Ka ikje që nuk priten kurrë, largime që nuk i përballon dot as fjala, as mendimi, as shpirti. Sot, me heshtjen e tij të papritur, u shua një prej zërave më të fortë të medias shqiptare – Artur Zheji.
Në një ditë që duhej të ishte e gëzuar, në një tryezë ku duhej të kumbonin urimet për ditëlindjen e të birit, fati i pamëshirshëm e ktheu festën në zi, gëzimin në dhimbje, urimin në lot. Në vend të dritës së qirinjve, mbeti hija e trishtimit; në vend të muzikës së gëzimit, mbeti heshtja e rëndë e humbjes.
Artur Zheji nuk ishte thjesht gazetar. Ai ishte një dëshmitar i rëndësishëm i ngjarjeve të një Shqipërie të çuditshme në transformim dhe në kërkim të vetvetes në këto tre dekada e gjysmë të një tranzicioni tekanjoz e me shumë kthesa në histori…
Ai ishte një udhëtar i fjalës, një kërkues i palodhur i së vërtetës, një njeri që e përdori mendimin si busull dhe fjalën si dritë. Në një botë ku fjala shpesh blihet e shitet, ai guxoi ta mbante të pastër, ta mbronte dhe ta çonte aty ku duhej – në shërbim të publikut dhe të lirisë.
Në penën e tij kishte mprehtësi, kthjelltësi mendimi, por edhe ndjenjë; në analizat e tij kishte logjikë të fortë, por edhe shpirt njerëzor. Ai dinte të shihte përtej asaj që shfaqej dhe të na tregonte ato dritëhije të realitetit që shpesh ne nuk i shihnim. Për këto arsye, zëri i tij ishte me peshë, mjaft domethënës dhe i pazëvendësueshëm në mjedisin e gazetarisë shqiptare.
Sot, bashkëshortja, djali dhe vajza e tij mbajnë dhimbjen më të madhe, por bashkë me ta, qindra e mijëra njerëz e ndjejnë se humbën dikë të tyre. Sepse Artur Zheji nuk ishte vetëm i familjes së tij – ai ishte pjesë e kujtesës sonë kolektive, pjesë e mendimit të lirë, pjesë e zërit publik të këtij vendi.
Ikja e tij është një humbje e madhe, por trashëgimia që la nuk mund të shuhet lehtë… Do të mbetet gjithmonë si gazetari që guxoi, publicisti-misionar që mendoi ndryshe, si njeriu që i dha fjalës peshën që meriton.
Lamtumirë, Artur!
Zëri yt nuk do të heshtë. Ai do të mbetet i gjallë në mendjen dhe kujtesën tonë, si një dritë që nuk shuhet kurrë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.