeriun, por me hijen e tij të errët. Një dorë që mban një bidon nafte, një bisht cigareje, një shishe të hedhur mes barit.
Një dorë që s’dridhet nga frika, sepse nuk ka as mëshirë, as ndërgjegje, as shpirt.
Zjarri është gjuha me të cilën ky kriminel i natyrës shkruan dënimin kolektiv të jetës.
Në këtë dënim, nuk vritet vetëm pylli, por edhe zogu që nuk fluturoi dot, vritet breshka që nuk mundi të ikte, vritet gjyshi që mbeti pa shtëpi, vritet e ardhmja që nuk do të lulëzojë më.
A ka më krim më të madh se kur djeg frymëmarrjen…?!
Të shfarosësh një ekosistem, të shkatërrosh një univers të gjallë vetëm për një çast shfryrjeje, mllefi, hakmarrjeje, akoma edhe më keq: me qëllim të pastër djallëzor…?!
Këto nuk janë thjesht zjarre. Janë akte të pastra terrori ekologjik, që lënë pas hi, varfëri dhe harresë.
Pylli është më shumë se pemë.
Ai është shtëpia jonë e dytë, mushkëria jonë, ujëmbledhësi, burimi i paqes, banesa e shpirtit natyror të tokës sonë.
Kur digjet një pyll, digjet një faqe historie, digjet një këngë që nuk do të këndohet më, dhe bashkë me të, digjet edhe një pjesë e njeriut që e ka harruar se prej nga vjen.
Duhet të vëmë emra të drejtë mbi plagët që po shkaktohen: Zjarrvënia e qëllimshme është terrorizëm kundër jetës. Është sabotim i natyrës, është vrasje pa armë, por me pasoja të përjetshme.
Ligji duhet të flasë. Drejtësia duhet të veprojë. Shoqëria duhet të zgjohet. Shkollat të edukojnë, qytetarët të denoncojnë, qeveritë të reagojnë. Sepse pyjet nuk kanë zë, por ne e kemi. Dhe duhet të flasim në emër të tyre. Sot! Jo nesër…..
Në fund të fundit, kur shohim një pemë që digjet, mos harrojmë se nuk është vetëm dru. Është një frymëmarrje që s’mund të përsëritet, një jetë që nuk do të rikthehet më.
Nëse nuk e mbrojmë pyllin, nuk do të ketë kush të na mbrojë ne!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.