Po i referohemi pa fund shpirtit njerëzor, sepse ky shpirt është i pranishëm si te një i burgosur që përpiqet të ndihet i lirë, ashtu edhe tek dikush që ka vendosur të jetojë, edhe pse ndjen fundin afër. Arsyeja madhore është adhurimi i jetës. Mos harroni se dhe kur ju ftojmë të rimodelojmë një botë fatkeqe sipas dëshirave tona më të larta, edhe kur jetojmë me dinjitet me gjithë kushtet jonormale, mundemi të bëjmë atë më të mirën. Shpirti njerëzor i drejtuar nga jeta, nga e bukura dhe nga e mira, nuk ka vdekur, edhe pse na thuhet e kundërta. Në këtë Letër Shpirti ndjehet vitaliteti njerëzor…
Ermenita Stafa, Kryeredaktore e Radio TIRANA
Po e nis hyrjen e kësaj letre me nota sentimentale për shkak të rrethanave të mija specifike. Ia drejtoj këtë Letër Mirënjohjeje sot, të gjithë atyre që më shoqëruan në fëmijërinë time, në atë periudhë, kur unë, Iliri 6-vjeçar i viteve ’70 – të, në shkollën 8-vjeçare “Adem Sheme” në Sarandë, isha i riskuar të fokusohesha në vëmendjen e të gjithë bashkëmoshatarëve të mi, të të gjithë mësuesve dhe edukatoreve të asaj kohe, si i ndryshëm nga të tjerët, me të mirat dhe të këqijat që mbartja me vete. Kjo, më bënte ligsht të provoja ndëshkimet që fati më pati sjellë në jetë dhe që sot e kësaj dite e konsideroj atë fat me dy fjalë: “një fëmijëri pa fëmijëri….”
Megjithatë, gjithçka i ka mbetur kohës dhe brenda saj është një kujtim i hidhur, jo për ty Nina, as për Renatën dhe Arben Dhroson, por për mua dhe shumë të tjerë si unë, që provuam të njëjtin fat të hidhur, të jetonim pa familje, me ëndrra të prishura dhe dëshira të parealizuara prej fëmije, pa imazhin, ëmbëlsinë, vështrimin dhe kujdesin natyral dhe instiktiv të atyre që sjellin në këtë jetë, krijesën më të shtrenjtë në botë, pa atë përkëdhelje dhe ngrohtësi prindërore aq të nevojshme për moshën fëmijërore.
Thonë se, fëmijën më shumë se gjithçka e rrit dashuria prindërore. Unë këtë nuk e kam provuar në asnjë çast të vetëm… Por, kam provuar një tjetër ngrohtësi dhe dashuri, atë të shokëve të mi në klasën e parë në shkollën fillore, të mësueses time. Po. Më kujtohet emri i saj, Klorinda Mosi. Është nëna jote, por, njëkohësisht ajo ishte edhe mësuesja jonë e përbashkët që na mësoi abc-në e abetares dhe fjalët e para të gjuhës tonë të bukur shqipe. Është kjo arsyeja që e kujtoj me aq nostalgji atë periudhë nga më të veçantat e jetës sime, aq sa ndoshta ty Nina, nënën tënde apo Renatën, (shoqen tonë të përbashkët), do t’ju befasoj fakti se pas 40 vjetësh, unë Ilir Çumani, ai djalë i imët me sy të trembur e fytyrë të zbehtë, i rritur në institucionin e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, munda sërish të bëhem i “gjallë” dhe befas trokita në “portat” e kujtesës tuaj. Këtë herë, me një mall e mirënjohje që mban një peshë me një koeficient të pa llogaritur, të pa imagjinuar…
Përveç kësaj, ka edhe një arsye tjetër më të fortë që e mban të ndezur këtë mall të fëmijërisë tek unë. Është mirënjohja dhe dashuria për mësuesen time të klasës së parë, për shokët e mi, sepse për herë të parë dhe të fundit në katër vitet e shkollës fillore, duke qenë gjithmonë mes jush dhe pranë jush, më bëtë që asnjëherë të mos e kuptoja se isha i ndryshëm nga ju, i rritur ndryshe si fëmijë, i rritur jetim. Vitet e mëvonshme e trazuan keqas botën time fëmijërore.
Koha, rrjedha e shumë ngjarjeve, situatat dhe rrethanat që po kaloja, më ndërgjegjësuan edhe më shumë për të kuptuar më mirë realitetin që jetoja. Kjo më bënte të rritur përpara kohe dhe të harroja njëkohësisht privilegjet që të jep statusi i një fëmije. Atë pakëz buzëqeshje që ju, shokët e klasës dhe mësuese Klorinda ma dhuruat aq bujarisht, ma rrëmbyen dhunshëm dhe në mënyrë të padrejtë djajtë, ata që në rrëfimet e hershme biblike thirren ANTINJERI.
Opinioni konservator i asaj kohe, i mbërthyer nga mentaliteti përbuzës, diskriminues dhe aspak civilizues, në thelb të së cilës qëndronte kryeneç stigma kolektive, më goditi rëndë institucionin tim shpirtëror, ma rrëzoi atë në gradën më të ulët inferiore. Kjo më ka munduar shumë, derisa u rrita dhe dola në jetë. Më thuaj Nina, a ka krim më të rëndë që mund t’i bëhet një fëmije, aq më keq, një fëmije jetim, kur i merr atij gjënë më të shtrenjtë e të pazëvendësueshme, buzëqeshjen e fëmijërisë, gëzimin, ëndrrat, dëshirat, pafajësinë e moshës!? Megjithatë, këto dhe të tjera si këto, nuk ndikuan shumë për të ardhmen time. Në fund të fundit, është karakteri, dinjiteti dhe personaliteti i njeriut, që përcakton qartë se cila do të jetë rruga që ai do të marrë në jetë.
Ndoshta ato ç’ka unë thashë më sipër, patën ndikimet e veta negative, që në psikologji apo në pedagogjinë moderne quhen (frustrazione), zhgënjime dhe shuplaka, por, kanë edhe anët e tyre të mira, sepse nuk thonë kot që njeriu duhet edhe të vuajë… Po. Duhet të vuaj, por jo deri në ekstrem, ashtu si edhe Latinët e Vjetër thonë: “Kur durimi tek njeriu i kalon kufijtë dhe caqet që ai ka, atëherë nuk quhet më durim, por egërsi…”
Unë falënderoj Zotin që më ka ndihmuar për t’u përballur me këtë egërsi. Vështirësitë e jetës më bënë më të fortë, më të ekuilibruar, njëkohësisht edhe më të vendosur për të zgjidhur me forcat e mia shumë situata të vështira, të ndërlikuara e pikante. Vuajtjet dhe sakrificat, veçmas më kanë dhuruar edhe virtyte të çmuara, zemërgjerësinë dhe humanizmin, ndjenjën e dhembshurisë për të kuptuar edhe më mirë njeriun që është në nevojë, për t’iu gjendur atij sa më pranë.
Të gjitha këto e kanë burimin në një forcë të brendshme shpirtërore. Ajo ekziston brenda meje. E kanë tharmin, si të thuash; në ato kujtime të fëmijërisë time të hershme, në vitet e klasës së parë fillore, kur mësuesja ime e dashur më dhuronte miqësinë e pastër dhe të sinqertë që dinë ta dhurojnë vetëm nënat me zemër të madhe. Kjo më bën të kujtoj me shumë mall shoqen time të bankës Renata Zeneli, shokët dhe shoqet si ty Nina Mosi, Rita Papa, Arben Dhroso, Alqi Varresi, Vojsava Miho, Sofika Papajani, Adrian Dusha, Ilir Beqiri, Sabo Alinani, Besnike Vrako, e shumë të tjerë që nuk ua kujtoj emrat në këtë çast. Mos u çudisni miq të dashur që në këto radhë po përmend kaq shumë emra. Nuk është apeli i një klase, por është zëri i vetmuar i atij që nuk ka pasur pjesëtarë të tjerë në familje. Të mbaj mend shumë mirë ty Nina, me atë përparësen e zezë dhe jakën e bardhë të qëndisur për merak, me fytyrën gazmore e plot shkëlqim, ku shpeshherë ngatërrohej në portretin tënd buzëqeshja që të kishte falur natyra me “seriozitetin” e imponuar nga fakti se ishe vajza e mësueses tonë kujdestare, edhe pse kërkesa e llogarisë fillonte nga ty. Më shkruan në letër se nuk të ndodhet asnjë fotografi e atyre viteve dhe bën “fajtore” për këtë nënën tënde dhe mësuesen tonë. Për episodin në fjalë, ndoshta ke të drejtë, ndërsa për të tjerat unë nuk jam në një mendje me ty. Mësuesja jonë e klasës së parë (nëna jote), në shtatin e saj të imët dhe të brishtë, mbante brenda vetes një botë të madhe ndjenjash të ndryshme.
Ishte së pari nënë, pastaj mësuese. Kishte hyrë në botën e gjithsecilit prej nesh, dhe fliste me ne duke u bërë si ne, ç’ka do të thotë se ajo kurrë nuk ka qenë e qetë dhe asnjëherë indiferente, sepse qetësinë ia merrnim ne me “çapkënllëqet” tona, prandaj ndonjëherë na ndëshkonte, pa të përjashtuar edhe ty. Unë mendoj se, nuk do të ishte e mirë dhe e drejtë, nëse ajo nuk do të vinte “ujin në zjarr” për gabimet tona. Këtu pasojat do të ishin edhe më të mëdha. Ndërsa në rastin konkret, unë gëzohem dhe më bëhet zemra “mal” kur dëgjoj për ty, Renatën, Arbenin, Vojsavën, Ritën, apo për dikë tjetër se si keni ecur në jetë. Pa dyshim, meritë jo të vogël për këtë ka edhe mësuesja jonë e klasës së parë Klorinda. Për emrat që sipërpërmenda, që në atë kohë kisha një bindje gati të verbër se si do të ishte e ardhmja e tyre. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Intuita ime fëmijërore e atyre viteve e kishte paracaktuar një të ardhme të tillë për secilin nga ju. Kjo kujtesë e imja, apo “zgjim” nëse mund të quhet kështu, nuk ka të bëjë aspak me një gjendje shpirtërore të çastit, por me një mall e mirënjohje të kultivuar brenda meje, plot dashuri e mirësi. Ato kanë shtrirë rrënjë të thella tek unë që në atë kohë.
Janë kujtime që kishin zënë vend brenda skutave të shpirtit tim të trishtuar e të vetmuar për kaq e kaq vite, si në novelat e Cvajgut. Ato kurrë nuk u zbehën nga kujtesa ime, as nga rrjedhat jetës plot zigzage, me shumë pengesa e pamundësi në përpjekje spartanësh, me të përpjeta e tatëpjeta, as nga pesha e viteve plot shpresa e zhgënjime. Përkundrazi.
Në përfytyrimin tim, këto kujtime ridimensionoheshin dhe fitonin vlera të papërsëritshme, më frymëzonin në çastet më të vështira të trishtimit dhe të vetmisë, më mbushnin ato boshllëqe që jeta m’i servirte në mënyrë të pamëshirshme. Këto kujtime janë pjesë e jetës time edhe sot e kësaj dite, që kam krijuar një familje të ngrohtë dhe të shëndetshme.
Kam dy fëmijë të mrekullueshëm, Ilvin dhe Londisën, të cilët gëzojnë një jetë krejt ndryshe nga ajo e fëmijërisë sime. Kam një bashkëshorte që e dua si jetën, sepse të njëjtën dashuri marr prej saj. Në këtë realitet unë jetoj midis dy dashurive, mes kujtimeve për shokët dhe shoqet e shkollës fillore, mësueses time që më dhuroi dashurinë dhe ngrohtësinë prej nëne dhe familjes time. Të dyja këto i marrin dhe japin gjithmonë njëra-tjetrës. Janë vlera të çmuara që vazhdimisht e kanë konturuar dhe e ushqejnë në mënyrë të shëndetshme të gjithë personalitetin tim, e në radhë të parë, më plotësojnë si NJERI.
Prandaj Nina e ngrita zërin pas kaq shumë vitesh, për të më dëgjuar të gjithë ata që e dinë se ç’është mirënjohja dhe njohin vlerat e paçmueshme që ka ajo. E ngrita zërin për të më dëgjuar ti, Renata, Arbeni, e bashkë me ju edhe ish-mësuesja jonë e klasës së parë Klorinda, për të cilën lumturohem pa masë që gëzon një shëndet të mirë në pleqërinë e saj. U gëzova shumë kur mora vesh se ke krijuar familjen tënde dhe jeton e punon e lumtur me bashkëshortin dhe djalin tënd Xhulio, aty, në Venecia të Italisë. Kur të vish në Tiranë, dëshiroj dhe shpresoj të takohemi. Unë po të dërgoj edhe disa fotografi që të krijosh një ide më të qartë pas 40 vitesh që nuk jemi parë. Do të dallosh ndryshimet që unë kam bërë. Doemos, janë ndryshime që me kalimin e kaq shumë viteve i ke bërë edhe ti. Të paktën me çfarë unë pashë nga fotografia që më dërgove në letrën tënde.
Sa shumë gjëra të thashë… Shumë të tjera janë për t’u thënë, por nuk mund të përmblidhen të gjitha në një letër. Jeta është e ngarkuar me shumë ngjarje dhe rrjedha e saj është intensive. LUM kush e jeton atë duke i dhënë KUPTIMIN e vërtetë të saj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.